Kryetari i Unionit Rohingya të Arakanit, Prof. Dr. Vakar Uddin, ka bërë thirrje për intervenim ndërkombëtar për ndaljen e dhunës kundër muslimanëve Rohingya, duke thënë se ajo shndërruar në gjenocid, raporton Anadolu Agency (AA).
Vakar Uddin, i cili jeton në SHBA, në vlerësimin për gazetarin e AA-së në lidhje me dhunën me të cilën muslimanët e Arakanit po përballen kohëve të fundit, tha se qeveria e Mianmarit po vret njerëz pa bërë dallim mes grave, fëmijëve dhe të moshuarve dhe se njerëzit po i djeg të gjallë.
“Ndaj muslimanëve Rohingya po zbatohet dhunë. Kësaj radhe nuk është dhunë mes popujve, jo nga budistët ekstremistë të vendit, por nga vetë qeveria e Mianmarit. Forcat ushtarake të Mianmarit po sulmojnë shumë fshatra, po vrasin civilë dhe po ua vënë flakën shtëpive. Shumë gra dhe fëmijë po përpiqen të ikin nga shtëpitë që digjen. I kapin gratë dhe fëmijët dhe i hedhin brenda shtëpive që digjen. Ndërkaq, ata që nuk mund t’i zënë, i vrasin përmes zjarrit të hapur nga helikopterët. Sheshet e hapura, fushat e orizit janë përplot me kufoma të muslimanëve të vrarë Rohingya”, u shpreh Vakar Uddin.
“Gratë ose vriten, ose përdhunohen kolektivisht”
Vakkar Uddin tha se qindra muslimanë Rohingya sillen në një vend dhe qëllohen për vdekje. Siç tha ai, kjo gjë pa dyshim që është “gjenocid”. Uddin theksoi se të gjithë ata që shohin dhunën ndaj muslimanëve do ta kuptojnë se kjo përputhet tërësisht me përkufizimin e gjenocidit. “Vranë me qindra njerëz. Ne kemi gjetur edhe varreza masive. Kemi gjetur shumë njerëz që i kanë vrarë duke i gjunjëzuar. Shumë gra i kanë vrarë duke i djegur. Krahas kësaj, ka pasur shumë raste përdhunimesh kolektive. Forcat e qeverisë organizojnë bastisje nëpër shtëpitë e fshatrave. Për këtë arsye, meshkujt janë të detyruar të largohen apo të ikin nga shtëpitë nga frika se do të vriten. Gratë që ngelin në shtëpi, ose vriten, ose përdhunohen kolektivisht nga ana e policisë”, theksoi ai.
Prof. Dr. Vakar Uddin tha se qeveria e Mianmarit nuk e ka ndryshuar aspak qëndrimin edhe përkundër thirrjeve nga organizatat ndërkombëtare, shoqatat e të drejtave të njeriut, SHBA-të dhe shtetet e OECD-së.
Sipas Vakar Uddin, organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në rajon, megjithatë qeveria ka penguar qasjen e tyre nga ajri, toka dhe deti, duke e pamundësuar kështu hyrjen e ushqimeve dhe të gjitha ndihmave të tjera në rajon.
“Aktualisht, mbi 20 mijë Rohingya janë pa shtëpi. Familjet po përpiqen të qëndrojnë në vende më të sigurta, disa duke u transferuar larg nga fshatrat e tyre, e disa të tjera në Bangladesh. Në disa fshatra, brenda një shtëpie jetojnë 10-15 familje. Për këtë arsye nuk mund të gjendet ushqim i mjaftueshëm. Burimet e bujqve Rohingya janë të kufizuara dhe deri më tani nuk ka produkte me të cilat njeriu mund të ushqehet. Prandaj, Rohingyat janë duke u përballur me një krize serioze humanitare. Qeveria e Mianmarit, krahas të gjitha këtyre negativiteteve, gjithashtu armatos dhe trajnon budistët ekstremë. Ata, nga ana tjetër, sulmojnë popullin Rohingya. Në këtë mënyrë gjendja ka tendencë të evoluojë në problem ndërpopullor. Po përpiqen t’i nxisin budistët ta vrasin popullin Rohingya, sikurse në vitet 2012-2013, dhe të sjellin mosmarrëveshje civile”, potencoi Uddin.
Duke theksuar se qeveria e Mianmarit ka mashtruar monitoruesit ndërkombëtarë, Vakkar Uddin vazhdoi: “SHBA-të dhe organizatat ndërkombëtare shumë herë kanë dërguar monitorues në rajonet kur janë kryer masakrat. Megjithatë, para arritjes së zyrtarëve, qeveria tërheq të gjitha forcat ushtarake nga fshatrat dhe pastron të gjitha gjurmët e masakrave, ndërsa lë vetëm disa pamje të përleshjeve të vogla. Ndërkaq, fshatrat janë përplot me kufoma grash, fëmijësh dhe pleqsh para ardhjes së monitoruesve. Fatkeqësisht, zyrtarët nuk mund ta shohin asnjërën nga këto pamje, ato nuk regjistrohen. Gjithsesi, shumicën e kohës qeveria nuk lejon hyrjen e monitoruesve në fshatra duke dhënë arsyetimin e sigurisë.”
“Intervenimi ndërkombëtar është kusht”
Duke theksuar se ekziston vetëm një rrugë për t’i dhënë fund dhunës ndaj muslianëve Rohingya në Mjanmar, Prof. Dr. Vakar Uddin vlerësoi: “Ka vetëm një rrugë për t’i parandaluar këto ngjarje: Prania e vazhdueshme e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Sepse kur vijnë zyrtarë të OKB-së në periudha tri-katër-ditore, ushtria tërhiqet, pastron rajonin dhe çdo gjë i kthehet normales derisa të largohen zyrtarët. Më pas vazhdojnë të vrasin njerëz, të përdhunojnë gra dhe të djegin shtëpi. Andaj, OKB duhet t’i dërgojë forcat e veta në rajon për qëllime monitorimi. Në të kundërtën, forcat shtetërore të Mianmarit do të vazhdojnë t’i masakrojnë civilët e pafajshëm të cilët kanë nevojë për ndihmë. Rruga e vetme për ta ndalur këtë është që forcat ndërkombëtare ta marrin përkohësisht nën kontroll gjendjen dhe të mbajnë qëndrim të rreptë kundrejt qeverisë. Të paktën mund të vendosen sërish sanksione ndaj qeverisë së Mianmarit. Është e nevojshme që OKB-ja sa më parë ta diskutojë çështjen në Këshillin e Sigurimit dhe të nisë bisedime zyrtare me qeverinë e Mianmarit, sepse kohë më nuk premton. Një gjenocid i madh në rajon është në prag.”
Vakar Uddin tha se me ardhjen e dimrit, në rajon do të paraqitet një krizë e re humanitare. Sipas tij, 20 mijë njerëz në rajon vuajnë nga uria dhe kanë nevojë për strehim. “Moti ftohet çdo ditë e më shumë. Aty ka problem për sigurimin e ushqimit. Në fakt, ka ushqim, por qeveria e Mianmarit nuk lejon që ai të arrijë te njerëzit. Qeveria lokale kërcënon furnizuesit ushqimor dhe pengon hyrjen e tyre. Organizatat ndërkombëtare duhet ta marrin nën kontroll situatën. Qeveria kështu po dëmton njerëzit dhe po pengon qasjen e ndihmave. Sepse dëshiron që këta njerëz t’i detyrojë të migrojnë duke i frikësuar. Çfarë mund të jetë kjo përpos gjenocidit? Organizatat ndërkombëtare debatojnë nëse kjo gjendje është gjenocid apo jo. Vallë, a është kjo masakër, kërdi, apo gjenocid?”, vuri në pah Vakar Uddin.
“Kemi mbështetje të madhe nga Turqia”
Prof.Dr. Vakar Uddin theksoi se pritjet e tyre nga Turqia janë të mëdha. “Ne dëshirojmë që qeveria e Turqisë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Burmas dhe ta bind qeverinë e Manmarit që t’u japë fund këtyre vdekjeve. Të tërhiqet embargoja ushqimore. Ta bind qeverinë e Mianmarit të bashkëpunojë me qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare. Pasi qeveria turke të merret vesh me qeverinë e Mianmarit për bashkëpunim, ne do të përpiqemi që të gjitha organizatat humanitare të arrijnë deri te Rohingyat”, tha ai.
Duke rikujtuar se ka zhvilluar takim me kryetarin e Çështjeve Fetare të Turqisë Mehmet Görmez, Vakar Uddin tha se “I nderuari Görmez më tha se ndiente shqetësim të madh për dhunën ndaj muslimanëve në Mianmar dhe dha fjalën që do të bëjë çdo gjë që mundet që organizatat ndërkombëtare dhe opinioni botëror të sensibilizohet me zhvillimet në Mianmar. Po ashtu kemi marrë premtime edhe nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në drejtim të zgjidhjes së krizës në Mjanmar.”
Vakar Uddin tha se në ditët më të vështira kanë pasur mbështetjen e qeverisë dhe popullit turk dhe për këtë janë falënderues. Ai më tej shtoi: “Falënderoj qeverinë dhe popullin turk për mbështetjen e dhënë për popullin Rohingya të Arakanit në këtë gjendje të vështirë. Prej vitesh ata e shohin me simpati popullin Rohingya dhe e mbështesin atë. Prandaj, jemi shumë falënderues ndaj popullit turk që ne gjithmonë na ka parë si vëllezër dhe ka qenë pranë nesh. Kërkojmë vazhdimësinë e kësaj. Dëshirojmë që ata t’i mbështesin njerëzit tanë dhe luftën tonë politike. Po ashtu me rëndësi për ne janë edhe donacionet për organizatat humanitare. Ju lutem të ndihmoni sa të keni mundësi, qoftë edhe një lirë. Gjithashtu, kërkoj nga media turke që ta mbajë në agjendë çështjen e Rohingyave. Le të na kontaktojnë e t’ia përçojnë popullit turk dhe gjithë botës ato që po u ndodhin Rohingyave, sepse qeveria e MIanmarit po gënjen dhe po bën propagandë të pavërtetë.”