1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“Muslimanët që nuk interesohen për politikën, do të qeverisen nga ‎politikanët që nuk interesohen për Islamin”‎

Më të lexuarat

Më 27 shkurt 2011, vdiq Nexhmetin Erbakani, përfaqësuesi më i njohur i ‎islamit politik në Turqi. Erbakani nuk ishte shejh, nuk e kishte studiuar ligjin e sheriatit, ‎ishte inxhinier i makinerisë, kishte doktoruar në Universitetin e Ahenit në Gjermani, por ‎besonte se Islami nuk është shpallur për tu tërhequr në xhami, por për ta qeverisur ‎shoqërinë.‎

Në këtë kuptim është edhe deklarata e Nexhmetin Erbakanit:

“Muslimanët që nuk ‎interesohen për politikë do të qeverisen nga politikanët të cilët nuk interesohen për ‎Islamin.”

Prandaj, ai kishte vendosur të hynte në politikë. Për herë të parë ia doli të hynte ‎në parlament si kandidat i pavarur në zgjedhjet e vitit 1969, kurse një vit pas zgjedhjeve e ‎themeloi Partinë e statutit kombëtar. Së shpejti, partia e tij politike u ndalua, gjoja për shkak ‎të shkeljeve të normave të laicizmit.‎

Erbakani në vitin 1972, e themeloi Partinë e shpëtimit kombëtar, me të cilën një vit më vonë ‎doli në zgjedhje dhe fitoi 51 ulëse parlamentare në Kuvend dhe u emërua në postin e ‎zëvendëskryeministrit të Turqisë. Mirëpo, pas grusht shtetit ushtarak në vitin 1980, ‎Erbakani përfundoi në burg dhe partia e tij u ndalua.‎

Por Erbakani nuk u dorëzua. Pasi u lirua nga burgu, ai në vitin 1983, e themeloi Partinë e ‎Prosperitetit (Partinë Refah), me të cilën fitoi në zgjedhjet e vitit 1995, dhe u bë kryeministër ‎i Turqisë. Mirëpo, kreu ushtarak sërish e shpalli atë si kërcënim ndaj laicizmit dhe Erbakani ‎u detyrua ta lërë postin e tij, edhe pse një nga parimet më të rëndësishme të laicizmit është ‎respektimi i vendimit të votuesve në zgjedhje.‎

Erbakani nuk ishte larg nga jeta e muslimanëve dhe popujve muslimanë, kishte qëndrime ‎të qarta anti-izraelite dhe me sukses ndërmjetësoi në mosmarrëveshjet mes muxhahidëve ‎në Afganistan. Erbakani nuk ishte një prej halifëve të cilët sundonin shtetin musliman, ai ‎ishte musliman në një shtet laik, i cili Islamin e shihte si kërcënim. Në atë vend dhe në një ‎mjedis të tillë, Erbakani punonte dhe vepronte, të cilin kritikët e tij nuk e kuptonin. Sepse ‎ne jemi shpesh të prirur për kritika, edhe pse nuk e dimë realitetin dhe rrethanat në të cilat ‎njerëzit e tjerë jetojnë.‎

Në këtë kuptim, është edhe tregimi këshillues për drurin dhe gozhdën. ‎

Në realitet thuhet se druri i kishte thënë gozhdës: “Shiko çka më ke bërë dhe çfarë vrime ‎më ke shkaktuar.” Kurse gozhda ishte përgjigjur: “Sikur ta shihje ti forcën e goditjeve në ‎kokën time, sigurisht do të më kishe justifikuar.”‎

Është e vërtetë se Turqia sot po i korr frytet që i ka mbjellë Erbakani, në një kohë kur për ‎pranim në ushtrinë turke shikohej se a ka në gjunjët (pantallonat) e kandidatit gjurmë të ‎faljes, përkatësisht nga bërja e sexhdes, dhe tek ai i cili vërenin gjurmë të tilla, ai largohej ‎me procedurë të shpejtë.‎

Edhem Sherkavi

Përktheu: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit