Falënderimi i takon Allahut, i Cili thotë në librin e Tij të shenjtë: “Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (xhennet).” (Junus: 25)
Paqja, mëshira dhe përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, i cili u dërgua mëshirë për gjithë njerëzimin dhe thoshte: “Vërtet unë jam mëshirë e dhuruar për ju”.
Allahu i Lartësuar përmes Islamit deshi që njerëzit të jetojnë në paqe, harmoni, siguri dhe mëshirë të ndërsjellë, ndaj edhe shpalli Kur’anin dhe dërgoi Profetin Muhamed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në mënyrë që njerëzit të mësojnë sa më mirë se si të jetojnë të lumtur, si dhe e veçoi këtë fe me shumë vlera për të cilat njerëzit kanë nevojë në çfarëdo kohe apo vendi që jetojnë.
Një nga faktorët kryesorë që e mban këtë fe të ngritur lart ndaj çdo feje e çdo ligji botëror është mëshira e saj, e cila nuk kufizohet vetëm ndaj njeriut, por është për çdo krijesë, madje kjo mëshirë tejkalon krijesat për të mbuluar bimët, pemët dhe gjithë ambientin jetësor.
Mirëpo nëse shikojmë gjatë gjithë historisë, prej që kur ka ardhur Islami e deri në ditët e sotme, do të shohim që këto vlera të Islamit shumë pak janë vlerësuar nga jomuslimanët, madje në shumë raste ata i kanë shpërfillur këto vlera dhe kanë luftuar kundër tyre, e ndoshta shumë herë këto vlera i kanë konsideruar gjëra të rrezikshme, të cilat duhen zhdukur sa më shpejt.
Koha që jemi duke jetuar është argumenti më i përshtatshëm për këtë që them. Ka humbur peshorja e drejtë dhe gjërat kanë dalë jashtë peshores njerëzore, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e muslimanëve, kudo që janë ata.
Gjaku i muslimanëve sot është bërë shumë i lirë, ata mbyten, masakrohen, përdhunohen anekënd botës, madje edhe pse të vrarë dhe të rraskapitur, prapë faji është i tyre, prapë ata janë të rrezikshëm, prapë qengji konsiderohet ujk ndërsa ujku qengj dhe jo për diçka tjetër, por për shkak se janë paqësorë, solidarë dhe të mëshirshëm, sepse sot gjuha e mëshirës nuk ka vend, andaj nëse dëshiron të jesh i respektuar dhe i nderuar në këtë shekull, atëherë patjetër duhet të jesh tiran ose zullumqar i tepruar, përndryshe do të mbetesh gjithmonë i nënçmuar.
Edhe pse po zhvillohen luftëra të shumta kundër muslimanëve në të gjithë botën, prapëseprapë ato qenkan të pakta për gjakëpirësat e pangopur, prandaj çdo ditë dëgjojmë për masakra dhe vrasje të reja.
Lajmi më i fundit pikëllues që jemi duke përjetuar është vrasja dhe masakrimi i muslimanëve të pafajshëm në rajonin Erakan të shtetit të Burmas, madje me heshtjen e “bereqetshme” të botës së rrejshme demokratike.
Shteti i Burmas ka 50 milionë banorë, 15% prej tyre janë muslimanë dhe gjysma apo 70% e tyre jetojnë në rajonin e Erakanit. Islami ka filluar të depërtojë në Erakan përmes tregtarëve muslimanë që në kohën e tabiinëve, Erakani për herë të parë u bë shtet islam nën udhëheqjen e mbretit Sulejman Shah dhe ky shtet islam zgjati tre shekuj, nga viti 1430 deri në vitin 1784.
Në vitin 1784 shteti islam rrëzohet nga budistët, me në krye mbretin e tyre Budabaj, i cili rajonin Erakan e bashkon me shtetin e Burmas që të ndalojë përhapjen e Islamit në këtë vend. Me rrëzimin e shtetit islam në Erakan, përfundon edhe mëshira dhe bashkëjetesa në këtë vend, saqë përveç vrasjeve të njerëzve, budistët shkatërruan çdo gjë që kishte lidhje me Islamin, duke filluar nga xhamitë e deri tek shkollat në të cilat mësonin muslimanët.
Në vitin 1942 muslimanët e këtij vendi prapë u bënë viktimë e budistëve, të cilët vranë ç’u doli përpara, gra, fëmijë dhe pleq, saqë numri i të vrarëve i kaloi 100 000, ndërsa qindra mijëra të tjerë u detyruan të emigronin në shtete të tjera.
Skenat e tmerrshme ndaj muslimanëve të Burmas nga budistët u përsëritën shumë herë, pasi në vitin 1978 u dëbuan nga Burma 300 000 muslimanë, po ashtu në vitet 1991-1992 u dëbuan edhe 300 000 të tjerë.
Në vitin 1982 shteti i Burmas vendosi të tërheqë kombësinë për të gjithë muslimanët dhe që nga ajo datë muslimanët e Burmas janë të regjistruar në shtet vetëm si emigrantë duke mos pasur të drejtë të posedojnë as pasaportë.
Por jo vetëm kaq, shteti duke u munduar t’i lërë mbrapa muslimanët në aspektin e diturisë dhe përparimit, i ndaloi të vazhdojnë studimet në shkolla të larta apo fakultete, por edhe shkollat fillore që kanë themeluar vetë nuk kanë leje zyrtare nga shteti, ndaj edhe diplomat që dalin nga ato shkolla konsiderohen të pavlefshme.
Zullumi i budistëve nuk mbaron me kaq. Nga frika se numri i muslimanëve po shtohet çdo vit nga lindjet e shumta, nxorën një ligj që i ndalon femrat muslimane të martohen para moshës 25-vjeçare, ndërsa meshkujve u ndalohet martesa para moshës 30-vjeçare. Me këtë ligj ata jo vetëm që dëshirojnë të pakësojnë lindjet mes muslimanëve, por në të njëjtën kohë synojnë të përhapin tek ata amoralitetin.
Masakrat ndaj muslimanëve atje nuk kanë të ndalur as në këtë shekull, pasi para dy muajsh, saktësisht në datën 8/6/2012, budistët masakruan një grup hoxhallarësh duke i prerë ngadalë-ngadalë për së gjalli me thika dhe me shufra të helmuara.
Kjo masakër ishte vetëm nismë e këtij tmerri, ngase ata pastaj mbytën dhe shkatërruan fshatra të tëra, duke vrarë njerëzit e pastaj duke ua djegur shtëpitë. Atyre që shpëtuan nga mbytja nuk u mbeti tjetër vetëm se të emigrojnë në Bangladesh apo shtete të tjera ngase nuk u mbeti vend ku të kthehen. Vrasja dhe shpërnguljet ende janë duke vazhduar.
Lexues i nderuar!
Kam ndjenjën që këto informacione të tmerrshme që lexove të duken si ndonjë film në televizion, por unë të arsyetoj nëse mendon kështu ngase nuk ke pasur ku të informohesh për të vërtetën, pasi Perëndimi që pretendon demokracinë, hesht dhe nuk ngre as zërin më të vogël për të drejtat e tyre, ndaj edhe nuk flitet për ta në mediat e njohura botërore të kontrolluara nga qeveritë e ashtuquajtura demokratike.
A thua ku janë ata zëra që vijnë nga Perëndimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut? Apo ndoshta ato ligje nuk ekzistojnë kur bëhet fjalë për muslimanët? Me këtë masakër doli në shesh edhe për njerëzit më naivë demokracia e rrejshme e Perëndimit hipokrit, i cili natë e ditë ulërin për promovimin e të drejtave të njeriut, madje mendojnë se aq larg kanë shkuar saqë kanë bërë ligje edhe për të drejtat e kafshëve, por raste të tilla po na tregojnë fytyrën e vërtetë dhe hipokrizinë e madhe që fshehin.
Ngjarja e Burmas më kujtoi edhe luftën e vitit të kaluar në fshatin Demmaxh të Jemenit, një fshat me 5000 studentë nga e gjithë bota, të cilët kishin shkuar të mësonin tek dijetarët e Jemenit, saktësisht tek nxënësit e dijetarit të madh Mukbil Ibën Hadit, Allahu e mëshiroftë. Atë qendër të dijes e sulmuan shiitët e Jemenit të përkrahur nga Irani për shkak se aty përhapej Islami i pastër burimor dhe vranë me dhjetëra studentë të dijes, të cilët nuk kishin kurrfarë faji veçse kishin ardhur aty të mësonin fenë e pastër. Dhe për çudi – e çudirat janë bërë të shumta- nga studentët e vrarë kishte nga shtete të ndryshme të Evropës dhe Amerikës, por edhe pse u lajmëruan edhe ambasadat e tyre në Jemen, prapëseprapë nuk ndërmorën asgjë, madje heshtën sikur të mos kishte ndodhur asgjë!
Subhanallah! Pse mundohen të tregohen të drejtë, të mëshirshëm edhe ndaj kafshëve, kurse njerëzit i mbysin sikur të mos kishin vlerë as sa kafshët? Apo ndoshta kafshët kanë më shumë vlerë tek ata sesa muslimanët? Si duket kjo është e vërteta, madje nuk gjej ndonjë përgjigje tjetër për të komentuar gjendjen e tyre mizore, hipokrite dhe shtazarake.
Të flasësh për një vrasje apo vetëvrasje me javë dhe muaj, por të heshtësh për masakra, torturime, dhunime nuk është asgjë më pak veçse mizori dhe gjenocid dhe pas gjithë kësaj të pretendohet për të drejtat e njeriut, vallahi edhe bil-lahi edhe tall-llahi kjo gjendje ta mbyt zemrën nga mllefi nëse në zemër ka iman dhe Islam!
Ngjarja e Burmas dhe të gjitha rastet e tjera të masakrave, vrasjeve, luftrave që po bëjnë jomuslimanët ndaj muslimanëve janë vetëm vërtetim i fjalës së Allahut të Gjithëdijshëm, i Cili thotë: “Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe.” (Alu Imran: 118). Por a thua kur do ta kuptojmë këtë ajet me kuptim të drejtë?!
Vërejtje: ky shkrim është publikuar për herë të parë në vitin 2012, por e publikova prapë duke parë realitetin e hidhur atje.
Xheladin LEKA
Zyrih (Zvicër)