Këshilli Kombëtar i Muslimanëve Kanadezë (NCCM), njoftoi se po mbledh nënshkrime për një peticion sipas së cilit kërkohet intervenimi i kryeministrit Justin Trudeau pasi një mësuese muslimane në provincën Quebec u largua pasi mbante shami në klasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një ligji të provincës, ndalohet mbajtja e simboleve fetare nga shumica e nëpunësve publikë gjatë punës, duke specifikuar shaminë, kippah (kapela tradicionale që mbajnë hebrenjtë), turbanin dhe kryqin.
NCCM, bashkë me Shoqatën Kanadeze të Lirive Civile, po përpiqen të anulojnë ligjin përmes gjykatave për shkak se vlerësojnë se shkel të drejtat themelore njerëzore. NCCM gjithashtu tha se ligji me pa të drejtë shënjestron gratë muslimane.
Debati rreth ligjit u intensifikua pasi mësuesja Fatemeh Anvari u largua nga puna javën e kaluar. Mustafa Farooq, drejtori ekzekutiv i NCCM-së, në një deklaratë për AA tha se Anvari është “një grua e guximshme nga Quebec-u e cila u largua nga pozita e saj si mësuese pasi kishte guximit të mbajë shaminë në shkollë”.
“E vërteta e turpshme është se ajo nuk është e para, e as nuk do të jetë e fundit, përderisa ligji është në fuqi”, theksoi Farooq.
Ai gjithashtu tha se rasti gjyqësor është zhvendosur në Gjykatën e Apelit në Quebec “në luftën për të hequr këtë ligj të urryer”.
Përderisa Trudeau deklaroi se nuk është çështje e provincës t’u tregojë njerëzve çfarë të veshin, NCCM dëshiron që ai të veprojë më fuqishëm dhe po mbledh nënshkrime në një peticion që do të ndihmonte në përpjekjet për të bërë të detyrueshëm intervenimin e qeverisë dhe deputetëve.
“Nënshkruani peticionin tonë që i bën thirrje kryeministrit të intervenojë në sfidën tonë ligjore”, tha Farooq në një deklaratë, duke shtuar: “Avokimi juaj parimor po funksionon dhe deputetët po fillojnë të ngrenë zërin për të kërkuar nga kryeministri që të bëjë gjënë e duhur. Le ta bëjmë këtë tani”.
Ai gjithashtu u shpreh se nuk do të ndalojnë “në gjykata, në media, në rrugë” derisa ligji të anulohet.