Autoritetet indiane kanë arrestuar një të ri si pjesë e një bande që sulmoi dje katër të rinj muslimanë në tren. Kur u pyet për veprimin e tij para kamerave televizive, ai deklaroi se e kishin nxitur të tjerët në këtë akt me pretekstin se muslimanët hanë mish viçi.
Sulmi, në të cilin humbi jetën një musliman 16-vjeçar i quajtur Xhuneid Khan, ndodhi dje në shtetin indian të Harjana-s, dhe në të morën pjesë rreth 20 agresorë.
Hindutë e konsiderojnë lopën si të shenjtë dhe në disa shtete indiane therrja e tyre ndalohet.
Sipas policisë lokale, gjatë përplasjes ishin përdorur edhe fjalë ofenduese ndaj fesë çka e kishte ndezur edhe më tepër situatën.
Babai i viktimës tha se para sulmit, agresorët kishin filluar t’i përqeshnin katër të rinjtë muslimanë për shkak të veshjes së tyre tradicionale.
“Ata panë që ne mbanin një pako ushqimesh në duar dhe na thanë të zbrisnim nga treni sepse në të kishte mish viçi. Megjithëse iu tha disa herë që ushqimi nuk përmbante mish viçi, ata vazhduan të sulmonin pa u ndalur me thika në duar”.
Nuk është e para herë që muslimanët në Indi vriten nga hindutë me arsyen e mbrojtjes së lopëve. /tesheshi.com/