Në bazë të të dhënave të OKB-së në Bangladesh kanë arritur mbi 27 mijë muslimanë të Arakanit, ndërkohë që pritet ardhja edhe e 20 mijë të tjerëve
ARAKAN (AA) – Ndërsa ushtria e Mianmarit vazhdon operacionet të drejtuara kundër civilëve, muslimanët e Arakanit shpëtimin e kërkojnë në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).
Një numër i madh i muslimanëve të Arakanit të cilët janë duke ikur nga sulmet, po lëvizin në drejtim të kufirit me Bangladeshin.
Në kushte shumë të vështira, me valixhe në shpinë, ata ecin në këmbë nëpër siparfaqe me ujë duke bartur edhe fëmijët me vete.
Në bazë të të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Bangladesh kanë arritur mbi 27 mijë muslimanë arakanas, ndërkohë që pritet ardhja edhe e 20 mijë të tjerëve.
Organizata të shumta të cilat merren me të drejtat e njeriut në mesin e të cilave edhe Amnesty International (AI), masakrat në Arakan i kanë konsideruar gjenocid, ndërkohë që reagime të ashpra kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të botës.
Zëdhënësja e Këshillit të Evropës, Anita Schung, tha të hënën se ushtria e Mianmarit gjatë sulmeve treditore në Arakan, ka vrarë mes dy dhe tre mijë muslimanë.
Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve nga Kombet e Bashkuara, muslimanët Rohingya janë pakica kombëtare më e persekutuar në botë. Muslimanët Rohingya nuk kanë shtetin e tyre dhe jetojnë me të drejta shumë të kufizuara.