3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Muslimanët e Amerikës dhe Amerika e muslimanëve: ç’u tha dje gjatë një xhumaje në New England të Bostonit

Më të lexuarat

Falja e të premtes (xhumaja) është në traditën e Islamit një institucion i cili kërkon kapërcimin e  socializimit nga kufijtë e ngushtë familjarë apo shoqërorë. Është një rit që kërkon të ndërtojë kozmopolitanizëm qoftë edhe në një xhami fshati apo lagjeje. Riti i xhumasë e mbrun solidarizimin me kritere të farkëtuara moralisht, dhe jo me kritere që lidhen me prejardhjen, statusin social, gjininë apo ngjyrën. Falja e xhumasë është në vetvete një organizim ku ti me shumë gjasë do të takohesh me një të huaj, i cili do të të ulet pranë dhe do të falet si ty, paçka që  mund të jetë i ndryshëm. Dhe ti, autoktoni, dhe ai, i ardhuri, jeni të dy të urdhëruar të dëgjoni ligjërimin e drejtuesit të xhamisë dhe ta kryeni ritin deri në fund. Ky quhet adhurim i detyruar javor, që i kërkon muslimanit të shmangë çfarëdolloj pune dhe të jetë i pranishëm.

Me këtë lloj qasjeje do ta fillonte ligjëratën e tij drejtuesi i xhamisë më të madhe në New England, në Bostonin e Harvard-it dhe MIT-it, intelektuali dhe imami i njohur Yasir Fahmy. Atmosfera e kësaj të premteje ishte e veçantë. Tek hyje në xhami ishin dhjetëra shtetas amerikanë që përshëndesnin me pankarta në duar, “Ju nuk jeni të huaj” apo “Keni të gjithë mbështetjen tonë”. Ata ishin të qeshur dhe miqësorë. Ndërkohë, muslimanët, tek hynin në xhami, i falënderonin të ardhurit për t’u solidarizuar me ta. Në fakt, ky solidarizim, dhe kjo mbështetje, është një vlerë e mbrujtur në vite në shoqërinë amerikane, gjë për të cilën ata kanë të drejtë të mburren dhe të luftojnë për ta mbrojtur.

Pikërisht në këtë betejë për këto të drejta, imam Fahmy do të nënvizonte se kanë qenë muslimanët me ngjyrë ata të cilët kanë kontribuar jo pak. Ligjërimi i tij merrte shkas nga situata e rënduar si rezultat i urdhrit të ndalimit nga presidenti Trump për shtetasit e shtatë shteteve me shumicë muslimane; një urdhër që u rrëzua nga Gjykata e Apelit në fillim të shkurtit. Imam Fahmy do të thoshte se muslimanët nuk duhet të shqetësohen dhe t’i shikojnë problemet e tyre ngushtësisht e vetëm kur diçka i prek interesat e tyre të ngushta. Ai rikujtoi se mjaft të drejta që sot i gëzojnë shumë muslimanë, dhe jo vetëm, vijnë si rezultat i një përpjekjeje shumëvjecare të komunitetit me ngjyrë në SHBA, e cila fillon me luftën kundër skllavërisë.

Historia e muslimanëve në Amerikë daton që në vitin 1178. Por prania e tyre do të rritej masivisht në vitin 1530, kur mbi dhjetë milionë skllevër do të merreshin forcërisht për të punuar në plantacionet e pambukut. Sipas disa statistikave, gati 30% e tyre mendohet të vinin nga vende muslimane të Afrikës Perëndimore.  Pra, historia e të drejtës së skllevërve, dhe sidomos zezakëve, është një betejë që lidhet me përpjekjen e muslimanëve të hershëm me ngjyrë për t’i fituar këto të drejta që amerikanët i mbrojnë me këmbëngulje sot. Muslimanët kanë marrë pjesë gati në të gjitha ngjarjet e mëdha që e kanë shoqëruar historinë amerikane, që nga luftërat civile e gjer tek i ashtuquajturi revolucion amerikan. Do të ishte Maroku i pari shtet që do ta njihte pavarësinë e SHBA-së në vitin 1777. Në dhjetor të vitit 1805, Thomas Jefferson do të shtronte mbase iftarin e parë presidencial  për përfaqësuesit e shtetit të Tunizisë. Opinionet mbi Islamin do të ndikonin edhe mbi hartuesit e kushtetutave të para, siç ishte ajo e Pensilvanisë në 1776-n. Disa presidentë, si George Washington, Benjamin Franklin, John Adams dhe Thomas Jefferson, do të shpreheshin pozitivisht për të drejtën e ushtrimit të besimit nga muslimanët, si një e drejtë kushtetuese që lidhet me lirinë e besimit.

Imami i nderuar Yasir Fahmy do t’i referohej dhe rastit kur një dijetar i njohur do të vinte si skllav dhe do të punonte mbi 30 vite në plantacionet e shtetit të Xhorxhias, ku më pas do të ndërtonte aty dhe një xhami. Ai la një dorëshkrim në gjuhën arabe, që deri vonë mendohej se ishte testamenti i tij pasuror. Por më pas do të zbulohej se ai kishte shkruar rregullat që lidheshin me faljen (fikhu) sipas shkollës juridike të mendimit Maliki.

Në fund, imam Fahmy do ta mbyllte me një mesazh thelbësor, që lidhet me rolin e muslimanëve dhe ndjesinë e tyre në SHBA. Muslimanët dhe Islami nuk janë të huaj në këtë vend, dhe Amerika nuk duhet konsideruar si e tillë nga muslimanët. Reagimi i shoqërisë amerikane ndaj urdhrit administrativ të presidentit Trump ka qenë mbresëlënës. Gati në të gjitha shtetet, shoqëria ka dalë në mbrojtje të muslimanëve, të cilët nuk bëjnë dallim nga shtetasit e tjerë të besimeve të ndryshme. Ndërkohë, dhe muslimanët amerikanë duhet ta mbrojnë vlerën e multikulturalizmit dhe të tolerancës, që më së shumti promovohet nga Kur’ani dhe tradita profetike. Imami i nderuar do të citonte thënien e Profetit, i cili deklaronte për Selman al Farsi se ai ishte nga familja e tij, paçka se Selmani vinte nga Persia.

Në mbyllje të ligjërimit të tij, imam Fahmy do t’i udhëzonte besimtarët të lexonin me dhjetëra kartolina të dërguara nga komuniteti i Bostonit në mbështetje të muslimanëve, duke nënkuptuar se nëse sot shoqëria amerikane solidarizohet me muslimanët amerikanë në mbrojtjen kundër diskriminimit, nesër muslimanët amerikanë, sikurse paraardhësit e tyre, duhet të kontribojnë në forcimin e kësaj vlere që mbron kohezionin social të shoqërisë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit