1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Musliman, por i padijshëm!

Më të lexuarat

Bahri Curri

Allahu subhanehu ve teala kërkoi prej besimtarëve që të jenë të bindur denjësisht në fenë e Tij, dhe ta konfirmojnë jetën e tyre me këtë besim në çdo segment të jetës. Për këtë dhe definicioni i besimit islam është besimi i tundur me zemër, deklarimi me gojë, vërtetimi me vepra në praktikë.

Andaj, dhe obligimi i parë i njeriut është njohja e Allahut, pra kërkimi i diturisë sikur që thotë Allahu subhanehu ve teala në Kur’an:

”Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruaj me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alak, 1-5)

Ku përmes studimit të natyrës dhe fenomeneve në të t’ua bëjë të qartë realitetin e krijimit, obligimin e besimit në Allahun si dhe vërtetësinë e Kur’anit, ku thotë:

“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten  e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)

e pastaj thotë:

“Atëherë, dije se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd!” (Muhammed, 19)

Pas njohjes së Allahut, me të cilën arrin bindje të fortë, ai është i vetëdijshëm për besimin e tij dhe ka qëndrim stoik në të, e kupton vërtetësinë e tij si dhe pranon pa mëdyshje çdo lajm, urdhër, e ndalesë nga Zoti,  Allahu thotë:

“A është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall ty nga Zoti yt është e vërtetë, si ai që është i verbër? Vetëm njerëzit e arsyeshëm që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën.” (Rra’d, 19)

Ai është i bindur se:

“…E Allahu patjetër do t’i udhëzojë ata që besuan (përqafuan) në rrugën e drejtë.” (Haxhxh, 54)

dhe se:

“Allahu largon dëmet e idhujtarëve ndaj atyre që besuan, se Allahu nuk e do asnjë tradhtarë e bukëpërmbystë.” (Haxhxh, 38)

dhe se:

“Allahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë.” (Bekare, 257)

dhe se:

“Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët.” (Nisaë, 141)

dhe e di poashtu se Allahu ka thënë:

“Atyre nga mesi i juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’u dhurojë siguri.” (Nurë, 55)

Për ta realizuar tërë këtë dhe për ta fituar shpërblimin e Allahut, për të cilin Allahu thotë:

“S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë xhenetet e Firdevsit. Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).” (Kehf, 107-108)

dhe

“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, për ata janë xhenetet e begatshme, që në to janë përgjithmonë. Premtimi i Allahut i prerë, e Ai është i Gjithfuqishmi, i Urti.” (Llukman, 8-9)

duhet përmbajtur ligjit të Tij të përcaktuar me Kur’an e Sunet, të cilat janë burimet kryesore të Sheriatit Islam, që për çdo çështje duhet kthyer në këto dy bazamente, siç thotë Allahu në Kur’an:

“O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të Dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrone atë te Allahu (te Libri i Tij) dhe te i Dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (Nisaë, 59)

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem është shpjegues i qartë i kësaj kushtetute hyjnore, dhe duhet ndjekur rrugën (Sunetin) e tij në çdo pikëpamje, Allahu për të thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Ahzabë, 21)

e poashtu thotë:

“Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (Nexhm, 3-4)

“…Çka t’ju jep Pejgamberi, atë merrnie e çka t’ju ndalojë, përmbanju dhe kinie frikë      Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër.” (Hashr, 7)

Poashtu edhe Pejgamberi alejhi selam thotë në hadithin e tij:

“Ua kam lënë dy gjëra, që nëse i përmbaheni nuk do të humbni asnjëherë, e ato janë Kur’ani dhe Suneti im.” (Transmeton Ebu Davudi)

Këto dhe argumente tjera, urdhërojnë ndjekjen e rrugës islame, ku për çdo bindje, fjalë e vepër duhet ta dimë dispozitën islame ndaj tyre, a është i lejuar, apo i ndaluar, a është prej fesë apo jashtë saj.

Për të tillët Allahu thotë:

“Ata janë, të cilët e zbatojnë besën e dhënë All-lahut dhe nuk e thyejnë zotimin.” (Rra’d, 20)

Mirëpo, megjithkëtë gjejmë sot te muslimanët një gjendje tjetër, që me keqardhje e themi se është e tmerrshme dhe në kundërshtim me parimet islame në të shumtën e rasteve.

Mosnjohja e mjaftueshme e Islamit e ka përfshirë pjesën më të madhe të vendeve të shumta islame, ku ekzistojnë mbi një miliard muslimanë në botë, shumë prej tyre edhe pse besojnë në Zotin xh.sh., e deklarojnë shehadetin, e falin namazin, agjërojnë, japin zekat, shkojnë në haxh, e duan Kur’anin dhe Pejgamberin alejhi selam, e ndoshta edhe jetën e flijojnë për këtë, por prej tyre dalin fjalë e kryhen punë që nuk përkasin me Islamin, e shpeshherë bien ndesh me vetë parimet kryesore të Islamit. Pra, pa vetëdije bien në shirk, kufër, nifak dhe bid’at. E disa këtë e konsiderojnë prej fesë dhe afrim te Zoti, e tërë kjo nga injoranca dhe mospajisja e duhur me njohuri islame. Për këtë nëse e shikojmë gjendjen e muslimanëve sot, kemi për të parë se kanë mbetur prapa dhe shumë të varur nga popujtë tjerë, në pikëpamje të dunjasë, në industri, tregti, bujqësi, teknikë, etj.

A thua, vallë pse tërë kjo prapambeturi jo vetëm në aspektin material, por madje edhe në atë fetar!?

Në aspektin fetar, ngase imani në zemrat e tyre është dobësuar hatashëm, kontakti me Allahun është gati si i panjohur, morali ka rënë shumë, kështu që filloi çrregullimi i familjeve dhe shoqërisë. Në atë mënyrë sa gjeneratat e reja e asgjësuan namazin, filluan t’i pasojnë epshet e tyre, filloi padrejtësia, mëkatet shtoheshin. Keqkuptimi e përleshja zunë vend në mesin e muslimanëve.

Vazhdon kjo gjendje sa është rritur tmerrësisht mosnjohja e fesë, dhe janë paraqitur bid’ate (novacione) e besime të kota, ku ndonjëri prej tyre thotë se jam musliman, dhe nuk ka se me çka ta tregojë veten musliman vetëm se me emër, e te disa ndoshta edhe me bid’ate duke i menduar prej fesë.

Muslimanët me këtë e humbën mirëkuptimin në mes vete dhe vëllazërinë, e me këtë e humbën edhe fuqinë, ku aty filloi edhe dekadenca, nga një gjendje e keqe në një gjendje gjithnjë më të keqe.

Duke e humbur fuqinë, u bënë të gatshëm pët t’iu nënshtruar jomuslimanëve dhe për të pranuar çdo gjë nga ata. Ku dihet fare mirë se jomuslimanët bëjnë përpjekje të shumta për pengimin e çdo përparimi të muslimanëve qoftë fetar, apo qoftë në aspekt të dunjasë. Madje, janë gjendur dhe disa të ashtuquajtur muslimanë, të cilët ndihmuan jomuslimanët kundër muslimanëve.

Prej përpjekjeve të vazhdueshme të armiqëve të Islamit kundër muslimanëve me qëllim të ngecjes së tyre prapa në aspektin fetar dhe të jenë sa më larg Kur’anit dhe Sunetit, janë edhe këto:

1. Zhvlerësimi dhe anulimi i ligjeve të Sheriatit në vendet muslimane.

2. Lufta kundër arsimimit fetar, mësimit dhe edukimit në shkolla, institucione e fakultete.

3. Formimi i partive ateiste, me detyrë të luftës kundër Dinit.

4. Inicimi dhe favorizimi i novacioneve, miteve, besimeve të kota dhe angazhimi me to në emër të Dinit.

5. Shthurja morale e personalitetit të gruas muslimane, shkatërrimi i familjeve muslimane, përhapja e e shfrenimeve dhe imoralitetit në shoqërinë muslimane.

6. Lufta kundër kuadrove të vetëdijshme dhe të zgjuara muslimane.

7. Mbjellja e përçarjes, moskuptimit, ndarjes dhe armiqësisë në mes të muslimanëve.

 

Ndërsa, për prapambetjen e tyre në aspektin e dunjasë kanë bërë edhe këto:

1. Vendosja e kufijve të përçarjes dhe të ndarjes në mes të muslimanëve.

2. Kontrollimi dhe dominimi mbi pasurinë e muslimanëve.

3. Përgatitja e gjeneratave nga bijtë muslimanë, të edukuar nën kontrollin dhe sipas misioneve krishtere dhe orientalistëve, me shpërlarjen e domosdoshme të trurit atyre bijve, që përparimi i muslimanëve nuk është përparim nëse nuk e nënkuptojnë luftën kundër Dinit, kundër Sheriatit dhe zëvendësimin e tij me ligjet pozitiviste, shthurjen morale të gruas muslimane nën parollën “emancipimi i femrës” dhe lirimi i saj nga prangat e moralit, të vlerave morale dhe ndershmërisë, e në anën tjetër të lejuarit e alkoolit dhe prostitucionit.

4. Armiqtë e muslimanëve me shkathtësi i bënë muslimanët të varur nga fabrikat dhe prodhimet e tyre.

 

E obligimi ynë është të kthehemi në Dinin e All-llahut, se Allahu xh.sh. thotë:

“…Dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.” (Haxhxh, 78)

e për këtë obligimi ynë dhe synimi i çdonjërit prej nesh (muslimanëve) është dhe duhet të jetë gjithmonë:

Thellimi dhe forcimi i imanit në shpirtrat tanë, përtëritja dhe forcimi i kontakteve me Allahun, arritja e sinqeritetit dhe të nënshtruarit në ibadetet tona, zbatimi i ligjeve të Allahut në jetën e përditshme, ngritja e moralit, si dhe edukimi i gjeneratave të reja në bazë të të gjitha këtyre vlerave.

E këto arrihen përmes:

1. T’i rikthehemi parimeve kur’anore dhe Sunetit të Muhamedit alejhi selam, të kuptuarit burimor të këtyre dy fundamenteve islame, mu ashtu si i ka kuptuar dhe praktikuar gjenerata e parë e muslimanëve (selefu salih).

2. Njoftimi i muslimanëve me fenë e tyre të vërtetë-Islamin, dhe thirrja e tyre në atë që të veprojnë sipas mësimeve dhe dispozitave të tij. Zbukurimi me vlerat edukativo-morale islame, të cilat kanë qenë pjesë e pandashme e gjeneratës së parë. Me këtë kanë arritur suksese, kënaqësi dhe famë.

3. Që muslimanët t’i largohen idhujtarisë (shirkut) me të gjitha llojet e tij, nga risitë (bid’atet), mendimet dhe idetë joislame, të cilat kanë penguar përparimin e muslimanëve.

4. Përtëritja e mendimit të lirë (ixhtihadit) në baza islame dhe shmangia e ngurtësisë ideore, e cila është bërë barrierë për realizimin e synimeve dhe planprogrameve islame.

5. Përpjekje me mish e me shpirt për formimin dhe jetësimin  e Shoqërisë Islame, ku do të zbatohen dispozitat e ligjit të Allahut  xhele she’nuhu.

 

E me këtë i thërrasim të gjithë muslimanët që këtë emanet ta çojmë së bashku në vend dhe kështu Islami të lulëzojë anekënd botës !!!

Shkaku i përparimit në dunja qëndron në aftësinë dhe efikasitetin e shfrytëzimit të të mirave materiale që i ka dhënë All-llahu në tokë.

E për të arritur këtë duhet:

1. Arritja sa më e madhe e diturisë,  përvojës teknike dhe fuqisë së vyeshme e të aftë punëtore.

2. Sigurimi i mjeteve dhe promaterialit.

3. Ndërtimi i fabrikave dhe vendosja e tregut për plasimin e mallrave të prodhuara.

4. Vendosja e sistemit të drejtë, i cili stimulon prodhimin, pengon padrejtësinë dhe dukuritë e ndryshme të keqpërdorimeve e të mashtrimeve.

 

Këto shkaqe, e në të cilat na nxitë feja jonë, janë disa nga dukuritë në të mirën tonë dhe na afrojnë tek Allahu subhanehu ve teala duke e ditur se kjo është edhe nevojë e jona e përditshme. E nëse nuk i përfillim, ashtu si është realiteti sot, do të detyrohemi t’i përulemi kafirëve, gjë që këtë nuk e dëshiron asnjë musliman i denjë!

Muslimanët, të cilët nuk e dinë qëndrimin e Islamit ndaj disa çështjeve duhet pyetur dijetarët, ngase ata janë njerëz kompetentë dhe që i njohin vendimet e Sheriatit.

Për këtë urdhëron Allahu xh.sh.:

“Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini!” (Nahl, 43)

Dijetarët me ixhtihadin dhe hulumtimet e tyre ua sqarojnë besimtarëve dispozitat e Sheriatit dhe ua tregojnë formën e zbatimit në jetën e përditshme gjithnjë duke e realizuar qëllimin e synuar, për të cilin jemi krijuar, Allahu xh.sh. thotë:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56)

 

Allahu na urdhëroi që t’i bëjmë ibadet vetëm Atij e askujt tjetër.

E çka është ibadeti (adhurimi i Allahut)?

Ibadeti është emër që përfshinë çdo gjë që Allahu e do, që është i kënaqur me të dhe që na ka urdhëruar. Pra, zbatimi në praktikë i urdhërave të Allahut është ibadet si dhe largimi nga çdo gjë që na e ka ndaluar është ibadet. Poashtu edhe zakonet e përditshme (veprimet e rëndomta) si ushqimi, pija, frymarrja, vethmbathja, gjumi etj. nëse synohet me to nënshtrimi ndaj Allahut, ato janë ibadet.

Një vepër që nuk i kushtohet vetëm Allahut, apo nuk është në pajtim me urdhërat e Tij, dhe që nuk është bërë nga nxitja e dashurisë ndaj Allahut dhe nënshtrimit ndaj Tij, nuk është ibadet.

Megjithkëtë, që të pranohet ibadeti ekzistojnë dy kushte:

  1. Sinqeriteti i plotë ndaj Allahut.

Ibadeti duhet të bëhet sinqerisht vetëm për Allahun dhe synimi i këtij është arritja e kënaqësisë së Allahut. Allahu thotë:

“E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” (Bejjine, 5)

 

  1. Pasimi me konsekuencë i të Dërguarit alejhi selam.

Ibadeti i tillë duhet të bëhet në atë mënyrë si i është shpallur Pejgamberit sa-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe ashtu si e shpjegoi dhe praktikoi në jetë. Allahu xh.sh. thotë:

“Thuaj (o Muhamed): Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31)

I Dërguari thotë:

“Kush shpik në çështjen (fenë) tonë diç që nuk është prej saj, ajo nuk pranohet.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

poashtu thotë:

“Gjithë Ummeti im do të hyjë në xhenet, përveç atij, i cili refuzon. E kush është ai, i cili refuzon, o i Dërguari i Allahut?! Ai u përgjigj: Ai, i cili më nënshtrohet hyn në xhenet, e kush bën mëkat ndaj meje (nuk më nënshtrohet), ai veç refuzon të hyjë në xhenet.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Duhet që të gjithë së bashku të thërrasim, punojmë dhe realizojmë këtë qëllim të lartë, në mënyrë që ta kryejmë obligimin tonë, ngase edhe Allahu thotë:

“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi. Keni dro dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide, 2)

E na tërheq vërejtjen nga pasimi i kafirëve:

“O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre që iu është dhënë libri, ata, pas besimit tuaj, do t’ju kthejnë në mosbesimtarë.” (Ali Imran, 100)

Dhe lavdëron muslimanët:

“Dhe ashtu (sikur ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush.” (Bekare, 143)

“E, dinie se në mesin tuaj e keni të Dërguarin e Allahut. Sikur ai t’ju dëgjonte juve në shumë çështje, ju do të pësonit vuajtje, por Allahu juve ua bëri të dashur besimin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, ua bëri që t’i urreni. Të tillët janë ata që gjetën rrugën e drejtë. Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut, e Allahu është i dijshëm dhe i urtë.” (Huxhuratë, 7-8)

Në fund themi:

“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh.” (Ali Imran, 8)

Dhe thërrasim:

“Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përulnju Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbanju asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e dini!” (Zumer, 54-55)

Allahu është Poseduesi i Vetëm i suksesit!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit