-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Mushkolaj: Dedaj të shkarkohet, e jo të shpërblehet me post ambasadori

Më të lexuarat

Deklaratat e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme (MPJ), Gjergj Dedaj, i cili ka fyer shtetin turk, po cilësohen si skandaloze nga ana e njohësve të proceseve politike në vend.

Ndërsa, edhe më i papranueshëm vlerësohet paralajmërimi se Dedaj mund të emërohet ambasador në një vend fqinj të Kosovës.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Telegrafin se për shkak të këtyre deklaratave Dedaj do të duhej të ishte shkarkuar automatikisht.

Mushkolaj ka theksuar se pozita e zëvendësministri është e rëndësishme në qeverinë e vendit, dhe thirrja, sipas tij, për dëbimin e serbëve e turqve nga Kosova është skandaloze, raciste dhe duhet dënuar ashpër.

Ai ka folur edhe për mundësinë që Dedaj të emërohet si Ambasador i Kosovës në ndonjë shtet tjetër, duke theksuar se nuk duhet t’i jepet një mundësi e tillë. “Për më tepër, atij nuk duhet t’i jepet shans në asnjë mënyrë për përfaqësimin e Kosovës jashtë”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ndryshe, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, Turqinë dhe Serbinë i ka cilësuar si “shtrigat e Ballkanit”, të cilat sipas tij, synojnë rikthimin strategjikë në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Ai ka theksuar se “mbetjet e këtyre sundimtarëve duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit”.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, sipas tij, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë. Deputetët e Grupit 6+ kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që deri në fund të javës ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.

Në kërkesën e deputetëve të Grupit 6+ thuhet se Dedaj ka fyer, ofenduar dhe nënçmuar komunitetin turk. “Në Kosovë shekuj me radhë kanë jetuar komunitetet me tolerancë dhe harmoni ndëretnike dhe fetare”. “Por deklarata e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, me deklaratat e tij nënçmuese, fyese dhe përçarëse i k ofenduar komunitetin turk”, thuhet në kërkesën e Grupit 6+.

Andaj, siç thuhet më tej, “ne si deputetë të kërkojmë që deri në fund të javës të bëhet shkarkimi i zëvendësministrit të punëve të jashtme, Gjergj Dedaj”. Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj, kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj.

Madje, deputetët turq kërcënojnë se nëse kryeministri nuk e shkarkon Dedajn, koalicioni qeverisës nuk do t’i ketë votat e Grupit Parlamentar “6+”. Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar partitë në pushtet për shkelje të ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50 për qind në emërime politike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit