-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Musafi i Othmanit (r.a.), më i vjetri në botë

Më të lexuarat

Nexhat Ibrahimi

Historikisht, Kur’ani është libri më i studiuar nga myslimanët dhe jomuslimanët. Prandaj, edhe tentimi ynë është në vazhdën e shkrimeve që kanë për qëllim të hedhin dritë në temën e Kur’anit, respektivisht musafit më të vjetër në botë. Me këtë rast nuk do të shkruajmë për Kur’anin si shpallje e Allahut (xh. sh.) dhe aspektet e tij, por do të përpiqemi të ofrojmë të dhëna historike rreth Kur’anit apo musafit më të hershëm, në mënyrë që një ditë të thuhet edhe fjala e fundit për këtë temë, në bazë të analizave dhe valorizimit shkencor të autenticitetit të musafit më të vjetër.

Kur’ani, si libri i fundit i shpalljes qiellore, ka qenë dhe ka mbetur libri më i lexuar dhe më i shtrirë i historisë së deritashme. Ai filloi të shpallet në vitin 610 hixhrij, apo 13 vjet para hixhretit. Shpallja zgjati gati 23 vjet. Muhamedi (a.s.) e pranonte shpalljen pjesë-pjesë, varësisht nga nevojat apo rrethanat fetare-historike, nga Xhibrili (a.s.). Këtë shpallje Muhamedi (a.s.) ua përcillte besimtarëve, tërësisht dhe burimisht, kurse ata e memorizonin e shënonin dhe e aplikonin në namazet dhe lutjet e tyre.

“Dhe (ta shpallëm) Kur’anin që Ne e ndamë pjesë-pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.” (El-Isra’, 106).

Pas shpalljes, Muhamedi (a.s.) e thirrte Zejd in Thabitin dhe ia diktonte tekstin e shpallur, i urdhëronte ku ta vendoste dhe ndalonte që gjërat tjera te shkruhen që mos të shkaktonte huti te muslimanët e rinj. Është fakt historik se tërë Kur’ani është shkruar në fragmente, si nga Zejd ibn Thabiti, sekretari zyrtar për të shkruar shpalljen, ashtu edhe nga as’habët e tjerë: Enes in Maliku, Ubejj ibn Ka’bi, Muadh ibn Xhebeli, Ebu Zejdi etj. Duke e marrë parasysh se në vijim shpesh do të përdoret fjala musaf, në vazhdim do ta shpjegojmë këtë shprehje dhe do të vazhdojmë me shpjegimet historike.

Fjala musaf(1), mendohet se është fjalë me prejardhje etiopiane, që do të thotë kod dhe me këtë propozim doli Ibn Mes’udi(2), kurse sipas mendimit të leksikografëve arabë do të thotë fletë, kur janë të lidhura mes dy kapakëve.(3)

Ngjashëm e përkufizon edhe Ahmed fon Denfer, kur thotë se “musaf (shumësi masahif) shënon suhufet e mbledhura, të bashkuara me një rend të përcaktuar, në një vëllim të vetëm me dy kapakë.”(4)

Musafi e ka prejardhjen nga koha e Ebu Bekrit (r.a.) dhe Omerit (r. a.). Ky i dyti, për shkak të paraqitjes së luftërave rebeluese dhe luftërave kundër disidentëve islamë, ku vdiq një numër i madh hafëzësh Kur’ani, i propozoi Ebu Bekrit të bëhet tubimi, kodifikimi i Kur’anit, respektivisht të bëhet tubimi i të gjitha fragmenteve të teksteve të shkruara të Kur’anit në një vend, që të kemi një burim autentik, i cili do të jetë kriter për të gjithë njerëzit dhe për të gjithë shembujt e mëvonshëm.(5)

Kjo punë që iu besua Zejdit dhe ekipit të tij u krye për një vit dhe për këtë na lajmëron Buhariu hollësisht. Ky ekzemplar fillimisht u ruajt tek Ebu Bekri (r.a.), e pastaj tek Omeri (r.a.). Mirëpo, pas vdekjes së tij më 644 / 24 h, ky musaf u ruajt te vajza e tij Hafseja, bashkëshortja e Muhamedit (a.s.)6.

Gjatë tubimit të fragmenteve kur’anore kujdesi sidomos u vendos në momentet vijuese:

a) Identiteti i tekstit të përcaktohet nëpërmjet shumë shembujve të shkruar, sikur edhe nëpërmjet memories së shumë hafëzëve, para së gjithash as’habë të Pejgamberit (a.s.).

b) Miratohet vetëm ai tekst i cili në shumë mënyra është konfirmuar si origjinal.

c) Verifikimi përfundimtar ka qenë publik, në vend publik, me praninë e masës, d.m.th. ixhmai-ummetit.

d) Teksti i kodifikuar përfshinte të gjitha dialektet (kiraetus-seb’ati).

Ky tekst ishte i përdorshëm gjatë kohës së Ebu Bekrit (r.a.), Omerit (r.a.) dhe një pjesë të Othmanit (r.a.).

Mirëpo, për shkak të përhapjes së Islamit në mënyrë marramendëse, kemi edhe probleme normale në drejtleximin dhe drejtshqiptimin e Kur’anit, si pasojë e futjes së popujve e gjuhëve të ndryshme në gjirin islam. Disa fjalë të Kur’anit filluan të lexohen në disa mënyra, e kjo shkaktoi fërkime dhe kontestime të gjalla. Kjo e detyroi komandantin e madh mysliman Hudhejfe ibn Jemam, cili atëbotë ishte në krye të ushtrisë muslimane në Armeni e Azerbajxhan, t’i propozojë kalifit të tretë, Othmanit (r.a.), të ndërmerrte të gjitha hapat rreth Kur’anit, që mos të ndodh me të ajo që ndodhi me Tevratin dhe Inxhilin.

Othmani (r.a.), për arsye thuajse të njëjta sikur edhe me rastin e tubimit të Kur’anit, e formoi një grup njerëzish në krye me Zejd ibn Thabitin, Abdullah in Zubejrin, Sa’d ibn El-Asin dhe Abdullah ibn Harithin që ta recensojnë Kur’anin nga kopja e kodifikuar më herët, që gjendej te Hafseja (r. anha), e veja e Muhamedit (a.s.), dhe të shumëzojnë disa kopje duke i shkatërruar të gjitha kopjet e tjera. Ky shembull është shkruar sipas dialektit kurejshit, atë të Muhamedit (a.s.), duke iu shmangur joharmonikë dialektore të fiseve.

Duhet theksuar se shkrimi arab ka qenë ai i stilit kufik, i cili do të jetë edhe rreth 600 vjet në dominim, kur do të përdoret edhe ai nes’h, apo hixhazik. Nuk kemi të dhëna sa kopje amë janë shkruar. Ka mendime se ato janë katër e disa thonë shtatë. Megjithatë, specialistët e kësaj teme thonë: janë shkruar gjashtë kopje: Mekë, Medinë, Basër, Kufë, Damask dhe një kopje Othmani (r.a.) e mbajti për vete.(7)

Është interesant se Othmani (r.a.) këtë ndërmarrje e kompletoi në mënyrën më të mirë, kur me çdo kopje të musafit e dërgoi edhe nga një specialist që konkretisht do ta demonstrojë leximin dhe nuk do të lejojë përçarje dhe me të drejtë kopjet e shumëzuara do të quhen burimore dhe do të shërbejnë si El-Mus`haf’ul-imam. Të tillë ishin: Zejd ibn Thabiti u dërgua në Medinë, Abdullah ibn Saib në Mekë, Ebu Abdurrahman Es-Selami në Kufë etj.(8)

Të shohim praktikisht disa ajete me shkrimin klasik kufik të Othmanit (r.a.) dhe të shkrimit arab bashkëkohor.

Me kalimin e kohës, numri i kopjeve do të rritet nga shkruesit e shpalljes (kuttab’ul-wahji), varësisht nga shtrirja e muslimanëve në Lindje dhe në Perëndim të botës së atëhershme dhe varësisht nevojave të tyre.(9)

Megjithë paraqitjen e shtypit dhe shumëzimit të musafit në mënyra më të lehta e më të shpejta, arti i dorëshkrimit të Kur’anit asnjëherë nuk u konsumua dhe gjithnjë u mbijetoi sfidave të kohës, sepse muslimanët kishin motive të shumëfishta me dorëshkrimet e reja: ata e shkruanin për qëllime devotshmërie, prehje shpirtërore, por edhe tregtie e ekonomike etj.

Shkencëtarët e ndryshëm, e sidomos ata që e duan të lashtën, gjithnjë kanë hulumtuar se cila është kopja apo kopjet më të lashta të Kur’anit. Ka shumë mendime e supozime, por historianët dhe shkencëtarët e historisë së Kur’anit supozojnë se musafi më i lashtë në botë është ai i kalifit të tretë, të Othmanit (r.a.). Rrjedh nga shekulli VII dhe supozohet se e ka shkruar vetë hasreti Othmani (r.a.) në vitin 650-651, 19 vjet pas vdekjes së Muhamedit (a.s.). Disa njolla që gjenden në ekzemplarin e këtij musafi supozohet se i përkasin gjakut të Othmanit (r.a.), i cili ishte duke e lexuar Kur’an kur u vra mizorisht nga ana e rebelëve muslimanë.(10)

Mund të konstatohet se ky version i tekstit të Kur’anit, i njohur si Musaf i Othmanit (r.a.), përbën në fakt ixhmanë (pajtimin) e as’habëve, të cilët ishin të gjithë dakord se ai përmbante gjithçka që Muhamedi (a.s.) kishte sjellë si shpallje nga Allahu.(11)

Në vazhdim nuk do të flasim për historikun e redaktimit të Kur’anit, për historinë e ortografisë së Kur’anit, as për aspektet e tjera, por do të shtrojmë disa mendime për vetë musafin që e njohim si Musaf i Othmanit (r.a.) dhe për ecejaket e tij historike deri në ditët tona, duke i dhënë disa fotografi të këtyre ekzemplarëve nga muzetë e ndryshëm.

Një ekzemplar i ngjashëm nga koha e Othmanit (r.a.), mbase i shkruar edhe nga vetë Othmani (r.a.), supozohet se gjendet në Muzeun Top-Kapi të Stambollit. Ky ekzemplar mendohet se erdhi në Stamboll nga autoritetet turke më 1915, prej nga u transferua në Berlin te mbreti Villiam, gjatë Luftës së Parë Botërore (nuk dihen arsyet e qarta përse Musafi ndodhej atje). Por, me vendimin e Traktatit të Versajës, neni 246, thuhet: “Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi të këtij traktati, Gjermania do t’i rikthejë Madhërisë së Tij, Mbretit të Hixhazit, Kur’anin origjinal të kalifit Othman, i cili u mor në Medinë nga autoritetet turke dhe pohohet t’i jetë paraqitur ish-perandorit Uilliam II.”12 Por, kjo kopje mbeti në Stamboll dhe jo në Medinë. Për këtë informacion flet edhe Muhammed Tahir Abdulkadir El-Kurdi: “Gjatë kohë kam kërkuar nëpër bibliotekat e Hixhazit dhe Egjiptit gjurmën e

dorëshkrimeve kur’anore të Othmanit (r.a.) dhe nuk kam gjetur informacione të besueshme për këtë, por kam lexuar në revistën e Kajros ‘Bota dhe çdo gjë tjetër’ të dt. 24.08.1938 se Gjermania e atëhershme do t’ia kthejë Arabisë Saudite shembullin origjinal të Kur’anit të Othmanit, të cilin pushteti turk e dërgoi nga Medina dhe për të cilin është konfirmuar se i është dorëzuar mbretit gjerman Villiam.”(13)

Po ashtu, supozohet që një ekzemplar tjetër i Musafit të Othmanit (r.a.) gjendet edhe në xhaminë e Husejnit (r.a.) në Kajro dhe sipas pamjes, është ruajtur mirë deri më sot. Shkrimi i këtij musafi është i stilit të vjetër, megjithëse kufi, dhe ka shumë mundësi të jetë kopjuar nga Musafi i Othmanit.(14)

Disa autorë më skeptikë pohojnë se përkundër faktit se në këtë xhami ekzistojnë dy kopje të lashta të musafit të Kur’anit, asnjëri nuk i plotëson kriteret e rrepta shkencore për të qenë i kohës së Othmanit (r.a.)(15).

Emin El-Hanxhiu në veprën e tij Menxhem’ul-umran, kur flet për shënimet e Ibn Batutës pohon se personalisht në qytetin Basër të Irakut ka parë një ekzemplar të Musafit të Othmanit (r.a.). Ky ekzemplar më vonë është grabitur nga Basra dhe është dërguar në Samarkand, e pastaj vonë në Petrograd etj.(16)

Lidhur me këtë lidhet edhe një rrëfim, ai i Ibn Kutejbes nga shekulli IX, i cili në veprën e tij Ujun’ul-ahbar thotë se ekzemplarin e Musafit të Othmanit (r.a.) e ka trashëguar i biri i tij Halidi dhe se ky ekzemplar ka qenë në Tus afër Samarkandit.(17)

Dijetarët flasin edhe për ekzemplarin që gjendej në xhaminë e Pejgamberit (a.s.). Ibn Xhubejr El-Endelusi rrëfen në udhëpërshkrimin e tij të vitit 1184 se në haremin e Pejgamberit (a.s.) ka ekzistuar dorëshkrimi i Musafit të Othmanit (r.a.). Edhe Shibli Nu’mani nga viti 1334 pohon se ky ekzemplar ka ekzistuar. Kurse Es-Semhudi pohon se ky ekzemplar në vitin 1256 është shpëtuar nga zjarri që ndodhi në Xhaminë e Pejgamberit (a.s.). Ky ekzemplar lidhet me kopjen e cila më vonë do të gjendet në Gjermani.(18)

Shkencëtarët gjithashtu supozojnë se pas vdekjes së Othmanit (r.a.), kalifi IV besimdrejtë, Aliu (r.a.), këtë musaf e dërgoi në qytetin e njohur të Kufës, në Irak.(19)

Në këtë qytet musafi u ruajt rreth 700 vjet.(20)

Por, cili është ekzemplari i Tashkentit?

Disa dijetarë mendojnë se kopja e Tashkentit është ajo e Damaskut. Edhe pse jo e plotë, për shkak se disa njerëz e kanë grabitur ndonjë faqe për ‘bereqet’, ai paraqet raritet të vërtetë. I shkruar në lëkurën e gazelës (antilopës), me shkrim kufik. Kishte 353 faqe, çdo fletë nga 2 faqe, respektivisht kishte gjithsej 706 faqe.

Madhësia e fletëve të tij ishte 28 cm dhe me gjerësi 53 cm.(21)

Mirëpo, kur pushtuesi mongol i Azisë Qendrore, Timur Lenku (1336–1405), e pushtoi një pjesë të perandorisë muslimane, ndër të tjera e gjeti këtë kopje të Musafit, e mori me vete në qendrën rezidenciale për ta dekoruar zyrën dhe pallatin e tij në qytetin e bukur të Samarkandit. Tek ai (dinastia e tij) ky ekzemplar qëndroi rreth 400 vjet.(22)

Pas pushtimit të Samarkandit nga ana e Rusisë më 1868, sunduesi rus e mori këtë kopje dhe e vendosi në Bibliotekën Mbretërore në Sant-Petersburg të Rusisë.

Një orientalist rus në një përshkrim të hollësishëm të tij thotë se “shumë faqe ishin të dëmtuara, e disa të tjera të humbura”.(23)

Më 1905 këtij musafi iu bë një faksimile, rreth 50 faqe nga S. Pisareff. Një kopje iu dërgua Sulltanit osman Abdulhamid, një Shahut të Iranit, një Emirit të Buharës, në Afganistan, në Fes dhe disa personaliteteve të rëndësishme muslimane. Një kopje ndodhet tashmë në Bibliotekën e Universitetit të Kolumbisë në SHBA.(24)

Më vonë V. I. Lenini, diktatori komunist rus, e dërgoi këtë ekzemplar, me kërkesë të muslimanëve, në Uf, në Bashkortostanin modern. Pas shumë kërkesave të muslimanëve të Tashkentit, kjo kopje u kthye në Azinë Qendrore, në qytetin Tashkent, në pjesën e vjetër të qytetit, në vitin 1924. Në këtë qytet gjendet edhe sot ekzemplari i Musafit të Othmanit (r.a.). Kjo pjesë e qytetit quhet Hast-Imam, dhe ka edhe disa objekte të tjera me rëndësi historike për historinë islame. Biblioteka ku ruhet edhe sot ky musaf ka edhe 20 mijë libra dhe rreth 3 mijë dorëshkrime.

Sigurisht që rusët kanë bërë kopje të këtij musafi për nevojat e tyre, por edhe SHBA në vitin 1980 e shtypën këtë musaf, me parathënie dyfaqeshe prej dijetarit Muhammed Hamidullah.(25)

Hartuesi i veprës History of the Musaf of Uthman in Tashkent (Historia e Musafit të Othmanit në Tashkent) ofron një varg provash për autenticitetin e dorëshkrimit:

1. Fakti që Musafi është shkruar me një shkrim të përdorur në gjysmën e parë ose në shekullin e parë të Hixhretit;

2. Fakti që është shkruar mbi një pergamenë gazele, ndërkohë që më vonë Kur’anet janë shkruar në fletë të ngjashme me letrën;

3. Fakti që nuk ka shenja diakritike, të cilat u shfaqën rreth dekadës së tetë të shekullit të parë; rrjedhimisht, dorëshkrimi duhet të jetë shkruar para kësaj kohe;

4. Fakti që nuk ka simbole zanoresh të nxjerra për herë të parë nga Duali, i cili vdiq në vitin 68 të Hixhrit; rrjedhimisht ai është më i hershëm se kaq.(26)

5. Si vlerë e jashtëzakonshme, si raritet, ekzemplari i Musafit të Othmanit (r.a.) është i mbrojtur nga UNESCO.

____________________________

1. Fjala mus’haf gjendet në Kur’an (87, 11) me kuptimin e dokumenteve apo të fletëve të shkruara. Sipas: Ahmed fon Denfer, po aty, 48.

2 Sipas Es-Sujutiu, El-Itkan, fi ulum’il-Kur’an, I, fq. 69, sipas: Enes Karic, Tefsir – Uvod i tefsirske znanosti, Sarajevë, 1995, fq. 20-21.

3 Sipas: Nerkez Smailagic, Leksikon Islama, Sarajevë, 1990, fq. 445.

4 Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 48.

5 Subhi Salih konsideron se rebelimi i disa fiseve beduine, e sidomos luftërat kundër Musejlime Kedhabit në vitin 12 hixhrij në Jemame, shkaktuan vdekjen e mbi 70 hafëzëve të Kur’anit dhe kërcënimin për humbjen e Kur’anit. Shih gjerësisht: Subhi Salih, Mebahith fi ulum’il-Kur’an, Bejrut, 1968, fq. 74.

6 Abdurahman Hukic, Taskentski osmanski rukopisni Kur’an, në: Dzemaludin Latic, Terminologija tefsira, libri 9, Sarajevë, 2005, fq. 372.

7 Abdurahman Hukic, po aty, fq. 372-373.

8 Abdurahman Hukic, po aty, fq. 375.

9 Nerkez Smailagic, Leksikon Islama,, ibid., fq. 445.

10 Rebelët ndër fajet e Osmanit (r.a.) përmendën edhe shumëzimin e Kur’anit, por Aliu (r.a.) përmendi se “sikur këtë mos ta kishte bërë Uthmani, do ta bëja unë.” (Lew lem jef’al dhalike Uthmanu le fealtuhu ene). Sipas: Mehmed Hanxhiq, Hyrje në shkencën e tefsirit, Shkup, 1417/1997, fq. 34.

11. Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 62.

12. Ibid., fq. 70.

13. Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 376.

14. Source: BBC News, Translated by Eddin, në:

http://www.bosanskialim.com . Krhs.: Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 69.

15 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 377.

16 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 375-376.

17 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 376.

18 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 377.

19 Source: BBC News, Translated by Eddin, në: http://www.bosanskialim.com .

20 Një burim tjetër pohon se një kopje e musafit gjendet në qytetin Nexhef të Irakut. Është shkruar me shkrim kufi dhe mbi të shënohet: “Ali ibn Ebi Talibi e shkroi atë në vitin 40 të Hixhrit”. Sipas: Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 72.

21 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 377.

22 Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 378-379.

23 Sipas: Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 71. Sipas: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 378.

24 The Muslim World, Vëll. 30 (1940), fq. 357-358, sipas: Sipas: Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 71.

25 Sipas: Ahmed fon Denfer, po aty, fq. 71. Shih: Abdurrahman Hukic, po aty, fq. 378.

26 Ibid., fq. 72.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit