-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mundësia për të qenë mëkëmbës i Zotit në tokë!

Më të lexuarat

Kur’ani na nxit ta trashëgojmë Tokën, duke dhënë më të mirën tonë për të ndërtuar vlera e dobi për jetën mbi të! Në këtë kontekst, të gjithë jemi të përfshirë në këtë Thirrje të shenjtë, në veçanti prijësit fetarë dhe pushtetarët e përkohshëm.

Të parët, pra, prijësit fetarë, duke ruajtur kufijtë e misionit të shenjtë të udhëzimit të njeriut, si dhe duke u bërë përhapës të së mirës dhe harmonisë, larg fanatizmit të verbër, larg mendësive të dominimit a përçmimit të tjetrit, kushdo qoftë ai, larg tendencave që krijojnë cytje të panevojshme, veprimi i të cilave hedh poshtë krejt punën e mirë të ndërtuar me përkushtim e shembull qytetërues!

Nuk ka asnjë vlerë tek Zoti, asnjë mur i vdekur, para një komuniteti, që duhet mëkuar me frymën e paqes dhe harmonisë, në rrugëtimet e një jete të shkurtër, aq sa Zoti e ka shkruar për njeriun mbi Tokë!

Të dytët, pra, pushtetarët, duke respektuar fillimisht vetveten, duke mos kaluar kufij që nuk duhen kaluar e prekur në marrëdhënie me të tjerët e, mbi të gjitha duke shërbyer me përulësi për popullin dhe hallet e tij!

Përderisa nuk i zgjidhim problemet e të rinjve; me ligje të qarta dhe të mbara për arsimin e lartë, krijimin e mundësive për zhvillimin e arsimimit në kushte bashkëkohore, zgjidhjen përfundimtare të problemeve të banimit, krijimin dhe hapjen e mundësive të punësimit, lehtësimin e rrugëve për krijimin e familjeve të reja, miratimin e ligjeve të prera kundër abortit selektiv, por jo vetëm, përpjekjes së vazhdueshme për eliminimin e papunësisë, për shfrytëzimin e pasurive me të cilat na begatuar Zoti; “nuk do të nderohemi në botë, as do të nderohet feja e jonë dhe, kjo është një e vërtetë e hidhur”, që duhet ta themi me të madhe, duke iu bashkuar krejt zërave të qytetëruar që me dinjitet kërkojnë ndryshimin e të keqes së përhapur në masë dhe heqjen e barrave mbytëse, të padrejta dhe krejtësisht korruptive nga jeta e shqiptarëve, për të cilat kemi tërhequr vëmendjen prej vitesh nëpërmjet predikimeve, thirrjeve të shumta dhe këshillimeve komunitare, në kontekstet e hakut të shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës dhe jetës me dinjitet mbi të!

Prandaj, kur njeriut i paqtohet zemra dhe i piqet mendja, kur i rriten ndjenjat dhe i ndizet arsyeja, i ekuilibrohet mendja dhe zemra; kështu ai bëhet i mundur për të qenë mëkëmbës i Zotit mbi Tokë!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Nga fjala e përgatitur për konferencën ndërfetare me temë: “Të mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”, Shkodër, më 11 dhjetor 2018)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit