-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

“Muhamedi i vogël”- tregim i vërtetë nga historia e inkuizicionit në Andaluzi

Më të lexuarat

Me 2 janar 1492 ka rënë Granada, qyteti i fundit i kalifatit islam në Andaluzi. …

Pastaj vazhduan torturat e tmershme të inkuzicionit për eleminimin e Islamit dhe të myslimanëve.

“Muhamedi i vogël” – Tregim i vërtetë nga historia e inkuizicionit në Andaluzi.

Shejkh Ali Tantavi

Atë kohë isha i vogël. Nuk kuptoja asgjë prej asaj që ndodhte fshehurazi, por shikoja babanë (Allahu e mëshiroftë), të shqetësuar dhe fytyrëzverdhur. Sa herë që kthehesha prej shkollës i lexoja ato që kisha mësuar prej “Librit të shenjtë” dhe çfarë kisha mësuar prej gjuhës spanjolle. Pastaj, ai më linte dhe largohej për në dhomën e tij në fund të shtëpisë, në të cilën nuk lejonte njeri të hynte. Qëndronte për orë të tëra brenda. Nuk e di se çfarë bënte aty, pastaj dilte prej saj me sy të skuqur, sikur të kishte qarë shumë. Qëndronte ditë të gjata duke më vështruar me hidhërim dhe keqardhje. Lëvizte buzët, sikur ai që do të flasë. Sapo u përgatisja për ta dëgjuar, më sillte shpinën dhe largohej nga unë pa më thënë asnjë fjalë.
Sa herë që nisesha për në shkollë, nëna më përcillte e mërzitur e me sy të përlotur. Më puthte fort me mall, duke mos u ngopur prej meje. Më thërriste përsëri, më puthte për së dyti dhe nuk më lëshonte, përveçse duke qarë. Gjithë ditën ndjeja ngrohtësinë e lotëve të saj në faqet e mija. Mahnitesha prej të qarit të saj, duke mos e ditur shkakun përse vepronte kështu. Pastaj kur kthehesha nga shkolla më priste me keqardhje dhe e përmalluar, sikur unë t’i kisha munguar me dhjetëra vite. Shikoja nënën dhe babanë që largoheshin prej meje duke pëshpëritur me njëri-tjetrin, jo në gjuhën spanjolle. Nuk e njihja dhe as nuk e kuptoja atë gjuhë. Kur u afrohesha ndalonin bisedën, më largonin dhe fillonin të flisnin mes tyre spanjisht. Habitesha dhe njëkohësisht ndjeja dhimbje. Fillova të dyshoj me vetën time, sa arrita të mendoj se ndoshta nuk isha fëmija i tyre. Sikur unë të isha fëmijë i gjetur në rrugë, gjë që më shtonte dhimbjen. Strukesha në një qoshe të shtëpisë larg tyre dhe mbytesha me hidhërim duke qarë.
Dhimbjet zgjatnin për shumë kohë, saqë më bënë një natyrë ndryshe nga ajo e fëmijëve të tjerë të moshës time. Nuk përzihesha me ta në lojëra dhe dëfrime, madje i braktisja dhe largohesha prej tyre. Ulesha i vetëm, vendosja kokën mes krahëve dhe zhytesha në mendime. Përpiqesha të gjej zgjidhje… derisa vinte e më merrte për mënge të këmishës prifti, për të lexuar uratat në kishë.
Ishte nata e pashkëve. Granada ishte e zhytur në pije dhe në ndriçim. E kuqja ndriçonte me qirinj dhe drita. Kryqet nxirreshin nëpër dritare dhe kambanore.
Në mes të natës më thirri babai, ndërkohë që njerëzit e shtëpisë ishin të gjithë fjetë. Më mori në heshtje për në dhomën e tij, për në vendin e tij të shenjtë. Zemra filloi të më dridhej dhe u shqetësova, por e mbajta veten dhe u forcova. Kur hyra në mes të dhomës, ai e mbylli mirë derën dhe filloi të kërkonte diçka për të na ndriçuar. Qëndrova në errësirë disa çaste, që për mua ishin më të gjata sesa vitet. Pastaj ndezi një kandil të vogël që e mbante në dhomë. U solla rreth vetes dhe pashë dhomën bosh, pa pasur gjë në të, prej asaj që unë kisha përfytyruar. Nuk kishte gjë tjetër vetëm një rrogozë, një libër të vendosur në raft dhe një shpatë të varur në mur.
Më uli në atë rrogozë dhe qëndroi i heshtur duke më parë me habi, sikur unë të isha me një njeri të huaj në një vend të frikshëm në mes të natës. Ndjeva sikur unë isha shkëputur nga bota, të cilën e lashë prapa kësaj dere dhe kisha kaluar në një botë tjetër. Nuk mund ta përshkruaj atë që ndjeva në ato momente. Pastaj babai më mori dorën me dashuri e butësi dhe me zë të trembur më tha:
“Biri im! Ti tani je dhjetë vjeç dhe je bërë burrë. Do të tregoj një sekret që e kam mbajtur të fshehtë larg teje. A mundesh ta mbash në kraharorin tënd, t’ia fshehësh nënës, familjes, shokëve dhe gjithë njerëzve të tjerë?
Një shenjë e vetme prej teje për zbulimin e këtj sekreti, do ta ekspozojë trupin e babait tënd për një dënim të xhelatëve të inkuizicionit.
Sapo dëgjova “inkuizicion” u drodha nga maja e kokës deri në fund të këmbëve. Me të vërtetë isha i vogël, por unë e dija se çfarë ishte inkuizicioni, sepse shikoja çdo ditë viktimat e tij, duke shkuar e duke u kthyer nga shkolla, (burra duke u kryqëzuar, ose duke u djegur, e gra të varura për flokësh derisa të vdisnin, ose të çara për barkut të tyre). Heshta dhe nuk iu përgjigja.
Babai më tha: “Përse nuk përgjigjesh! A do ta mbash të fshehtë atë që do të të them” ?
I thashë: “Po”.
Tha: “Ta mbash të fshehtë qoftë edhe me nënën tënde dhe me njerëzit më të afërt që ke” ?
I thashë: “Po”.
Atëherë më tha: “Afrohu tek unë. Dëgjo me shumë vëmendje, sepse nuk mund ta ngre zërin lart. Kam frikë se mos muret kanë veshë dhe dëgjojnë, e më çojnë përpara inkuizicionit, ku mund të më djegin për së gjalli.”
U afrova dhe i thashë: “Po të dëgjoj me shumë vëmendje, babë”.
Më bëri me shenjë nga libri, i cili ndodhej në raft dhe tha: “A e njeh këtë libër, o biri im”?
I thashë: “Jo”.
Ky është libri i Allahut.
I thashë: “Libri i shenjtë, që e ka sjellur Jezusi, biri i Zotit” ?!
U shqetësua dhe më tha: “Jo, jo, ky është Kur’ani, libri i Allahu, Një e i Vetëm, i Pashoq, që s’ka nevojë për askënd, por të tjerët kanë nevojë për Të. I Cili nuk ka lindur dhe as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Të. Atë ia zbriti krijesës më të mirë, zotërisë së pejgamberëve të Tij, zotërisë tonë Muhammedit, të birit të Abdullahit, pejgamberit arab, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të”.
Hapa sytë prej habisë dhe pothuajse nuk kuptova asgjë.
Vazhdoi: “Ky është libri i Islamit. Islamit me të cilin Allahu dërgoi Muhammedin për mbarë njerëzimin! U shfaq atje, pas detit dhe stepave në shkretëtirën e largët dhe të thatë. Në Mekë, në popullin nomad, të përçarë, idhujtar e injorant. Ata i udhëzoi me këtë libër drejt teuhidit (njësisë), duke i dhënë me të unitet, forcë, dituri dhe qytetërim. Pastaj ata u nisën drejt Lindjes e Perëndimit, derisa arritën në këtë ishull, në Spanjë. Prunë drejtësi dhe u sollën mirë me njerëzit. U dhanë siguri jetës dhe pasurisë së tyre dhe qëndruan në këtë vend 800 vjet! Tetëqind vjet, duke e bërë vendin më të bukur dhe më të qytetëruar në të gjithë botën. Po, biri im, ne jemi myslimanë!
Nuk e mbajta gjuhën prej habisë, mahnisë dhe frikës dhe bërtita: – Çfarë jemi ne? Myslimanë?!
Ai tha: “Po, biri im. Ky është sekreti që doja ta transmetoja te ti. Po, ne jemi të zotët e këtij vendi. Ne i ndërtuam këto pallate, të cilat ishin tonat dhe u bënë të armikut. Ne i ngritëm këto minare, në të cilat dëgjohej zëri i myezinit, ndërsa tani dëgjohet këmbana. Ne i ndërtuam këto xhami, në të cilat myslimanët qëndronin në një saf (rresht) të vetëm përpara madhështisë së Allahut e përpara tyre imamët e ymmetit lexonin në mihrabe fjalën e Tij. Ndërsa sot, ato janë kthyer në kisha, ku priftërinjtë dhe meshtarët lexojnë Ungjillin!
Po, o biri im… ne jemi myslimanë. Ne, në çdo cep të tokës spanjolle kemi gjurmët tona dhe poshtë çdo pëllëmbe toke kemi eshtrat e gjyshërve, ose dëshmorëve tanë. Po, ne i ndërtuam këto qytete, ne i ngritëm këto ura, ne i shtruam këto rrugë, ne i hapëm këto kanale dhe ne i mbollëm këto pemë!
Por, që dyzet vjet.., a po dëgjon? Që dyzet vjet u mashtrua mbreti i dëshpëruar, Ebu Abdullahi i vogël, mbreti i fundit i këtyre viseve, prej premtimeve të spanjollëve dhe aleatëve të tyre, duke ia dorëzuar çelësat e Granadës e duke lejuar dhunimin e ymmetit dhe varret e gjyshërve të tij. Mori rrugën drejt Magribit për të vdekur atje, i vetëm pa njeri, i pastrehë, i braktisur. Na premtuan liri, drejtësi e pavarësi. Sapo morën në dorë fatin tonë, thyen të gjitha premtimet dhe krijuan inkuizicionin. Na futën në krishterim me dhunë, na imponuan me forcë të braktisim gjuhën tonë. Na i morën fëmijët për t’i bërë më pas të krishterë.
Ky është sekreti i asaj që shikon duke u fshehur në kryerjen e adhurimit, zemërimin tonë për fenë që poshtërohet dhe fëmijët që me dhunë i bëjnë të ndryshojnë fe.
Dyzet vjet, o biri im dhe ne durojmë gjithë këto tortura, të cilat nuk mund t’i mbajnë dot as gurët e malit, duke pritur triumfin e Allahut. Nuk i humbim shpresat, sepse humbja e shpresës është e ndaluar në fenë tonë, feja e fuqisë, durimit dhe sakrificës.
Ky është sekreti, o biri im! Prandaj ruaje dhe dije mirë se jeta e babait tënd është e varur prej buzëve tuaja. Pasha Allahun, nuk e kam frikë vdekjen, as nuk e urrej takimin me Allahun, por dua të qëndroj gjallë derisa të ta mësoj ty gjuhën dhe fenë tënde, e të të shpëtoj prej errësirës së femohimit, me dritën e besimit. Tani ngrihu dhe shko në shtratin tënd, o biri im”.
Pas kësaj, sa herë që shikoja ballkonet kuq, ose minaret e Granadës, me hipnin të dridhura të forta dhe ndjeja mall e zemërim, urrejtje e dashuri, që më mbushnin zemrën. Shumë herë tretesha në vetën time me orë të gjata dhe kur kujtohesha, sillesha rrotull kështjellës së kuqe duke i folur e duke e qortuar:
“O kështjella e kuqe! O ti e dashura e braktisur! A i ke harruar ndërtuesit e tu, të zotët e tu që të kanë ushqyer me shpirtrat dhe zemrat e tyre, që të kanë dhënë për të pirë nga gjaku dhe lotët? Dhe ti injorove besën që të dhanë dhe mohove dashurinë e tyre.
A i harrove mbretërit, të cilët shëtisnin nëpër madhështinë tënde, mbështeteshin pas shtyllave, duke të sjellë krenari e nder, bukuri e kënaqësi, ata, të nderuarit e krenarët? Të cilët kur flisnin, bota dëgjonte me vëmendje dhe kur urdhëronin koha përgjigjej se ishte e gatshme. A u miqësove me kambanat, pas ezaneve? A u kënaqe me meshtarët, pas imamëve”?
Pastaj kisha frikë se mos më dëgjonin spiunët e inkuizicionit dhe nxitoja duke u larguar për të mësuar gjuhën arabe që po ma mësonte babai. Edhe tani e kam parasysh se si më thotë të shkruaj germat e alfabetit, pranë të cilave më shkruante germat e arabishtes e më thoshte: “Këto janë shkronjat tona”! Më mësonte shqiptimin dhe shkrimin e tyre, pastaj më jepte mësim fetar, ku më mësonte abdesin dhe namazin për t’u falur së bashku, fshehurazi, në atë dhomë të fshehtë e të frikshme.
Frika ekzistonte gjithmonë nga shkaku se mos rrëshqisja dhe e shfaqja sekretin. Kështu, ai fuste nënën për të më sprovuar dhe ajo më pyeste: “Çfarë po të mëson babai”?
Prej mjeteve të torturave që inkuizicioni përdorte ishin prerja e gjymtyrëve me gjëra të mprehta.
Përgjigjesha: “Asgjë nuk po më mëson” !
Ajo thoshte: “Ti ke diçka që fsheh prej asaj që ai të mëson, prandaj mos ma fsheh mua”?
I thoja: “Ai nuk po më mëson asgjë”!
Derisa përsosa gjuhën arabe, kuptova Kur’anin dhe mësova shtyllat e fesë Islame, ai më njohu me një vëlla të tijin në fe. Mblidheshim të tre për ibadet dhe Kur’an.
Pas kësaj u rrit më tepër ashpërsia e inkuizicionit dhe u shtuan torturat ndaj pjesës tjetër të mbetur të arabëve. Nuk kalonte ditë që ne të mos shikonim njëzet ose tridhjetë të kryqëzuar, apo të djegur në zjarr për së gjalli. Nuk kalonte ditë pa dëgjuar për qindra e qindra të tjerë të torturuar, në mënyrat më të dhimbshme e më çnjerëzore. U shkuleshin thonjtë, e ata i shikonin me sytë e tyre. U jepej për të pirë ujë, derisa të mbyteshin. Këmbët e duart u digjeshin dhe gishtërinjtë u priteshin. Ua piqnin në zjarr, pastaj ua fusnin në gojë. Goditeshin me kamxhikë derisa mishi u binte përtokë.
Kjo gjë vazhdoi për kohë të tëra. Një ditë, babai më tha: “Ndjej, o biri im, se më është afruar exheli dhe kam dëshirë të bie dëshmor (shehid) nga duart e tyre. Ndoshta Allahu më jep xhennetin dhe të arrij fitoren e madhe. Në këtë botë nuk më ka mbetur dëshirë tjetër, pos asaj që të nxora nga errësira e femohimit dhe të ngarkova amanetin e madh, pesha e të cilit gati sa nuk më mbyti. Në qoftë se mua më godet diçka, bindu xhaxhait tënd dhe mos e kundërshto në asgjë”.
Ditët kaluan. Ishte natë e errët prej netëve të sekreteve. Papritur vjen xhaxhai. Më thirri dhe më urdhëroi të shkoj me të. Më tha: “Allahu na e ka lehtësuar një udhëtim për në Magrib, vend myslimanësh”! I thashë: “Po nëna dhe babai im”?
Më shikoi me ashpërsi dhe me forcë më tërhoqi prej dore duke më thënë: “A nuk të ka urdhëruar babai yt të më bindesh”?
Vazhdova me të i vogël, pa dëshirë, derisa u larguam nga qyteti, kur na përfshiu errësira tha: “Duro, o bir! Allahu ka shkruar për prindërit e tu lumturinë, nga dora e inkuizicionit”.
Kështu djali shpëtoi për në tokën e Magribit dhe u bë dijetar i madh. Ai është Shejkh Muhammed ibn Abdurefi Andaluzi, prej të cilit, (desh Allahu) njerëzit përfituan shumë prej botimeve dhe dijes së tij të gjerë.

Biografia e personazhit të tregimit:
Muhammed ibn Abdurefi Andaluzi: Muhammed ibn Abdurefi ibn Muhammed Sherif Husejnij Mersij Andaluzi. Jetoi në Tunis. Zerekliu përmend se në faqet e fundit të librit “El-Envar en-Nebevije”, është shkruar me shkrimin e tij: “Mbaruan së mbledhuri dhe së shkruari kapitujt e këtij libri, ditën e xhuma në Tunis, në vitin 1044, prej dorës së robit të Allahut, Muhammed Abdurefi Sherif Xhaferij Andaluzi Mersij. I vdekur, tarikat dhe medhheb malikij dhe i varrosur në njërën prej dy xhamive të shenjta, inshaAllah”. Vdiq në vitin 1052 h.

(Lavdrim Hamja)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit