MUFTIU I GOSTIVARIT PËR VIZITË URIMI NË BFI
Më datë 06.09.2023, e Mërkurë, në selinë e BFI-së në Shkup, Reisul Ulema, H. Hfz Shaqir Ef. Fetai i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, gjegjësisht nga drejtorët e ri në kabinetin e tij priti delegacionin e Muftinisë së Gostivarit të kryesuar nga muftiu, H. Sabahudin Ef. Zendeli me gjithë bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i kësaj vizite fisnike dhe të këndshme ishte të urojë Reisul Ulemanë për kuadrot e reja në Rijasetin e BFI-së. Muftiu H. Sabahudin Ef. Zendeli në emër të Muftinisë së Gostivarit dhe bashkëpunëtorëve të tij uroi Reisin dhe drejtorët e ri, dhe ju dëshiroi suksese në punën e tyre. Ai përgëzoi Reisul Ulemanë për këtë hap dhe tha se tani, me këtë përzgjedhje të kuadrove nga ana e Reisit, beson se do vazhdojë edhe më fuqishëm kjo ecuri e mbarë në punën e BFI-së. Muftiu shtoi më tej, se gjithmonë do jetë i gatshëm për bashkëpunim të hapur dhe Reisul Ulema, BFI me kuadrot e reja do kenë mbështetjen e plotë të Muftinisë së Gostivarit. Në shenjë respekti dhe mirënjohje Muftiu H. Sabahudin Ef. Zendeli, dhuroi një pikturë të bukur. Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai falënderoi përzemërsisht muftiun dhe bashkëpunëtorët e tij dhe e vlerësoi shumë këtë vizitë të bukur duke theksuar se tashmë BFI-ja në vende kyçe ka njerëz të ri me vullnet dhe elan për punë, njerëz që i takojnë brezit të ri dhe që me dinjitet dhe ndershmëri do i kryejnë detyrat e tyre dhe falë kësaj BFI po hyn në fazën e realizimit të shumë punëve dhe projekteve, pasi në kuadrot e reja sheh vullnet për punë, profesionalizëm dhe tipare të moralit dhe sinqeritetit, dhe sipas Reisit, këto janë shtylla që garantojnë sukses në punë. Reisul Ulema gjithashtu tha se drejtorët e ri kanë mbështetjen e tij të plotë dhe beson se me bashkëpunim dhe përkrahje nga të gjitha muftinitë e BFI-së do arrijmë t’i realizojmë të gjitha synimet tona për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në vend. Në fund të gjithë bashkërisht bënë disa foto, që do mbeten kujtim i bukur nga takimi.