2.8 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Muaji i Ramazanit, sezon i begatshëm për thirrje në Islam

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Thirrja apo ftesa e njerëzve për të pranuar Islamin është detyrë që ishte për të gjithë profetët dhe të dërguarit e Allllahut të Madhërishëm. Andaj nuk kishte asnjë prej profetëve dhe as prej të dërguarve që nuk ishte thirrës, mësues, udhëzues, qortues, këshillues i njerëzve dhe i popujve tek të cilët ishin dërguar.

Të gjithë ishin të thirrur të ftonin në njëshmërinë e Allllahut të Madhërishëm, andaj që të gjithë thoshin: “Që të adhuroni All-llahun se nuk keni zot tjetër përveç All-llahut.” Për këtë detyrë që kryenin, qoftë profetët apo edhe thirrësit sot, duhet t’ua bëjnë të qartë arsyen se përse e bëjnë këtë. E kjo është ashtu siç na mëson vetë All-llahu i Madhërishëm: “E Unë nuk ju kërkoj kompensim për këtë.”

All-llahu i Madhërishëm në një ajet thotë: “Dhe thirri në rrugën e Allahut me urtësi dhe atë që është më e mirë, debato me ta në formën më të mirë.” Po ashtu, në një ajet tjetër thotë “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të porta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët. “Fjala “për fakte të qarta” apo mbi një qartësi është per qellim dituria e dobishme dhe veprat e mira. Ndërsa në një arer tjetër All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kush thotë diçka më të mirë sesa ai që thërret në rrugën e Zotit, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam prej muslimanëve.”

Thirrja dhe të ftuarit e njerëzve në rrugën e All-llahut ka edukatën e saj, mjetet apo format e saj e padyshim që do të ketë edhe rezultatet e saj, por ne do të ndalemi vetëm në disa prej tyre që sipas nesh janë më kryesoret dhe më parësoret duke mos dashur të zgjerohemi shumë.

Prej edukatës së thirrjes janë:

– Sinqeriteti ndaj All-llahut të Madhërishëm, besnikëria me All-llahun e Madhërishëm dhe synimi i arritjes së mirësive që janë tek Ai. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ata nuk u urdhëruan për gjë tjetër vetëm se të adhurojnë All-llahun me sinqeritet, e feja është e Tij.” Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) në një transmetim të vërtetë na tregon se prej atyre me të cilët do të ndizet zjarri do të jetë: “Dijetari që ka kërkuar dije vetëm sa për t’u njohur si dijetar dhe që është njohur.”

– Të vepruarit e asaj në të cilën fton, pasi me të vërtetë nëse veprat bien në kundërshtim me fjalët, atëherë kjo është një mangësi e madhe dhe një turp i madh. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “A po i urdhëroni njerëzit në mirësi e po e harroni veten tuaj ndërsa ju e lexoni librin. A nuk jeni duke menduar?”

Një poet në lidhje me këtë thotë:

“O ti njeri që mëson të tjerët!

Ah, sikur ky mësim të ishte për veten tënde.

Ua jep ilaçin të sëmurëve dhe rënkuesve.

E ata shërohen, por ti je realisht i sëmuri.

Ah, sikur të filloje me shërimin e vetes tënde.

E nëse këtë do ta bëje do të ishte prej të urtëve.”

– Butësia në thirrje, në prezantimin dhe në ofrimin e Islamit tek njerëzit. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe thuajni atij fjalë të buta se ndoshta i bie ndërmend apo frikësohet.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.”
Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) të ketë thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni largoni .”

– Sistematizimi apo gradualiteti në thirrje. S’ka dyshim se duhet të fillohet nga më parësoret dhe më të rëndësishmet e të vazhdohet më tej ashtu siç kishte vepruar vetë Profeti (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) në thirrjen e tij dhe siç i kishte mësuar shokët e tij që t’i ftonin njerëzit në mënyrë sistematike dhe graduale. Në lidhje me këtë kemi shembullin e Muadhit (radijall-llahu anhu) kur u dërgua në Jemen nga Profeti (sallall-llahu alejhi ve sel-lem) e ndër porositë që i kishte dhënë ishte edhe kjo: “Ti je duke shkuar tek një popull që besojnë në librat e All-llahut të Madhërishëm, andaj fillo t’i ftosh ata në dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se unë jam i Dërguari i Tij, e nëse të përgjigjen në këtë, atëherë tregoju se All-llahu ka obliguar pesë kohët e namazit brenda ditës dhe natës.”

– Komunikimi me njerëzit sipas asaj që u përshtatet. Ndaj duhet të kemi kujdes që kur të flasim me njerëzit të mundohemi të flasim sipas nivelit të kuptueshmërisë dhe nivelit të mundësisë së tyre për të kuptuar atë që jemi duke i thënë dhe, po ashtu, duhet të kemi kujdes që njerëzve të mundohemi t’u ofrojmë atë për të cilën ata kanë nevojë. Pra, duhet pasur kujdes që kur flet me njerëz që janë nga zonat rurale duhet të flasësh me gjuhën që u përshtatet atyre, kur flet me njerëz që janë nga zonat urbane duhet të flasësh me tjetër gjuhë e, po ashtu, kur të flasësh me ata që vijnë nga zonat malore duhet të kesh kujdes të përzgjedhësh formën e të shprehurit që përkon me nivelin e tyre mendor, andaj duhet pasur parasysh se të arsimuarit kanë gjuhën e tyre, injorantët kanë gjuhën e tyre, akademikët kanë gjuhën e tyre, për ata që polemizojnë duhet biseduar në formë tjetër dhe për ata që janë afër udhëzimit duhet biseduar në një formë krejtësisht tjetër.

Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E kujt i është dhënë urtësi më të vërtetë i është dhënë mirësi e madhe.”

Prej mjeteve apo formave të thirrjes janë:

– Thirrja individuale. Kjo do të thotë se nëse një çështje është private apo i takon vetëm një personi, atëherë vetëm këtij personi i duhet drejtuar dhe duhet të bisedohet me të në mënyrë individuale dhe larg prezencës së njerëzve.

– Thirrja publike. Kjo zakonisht bëhet në formë të ligjërimeve të ndryshme, qoftë në xhami, në shkollë, në institucione të ndryshme ku për qëllim është që t’i drejtohet masës së caktuar të njerëzve.

– Mësime të veçanta apo specifike. Zakonisht përdoren për studentët, kërkuesit dhe nxënësit e dijes. Kjo zakonisht takon dijetarëve dhe atyre që luajnë rolin e prijësve fetarë. u

– Thirrja përmes shkrimeve, botimeve, librave, broshurave apo përmes dhuratave dhe shërbimeve të tjera për të cilat mund të ketë nevojë i thirruri apo i ftuari apo ai që kemi për synim ta thërrasim në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

– Thirrja përmes mjeteve moderne të komunikimit e në veçanti përmes rrjeteve sociale, andaj duhet që të shfrytëzohen në maksimum për të ftuar njerëzit në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

Prej rezultateve të thirrjes janë:

– Nderi dhe privilegji që të marrësh nga trashëgimia e të dërguarve dhe profetëve pasi ata kanë qenë thirrësit dhe ftuesit e parë në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, andaj është nder dhe privilegj për çdo besimtar që të renditet në të njëjtin rang e listë me ta.

– Kërkimi i faljes që bëhet nga krijesat e All-llahut të Madhërishëm për atë që u mëson njerëzve çfarë është e dobishme. Ku ashtu siç na ka treguar Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), në një transmetim të vërtetë, edhe peshku në det do të lutet dhe do të kërkojë falje për atë që u mëson njerëzve të dobishmen.

Përfitimi i shpërblimeve të mëdha dhe kjo bëhet varësisht nga numri i atyre që ke ftuar dhe që kanë vepruar me atë për të cilën i ke ftuar. Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) është vërtetuar të ketë thënë: “Kush fton në një të mirë do të ketë shpërblimin edhe të atyre që e pasojnë pa iu mangësuar asgjë askujt nga shpërblimi i tyre.”

– Kalimi i thirrësit nga pozita e të thirrurit në pozitën e thirrësit. Kështu do të mund të ketë ndikim tek të tjerët duke mos u ndikuar nga të tjerët e sidomos kur është fjala për thirrësit në rrugët e imoralitetit, të devijimit dhe lajthitjes.

-Udhëheqja e njerëzve në namaz dhe të pasuarit e t pasi All-llahu i Madhërishëm ka përshkruar të devotshmiduke treguar se ata vazhdimisht i luten All-llahut të Madhërishëm që t’i bëjë udhëheqës dhe prijës të të devotshmëve: “Dhe na bëj për të devotshmët prijës.”

Gjatë muajit të Ramazanit këto aktivitete për thirrjen në rrugën e All-llahut të Madhërishëm shtohen, andaj thirrësit ne rrugën e All-llahut janë më aktivë se asnjëherë më parë pasi e dinë se në këtë muaj zemrat janë të hapura dhe të përgatitura për të pranuar thirrjen e tyre, ndaj shohim aktivitetin e tyre të shtuar qoftë në ligjërime apo edhe në shkrime. Andaj mos e kurseni diturinë tuaj që njerëzit të përfitojnë prej saj.

O All-llah i Madhërishëm, na shto dije të dobishme, vepra të mira dhe na forco në fenë Tënde!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit