-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Muaji i Kuranit 8 / I do dhe e duan

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit 8 / I do dhe e duan

Zoti i lartësuar na tregon në Kuran se evliatë, të sinqertët dhe njerëzit e mirë, i do dhe e duan. Kjo është diçka që e ngazëllen besimtarin dhe ia shton mallin e nostalgjinë për Zotin. Më e çuditshmja, është se vetë Zoti i lartësuar deklaron se “i do”. Është Ai që i krijoi, i ushqen, u jep të pinë, i strehoi etj…. e në fund i do. Është ai që u përkujdes për ta, i udhëzoi, i mësoi, i frymëzoi etj… dhe sërish deklaron se i do. Është Ai që u shpalli Librin, u dërgoi profetët, u tregoi udhën e drejtë etj.. e mandej deklaron se i do. E ku ka mirësi dhe dhuratë më të madhe!
“e duan” edhe kjo është një deklaratë e çuditshme. E si të mos e duan, ndërkohë që i solli në jetë nga hiçi, i ushqeu pas urisë, i siguroi pas frikës dhe i veshi pas lakuriqësisë!
Si të mos e duan, ndërkohë që Ai u dhuroi dëgjimin dhe shikimin, i mbron nga rreziqet në çdo kohë dhe vend që ndodhen!
Si të mos e duan, ndërkohë që ai u ka dhënë pasuri, fëmijë, të mira materiale që u nevojiten në jetë e që ia kanë kërkuar! Si të mos e duan, ndërkohë që ai u fali siguri dhe qetësi, pas frikës dhe pasigurisë!
Si të mos e duan, ndërkohë që Ai nënshtroi për ta gjithçka në tokë dhe në det! Ai u lëshon ujë nga qielli, u çan tokën për të mbirë në të bimë e pemë nga më të ndryshmet, e ka bërë tokën shtresë, qiellin mburojë, i furnizon me fruta të shumëllojta dhe ushqime pafund!
Si të mos e duan, ndërkohë që Zoti u shpalli Kuranin, u mësoi të mirën, i udhëzoi në besim dhe i paralajmëroi nga kurthet e shejtanit!
“I do dhe e duan” shpreh një dashuri të pastër dhe sublime, pasi është dashuria mes robit dhe Zotit të tij. Ah sikur ta shijonin këtë kategori dashurie të gjithë ata që ecin mbi tokë. Ah sikur të pasionuarit pas artit, t’ia përcjellin mbarë njerëzimit se koncepti i tyre për dashurinë është i mangët, se jeta e tyre është e pavlerë, se zemrat i kanë të boshatisura dhe të errësuara, se shikimin e kanë të kufizuar pa e ndjerë dashurinë e tyre për Zotin dhe anasjelltas. Vetëm dashuria për Zotin është dashuria e sinqertë, e dëlirë, e pastër dhe e dobishme.
Pasha Zotin, kërkesa më sublime dhe më e fisme e një njeriu normal dhe të shëndetshëm mendërisht, është të arrijë gradën “I do dhe e duan”.
Dhurata më e madhe dhe më e fisme, është kur bëhesh pjesë e “I do dhe e duan”. Çdo dashuri tjetër përveç dashurisë për Zotin do të shuhet, çdo vepër që bëhet për hatrin e dikujt tjetër veç Zotit është e humbur, çdo mund që bëhet për të fituar kënaqësinë e dikujt tjetër përveç Zotit është i kotë dhe djersë e vajtur dëm.
Pagjumësia për dikë tjetër veç Teje o Zot është humbje kohe. Dashuria për dikë tjetër përveç teje është e kotë. O Ti që krijove krijesat, mandej i furnizon, i udhëzon dhe i do! Ne robërit e Tu të kërkomë të na bësh nga evliatë dhe njerëzit e Tu të dashur, nga njerëzit e Tu të përzgjedhur. Përgjigja e kësaj lutjeje është vetëm në duart e Tua o Zot.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit