Nga: Dr. Aid Elkarnij
Muaji i Kuranit 1
“Dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe kërko falje për gjynahun tënd!” (Muhamed, 19)
Kjo është çështja më e rëndësishme në jetë. Të pohosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, do të thotë që të mos adhurosh tjetër kënd veç Tij. Të gjithë krijesat janë krijuar për të njohur dhe besuar se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Prandaj, para se ti ftosh të tjerët korrigjoje veten, nëse i bindesh dhe adhuron vetëm Zotin dhe Krijuesin tënd.
Zanafilla e udhës për këdo që synon dhe kërkon një jetë të qetë dhe të lumtur, një mbyllje të lumtur dhe përjetësi në xhenet, është pikërisht kjo dëshmi e përjetshme me gjithçka që përmban ajo. Kjo dëshmi kërkon bindje të vendosur dhe të papërlyer nga dyshimet dhe skepticizmat. Ajo duhet të shoqërohet nga dashuri e sinqertë, të paturbulluar nga pakënaqësitë. Ajo kërkon sinqeritet të papërlyer me dyfytyrësi dhe përgënjeshtrim, kërkon vepra të cilat përkojnë me thelbin e saj dhe nuk përplasen me të, kërkon ftesë dhe propogandë larg dembelizmit dhe plogështisë, kërkon distancim nga çdo formë shirku, syfaqësie dhe bidati. Kjo, me qëllim që ai që e shqipton atë të lumturohet si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën.
Ajeti i mësipërm iu shpall të dërguarit të Zotit a.s, i cili është ftuesi i parë dhe modeli më i mirë i njerëzimit. Ai është mjeshtri që njeh më së miri domethënien e misionit me të cilin u dërgua, qëllimet dhe objektivat e tij.
Nëse e përmbledhim misionin e tij, themi se ai u dërgua për ti prezantuar dhe njohur njerëzit me fjalën “La ilahe il-lallah”. Çdo thënie, besim dhe vepër me bazë fetare, buron pikërisht nga dëshmia se nuk ka zot tjetër veç Allahut. Kjo dëshmi, është motoja e besimtarit dhe themeli i besimit të tij. Ajo është porta e fesë dhe shtegu i shpëtimit. Zotit i përket përsosmëria, madhështia dhe hijeshia absolute dhe vetëm Ai meriton të jetë Zot dhe i adhuruar me të drejtë. Ndërkohë, ne krijesat e Tij, jemi plot mangësi dhe të prirur për të gabuar dhe vepruar gjynahe, për të cilat lipset istigfar – kërkim falje. Pikërisht për këtë, në pjesën e dytë të ajetit thuhet:”dhe kërko falje për gjynahun tënd!”
Zoti është Krijuesi, Furnizuesi dhe merituesi i vërtetë i çdo tipari hyjnor, sakaq robërit e tij janë të nevojshëm për mirësitë e Tij të pafund. Veç kësaj, ata duhet ti kërkojnë falje dhe mëshirë për gjynahet dhe të metat.
Mes “nuk ka zot tjetër veç Allahut” dhe “kërko falje për gjynahun tënd” ka një lidhje, ashtu siç ka lidhje mes Zotit të Vetëm, Bujar, të Lartësuar, të Gjithëpushtetshëm, të Përjetshëm … dhe mes robit të dobët, të varfër, të nevojshëm, të vdekshëm…. Meqënëse çdo mirësi buron nga Zoti, ne duhet ta pranojmë bindshëm faktin se “Nuk ka zot tjetër përveç të Gjithëpushtetshmit” dhe se nëse ekziston ndonjë e metë dhe mangësi, ajo gjendet pikërisht tek ne krijesat. Për këtë lipset të bëjmë istigfar sa më shpesh.
Robi jeton mes mirësive dhe gjynaheve. Në një hadith, thuhet:”Unë e pranoj mirësinë tënde ndaj meje, por dhe gjynahun tim…” Mirësia ka si burim kryesor Zotin, ndërkohë që gjunahu ka si burim robin. Shpëtimi prej tij qëndron vetëm tek njësimi, teuhidi dhe istigfari. Njësimi, pra teuhidi, është një e drejtë e pacënueshme e Zotit, askush s’ka të drejtë ta rivalizojë në këtë çështje. Ai është i Vetmi dhe absoluti në ekzistencë, vepra dhe atribute. Istigfari është shpëtimi i robit të mashtruar nga shejtani apo nga nefsi dhe epshet e tij.
Kjo ishte urtësia e shoqërimit të teuhidit me istigfarin në ajetin me të cilin e nisëm këtë temë, gjë e cila ceket në disa ajete të tjera të Kuranit, si:
“Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i Vetëm, andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij!” (Fussilet, 6)
“S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (Enbija, 87)
Ebu Jala transmeton një hadith, sipas të c ilit:”Shejtani thotë:”I shkatërrova njerëzit me gjynahe, kurse ata më shkatërruan me “la ilahe il-lallah dhe istigfar”.
…
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).