1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mrekullia sociale në nivel umeti

Më të lexuarat

Nga: Xhasim El-mutava

Mrekullia sociale në nivel umeti

Ne të gjithë e dimë që islami i ka kushtuar vëmendje individit dhe ka ofruar zgjidhje të shumta për botën mbarë dhe për umetin tonë, me qëllim që t’a mësojë njeriun si të jetojë në shtëpinë dhe vendin e tij i lumtur dhe i gëzuar.
Islami ka ngritur një sistem të shëndoshë shoqëror për lidhjet mes njeriut dhe komshiut të tij, njeriut dhe prindërve, njeriut dhe familjes, madje edhe mes njeriut dhe sistemit politik, ekonomik dhe ambjentit.
Në shumë biseda që kam zhvilluar me perëndimorë, ata kanë mbetur të mahnitur nga rendi shoqëror islam. Ata vuajnë nga individualizmi i ngritur në perëndim. Shumë sëmundje individuale, edukative dhe morale, kanë lindur në Perëndim për shkak të varfërisë sociale.
Nga ana sociale, ne muslimanët jemi shumë të pasur dhe kjo i dedikohet Kuranit famëlartë dhe sunetit të Profetit a.s.
Kohët e fundit kam lexuar një studim mbi suksesin që ka korrur faqja elektronike www.youtube.com. Kjo faqe përmban video të shkurtra, të cilat shihen nga të rinjtë dhe të rejat. Çdo ditë, kjo faqe vizitohet nga tre milionë vizitorë. Nuk ka njeri që e hap internetin dhe të mos ketë hyrë në këtë faqe, qoftë dhe një herë. Studimi që lexova, fliste mbi sekretin e suksesit që ka korrur kjo faqe. Ndoshta edhe ju mund të habiteni ashtu siç u habita edhe kur lexova sekretin e suksesit.
Sekreti i këtij suksesi qëndron se kjo faqe trajton një problem social shumë të theksuar në perëndim. Sistemi perëndimor, i edukon njerëzit me individualizëm dhe vetëmbyllje. Sipas tyre njeriu duhet të jetë i lirë.
Çfarë risie solli www.youtube.com?
Të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë shokë dhe miq, hyjnë në forumet e ndryshme të kësaj faqeje – arti, sporti, politika, ekonomia etj… – dhe japin opinionet e tyre mbi videot që shohin. Kështu, mund të themi se suksesi i kësaj faqeje qëndron në reagimet e vizitorëve rreth videove që shohin dhe në lidhjet që krijohen nga reagimet e vizitorëve.
Ashtu siç kemi mrekulli në nivel social, në islam kemi mrekulli edhe në nivel familjar, në nivelin shoqëror dhe në nivel të umetit.
Po ku qëndron mrekullia sociale në nivelin e umetit, në reformat që ndërmori i dashuri ynë, profeti Muhamed?”
 
Dr. Zaglul Nexhar:”Kur u dërgua profeti Muhamed a.s, njerëzimi e kishte humbur çdo lidhje me qiellin dhe udhëzimin hyjnor. Ata jetonin me bestytni dhe në një errësirë e cila kishte mbuluar tokën. Padrejtësitë dhe zullumet kishin kapluar çdo skutë dhe aspekt të jetës, ashtu siç i shohim sot në ditët tona.
Profeti Muhamed a.s filloi t’i ftojë njerëzit drejt moraleve të larta. Ai i ftonte që të njohin thelbin e jetës së njeriut mbi tokë. Ai i ftonte t’a kuptojnë që janë robër të Zotit, të krijuar për të përmbushur një mesazh dhe mision të caktuar. Ky mision dhe mesazh ishte adhurimi i një Zoti të vetëm, bindja ndaj urdhërave të Tij dhe zbatimi i ligjeve të Zotit në tokë.
Profeti a.s erdhi t’i ftojë njerëzit në fenë të cilën ia mësoi Zoti i madhëruar profetit dhe njeriut të parë mbi tokë Ademit a.s. Kjo fe është islami, fe edhe e të gjithë profetëve të tjerë të dërguar nga Zoti. Kjo fe u përsos dhe u plotësua përfundimisht me ardhjen dhe dërgimin e profetit të fundit, Muhamedit a.s.
Feja islame, i ka kushtuar një rëndësi të madhe rendit shoqëror dhe ndërtimit të një familjeje të shëndoshë islame, marrëdhënieve me të afërmit dhe bashkatdhetarëve me njëri-tjetrin. Ai i ka kushtuar rëndësi edhe vlerësimit dhe fisnikërimit të njeriut, duke e ngritur në shkallët më të larta të njohura prej Zotit të madhëruar.
Njeriu nuk mund të arrijë në shkallët më të larta të nderit, veçse duke kuptuar kush është ai në të vërtetë, kush është krijuesi i tij, kush e ka dërguar në këtë botë, cili është misioni i tij, si mund t’a përmbushë këtë mision në formën më të mirë dhe cili do të jetë përfundimi i tij pas kësaj jete.
Transformimi që bëri Profeti a.s, ishte i një lloji të rrallë. Ai i ktheu njeriut vlerësimin, moralet dhe fisnikërinë që i takon. Thotë Profeti a.s në një hadith:”Jam dërguar për të përsosur moralet e larta.”
Një nga këto morale është edhe përkujdesi për familjen, për jetën, mendjen, pasurinë, ruajtjen e marrëdhënieve mes njerëzve, si dhe për ngritjen e një shoqërie njerëzore e cila synon përsosjen shpirtërore.
 
Dr. Xhasim El-mutava:”Atëherë, Profeti ynë i nderuar – paqja e Zotit qoftë mbi të – ndërmori reforma sociale të thella. Ai arriti t’a nxjerrë shoqërinë arabe nga një shoqëri pasive në aktive, nga imituese në lidershipe. Diçka e tillë padyshim që është një mrekulli. Sot popujt dhe shtetet luftojnë për t’a arritur këtë. Si ka qenë Kina më parë dhe si është ajo sot. Si ka qenë Korea dhe si është sot. Si ka qenë Japonia dhe si është ajo sot. Si ka qenë Malajzia dhe si është ajo sot.
Të gjithë civilizimet dhe shtetet luftojnë me qëllim që të dalin nga imitimi dhe pasiviteti në aktivitet dhe udhëheqje. Padyshim që kjo është diçka thelbësore në zhvillimin e kombeve.
Profeti Muhamed a.s i nxorri arabët nga prapambetja dhe injoranca, në civilizim dhe shkencë. Ai pushtoi zemrat e njerëzve, para se të pushtojë tokat dhe vendet e tyre.
Kush e imagjinon dot që Profeti Muhamed a.s, i dërguari i Zotit tek njerëzit dhe udhëheqësi i shtetit musliman, e kishte lënë mburojën e tij peng tek një çifut? Ai e kishte lënë mburojën peng tek ky çifut, derisa t’i paguajë të hollat për elbin e blerë. E kush mund t’a besojë sot se presidenti i një vendi, ka lënë armët e tij peng tek një nënshtetas i tij?
Kjo është tregues se Profeti a.s para se të depërtojë në tokat e njerëzve, kishte depërtuar në zemrat e tyre. Kjo është një mrekulli e re sociale, pasi përbën një trasformim shoqëror.
Rasti i mësipërm është tregues se çifuti besonte në fjalën dhe premtin e Profetit a.s. Ai është tregues se pakicat fetare gëzonin të gjithë të drejtat dhe nuk diskriminoheshin.”
 
Dr. Zaglul Nexhar:”Më kujtohet që jam takuar me një profesor historie nga Amerika, i cili kishte përqafuar islamin. Kur e pyeta mbi historinë e islamit të tij, më tha:”Vendosa të konvertohem në musliman, pasi dëgjova përshkrimin që i bënte profetit Muhamed a.s, e shoqja, Hadixheja. Kur Profetit a.s iu shfaq Xhibrili për herë të parë në shpellën Hira, ai u kthye i frikësuar dhe i shqetësuar në shtëpi. Pasi e dëgjoi çfarë i kishte ndodhur të shoqit, Hadixheja i tha:”Jo për Zotin! Nuk të lë në baltë ty Zoti. Ti i ruan lidhjet farefisnore, respekton mikun dhe ndihmon hallexhinjtë në hallet e tyre.”
Ajo ishte një grua që jetoi me të shoqin për njëzet vite rrjesht. Njeriu mund të pispilloset dhe të sillet mirë jashtë shtëpie, por brenda shtëpie e ka të pamundur t’i fshehë të metat e tij. E shoqja din gjithçka rreth burrit të saj, të mirat dhe të këqijat, negativet dhe pozitivet. Padyshim që një grua që e përshkruan të shoqin me fjalët e mësipërme, ka pasur një bashkëshort të përsosur dhe shumë të moralshëm. Nuk ka asnjë dyshim që ai ka qenë një njeri me virtyte të lartë, i pazakontë dhe i veçantë. Kjo më shtyri të lexoj rreth biografisë së profetit Muhamed a.s dhe më pas pranova islamin.”
Unë dua të theksoj se të gjithë depërtimet islame në zonat përreth dhe më larg, bëheshin për t’i kthyer njeriut fisnikërinë që i takonte. Nëse njëriu lihet larg lidhjeve me Zotin, kthehet në një krijesë të pavlerë, madje bie më poshtë se kafsha. Çdo ndërhyrje ushtarake që ka bërë Profeti a.s në territoret e tjera, bëhej për t’i kthyer njeriut dinjitetin dhe fisnikërinë me të cilën e ka nderuar Zoti. Këto ndërhyrje nuk bëheshin për përfitime ekonomike, as thjesht për të zgjeruar territoret dhe as për të zhvatur pasuritë e tyre. Jo. Ai synonte të ndërtojë njeriun e ri.
Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës siç pretendojnë armiqtë e islamit. Nëse do të ishte përhapur me tehun e shpatës nuk do të kishte mbetur në këmbë asnjë hebre apo i krishter. Të gjithë ithtarët e feve, kanë jetuar në paqe mes muslimanëve, duke gëzuar të drejtat e tyre të plota si bashkëkombas të muslimanëve. Muslimanët u mësuan njerëzve të tjerë se kush ishin, kush ishte Zoti i tyre i vërtetë që i kishte dërguar në këtë botë, cili ishte mesazhi që duhet të përmbushnin para se të ndahen nga jeta, si duhej t’a përmbushnin në formën më të mirë dhe çfarë i priste pas vdekjes.
Pa këto vlera, njeriu bie në nivelin e kafshëve, madje më poshtë, pasi kafshët e njohin krijuesin e tyre në mënyrë të natyrshme.
 
Prof. Xhasim El-mutava:”Kush do e imagjinonte se një profesor historie amerikan, do të pranonte islamin nga gruaja e Profetit a.s, Hadixheja?! Nuk ka dyshim se fjalët me të cilat ajo e qetësoi Profetin a.s, ishin prekëse dhe ngushëlluese. Unë dua t’i përsëris edhe një herë këto fjalë:”Jo për Zotin! Nuk të lë në baltë ty Zoti. Ti i ruan lidhjet farefisnore, respekton mikun dhe ndihmon hallexhinjtë në hallet e tyre.”
Unë i kam studiuar këto fjalë dhe pashë që të gjithë kishin lidhje me aspektin social. Le t’i analizojmë shkurtimisht!
Ajo i tha Profetit a.s se Zoti nuk do e linte në baltë. Por përse vallë? Sepse ai shkonte mirë dhe i ruante lidhjet farefisnore dhe të gjakut. Lidhjet farefisnore dhe të gjakut kanë një rëndësi shumë të madhe për një shoqëri të konsoliduar. Po kështu, është edhe ndihma që i ofrohet një hallexhiu, lëmosha që i jepet një të varfëri dhe respektimi i mikut.
Të gjithë këto shërbime sociale të Muhamedit a.s para se të bëhej profet, ishin pjesë e natyrës së tij. Të gjithë këto morale dhe virtyte, ishin garanci për të gëzuar mbrojtjen dhe përkrahjen e Zotit të madhëruar.
Kur dëgjoi fjalët e të shoqit, Hadixhes – Zoti qoftë i kënaqur me të – sikur i kaloi para sysh i gjithë shiriti i jetës.
Ajo kishte pranuar të martohej me Muhamedin a.s me t’ia kërkuar ai diçka të tillë. Asokohe ai ishte njëzet e pesë vjeç, ndërsa tani ishte dyzet. Pesëmbëdhjetë vite martesë kishin kaluar sa hapa e mbyll sytë.
Në ato çaste, ajo iu referua jetës mes tyre përgjatë pesëmbëdhjetë vitesh. Ajo ishte një jetë e mbushur me kontribut social, ku u jepte të varfërve, ndihmonte hallexhinjtë, respektonte miqtë etj… Duke pasur parasysh këto morale dhe vlera, ajo e siguroi se Zoti nuk do e zhgënjente dhe nuk do e linte në baltë.
Kjo është një arsye mëse e mjaftueshme që një profesor amerikan të pranojë islamin.”
 
Dr. Zaglul Nexhar:”Me morale dhe virtyte të tilla, profeti Muhamed a.s arriti t’i transformojë arabët nga ashpërsia e shkretëtirës drejt butësisë dhe krenarisë, nga egoizmi drejt cilësive më të mira. Ashtu siç i promovoi dhe zhvilloi ato vlera që ekzistonin mes arabëve, si bujaria, mipritja, trimëria etj…
Në marrëveshjen e Hudejbijes, muslimanët nuk u lejuan të kryejnë tavafin në Qabe, për të cilin kishin ardhur. Profeti a.s dërgoi Uthman ibnu Affanin me qëllim që të bisedojë dhe të bie në ujdi me kurejshët. Gjatë kohës që Uthmani ndodhej në Meke për të biseduar, kurejshët e lejuan që të vizitojë Qabenë dhe të bëjë tavafin. Por Uthmani ua ktheu:”Për Zotin unë nuk bëj tavaf pa e parë Muhamedin të  bëjë tavaf më parë.”
Kjo ishte një nga format me të cilat shprehet dashuria që shokët dhe muslimanët kishin për Profetin a.s.
Më pas, kurejshët dërguan një delegacion që të bisedojë me Profetin a.s. Kur delegacioni u kthye, kryetari i delegacionit u tha kurejshëve:”O kurejshë! Siç e dini, unë kam vizituar dhe perandorinë Perse dhe vetë perandorin Kisra. Ashtu siç kam vizituar dhe çezarin e Romës dhe Nexhashiun e Abisinisë. Për Zotin nuk kam parë njerëz që e duan dhe respektojnë të parin e tyre, ashtu siç bëjnë muslimanët me Muhamedin.”
Një dashuri dhe respekti i tillë i kishte rrënjët tek mënyra me të cilën i kishte edukuar Profeti a.s muslimanët. Ai kishte arritur të përcjellë tek ta vlerat dhe moralet më të larta. Sahabët garonin për t’a nderuar dhe respektuar Profetin a.s. Ata garonin edhe se kush t’a mbrojë atë në rast rreziku.
Profeti Muhamed a.s u dërgua për të përsosur moralet më të larta. Madje, ai e përkufizonte fenë si përsosje të moraleve të larta.  Ai thoshte:”Feja është morali i mirë.” “Nuk ka fe kush nuk mban amanetin.” “Nuk ka fe kush nuk ka moral të mirë.”
Adhurimet dhe ritet fetare, nuk janë gjë tjetër veçse metoda për përsosjen e moraleve dhe pastrimin e shpirtit. Një musliman, sado të falet, të agjërojë dhe të lutet, nëse këto nuk reflektojnë në moralin e mirë, nuk e ka besimin e plotë.
Prandaj, ajo që profeti Muhamed a.s i ofroi njerëzimit është se i ktheu dinjitetin dhe fisnikërinë, me të cilën e ka nderuar vetë Zoti. Dinjiteti nuk kufizohet vetëm tek vlerat morale dhe edukative. Tek dinjiteti hyn edhe të kuptuarit e misionit të njeriut mbi tokë dhe se ai është rob i Zotit dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës mbi këtë planet dhe zbatimin e ligjeve dhe drejtësisë së Zotit.
 
Prof. Xhasim El-mutava:”Një herë, isha nisur me avion për të mbajtur një ligjëratë. Pranë meje ndodhej një i huaj dhe unë u prezantova me të. Gjatë rrugës, filluam të diskutojmë rreth islamit. Ai filloi të bëjë shumë pyetje dhe në një moment më tha:”Kam vënë re se numri i atyre që pranojnë islamin është shtuar ndjeshëm.”
Unë e pyeta:”A e din çfarë më bën mua përshtypje?”
Ai u përgjigj:”Jo.”
Unë i thashë:”Pasioni i mediave për të deformuar imazhin e islamit. Megjithë ekzistencën e këtyre mediave, megjithë ekzistencën e ftuesve muslimanë të cilët më shumë e dëmtojnë islamin se i sjelli dobi, islami përhapet më shumë se çdofe tjetër. Vallë si do të ishte situata nëse mediat do të flisnin në favor të islamit dhe ftuesit muslimanë të ishin më të aftë, duke ofruar një islam të mesëm, pa ekstremizma, ashtu siç është islami në të vërtetë?
Vetëm në Amerikë, numri i atyre që pranojnë islamin është njëzet mijë në vit. Ndërkohë që në Itali hapen çdo vit njëqind faltore dhe xhami të reja.
Ne sot kemi nevojë t’i prezantojmë njerëzit me forcën e Kuranit dhe mrekullitë e tij shkencore, historike, mjekësore dhe sociale.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit