Arti i bashkimit të zemrave është trashëgimi profetike. I Dërguari Muhamed, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, gjatë thirrjes së tij e kultivoi këtë lloj arti. Në vazhdim do të ndajmë disa porosi në lidhje me këtë çështje.
Allahu i Lartësuar në librin e Tij na e kujton bazat e këtij arti dhe gjithashtu edhe praktika e të Dërguarit të Allahut dëshmon për këtë gjë. Allahu thotë:
وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ وَاللّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“…e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.”1
Nga ajeti i shënuar mësojmë tre nivele të rëndësishme:
1. Kur dikush të bën keq, sidomos në këto kohë kur ka humbur mirësjellja, mposhte, shtype, përballoje zemërimin. Mos lejo shfaqjen e pakënaqësisë në vendtubime. Fjala e Allahut thotë: “…e mposhtin zemërimin”.
2. Pasi e realizon veprimin e parë, e përballon zemërimin, shkon dhe i thua keqdashësit: “Allahu të faltë”. Allahu thotë: “dhe ua falin fajet njerëzve.”
3. Ky nivel është më i larti, pasi shkon dhe e viziton keqbërësin, e përshëndet dhe i dhuron diçka. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i do bamirësit.”
Nga historia mësojmë për ngjarjen e shërbëtorit të kalifit Harun Er-Reshid. Shërbëtorit i rrëshqiti nga dora ena me ujë të nxehtë dhe i ra kalifit në kokë. U hidhërua Haruni Er-Reshidi dhe iu kthye shërbëtorit, ndërsa shërbëtori (i lexoi fjalën e Allahut) i tha: “…e mposhtin zemërimin”.
Harun Er-Reshidi i tha: “Po përmbahem nga hidhërimi.”
Shërbëtori i tha: “…dhe ua falin fajet njerëzve.”
Harun Er-Reshidi i tha: “Ta fala gabimin.”
Shërbëtori i tha: “Allahu i do bamirësit.”
Harun Er-Reshidi i tha: “Mund të shkosh, tani je i lirë dhe këtë e bëj për hir të Allahut.”
Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu/klubikulturor/kohaislame