MPJ turke theksoi edhe një tjetër herë se ministri i Mbrojtjes së Greqisë duhet t’u japë fund deklaratave dhe veprimeve të tij të papranueshme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve…
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Huseyin Muftuoglu, theksoi edhe një tjetër herë se ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Panos Kammenos, duhet t’u japë fund deklaratave dhe veprimeve të tij të papranueshme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, ndërkohë që bëhen përpjekje për fuqizimin e tyre.
Turqia – nënvizoi Huseyin Muftuoglu – gjithmonë merr për bazë dhe respekton të drejtën ndërkombëtare, nga ana tjetër, siç është bërë e qartë edhe më parë, mes Turqisë dhe Greqisë në detin Egje ka një sërë problemesh të lidhura me njëra-tjetrën.
Sipas tij, Turqia i kushton rëndësi të madhe zgjidhjes së problemeve në fjalë përmes të drejtës ndërkombëtare dhe rrugëve paqësore.
“Kështu, duke u nisur nga kjo qasje, ekzistojnë edhe kanale dialogu të ngritura mes dy vendeve për zgjidhjen e çështjeve të Egjeut. Greqia, një vend me precedent të njohur për sa i takon përmbushjes së kërkesave/dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, s’duhet të ketë gojë për t’i folur askujt në lidhje me këtë çështje. Me këtë rast, theksojmë edhe një tjetër herë se ministri i Mbrojtjes së Greqisë duhet t’u japë fund deklaratave dhe veprimeve të tij të papranueshme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore, miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, ndërkohë që bëhen përpjekje për fuqizimin e tyre”, u shpreh zëdhënësi i MPJ turke.
Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, kishte shkuar befasisht gjatë fundjavës së kaluar në ishullin e Gomarit (Agathonisi), një nga ishujt e varur nga Bashkia Çesme e Izmirit dhe shumë pranë ishullit grek të Hiosit (Ishulli i Mastikës).