Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Jim O’Brien, ka thënë se moszbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është mundësi e humbur nga dy vendet.
O’Brien në një postim në platformën X shkruan se palët duhet të ri-angazhohen për të trajtuar problemet dhe mundësitë brenda dialogut nga BE-ja.
“…Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, tha ai.
Ndryshe, të mërkurën në Bruksel ishte paraparë një takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që nuk ndodhi.
Borrell konfirmoi të mërkurën pasdite se takimi trepalësh nuk është mbajtur, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel në një konferencë për media tregoi se takimi trepalësh nuk është realizuar sepse Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar nga aneksi i zbatimit që është pjesë integrale, nga 18 marsi i viti 2023. /Telegrafi/