9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mospjesëmarrja e Kurtit në takimin joformal të udhëheqësve të Ballkanit në Tiranë, deklarata e Ramës dhe reagimet tjera

Më të lexuarat

Të hënën në Tiranë është mbajtur një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit, por në këtë takim nuk mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ndonëse, që disa herë përpjekje Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk janë takuar që kur u anulua mbledhja e përbashkët e dy qeverive nga kryeministri Rama.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se Kurti nuk do të marrë pjesë në takim për shkak të pjesëmarrjes së tij në konferencën në Kretë të Greqisë.

“Para një jave kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar Kryeziu.

Edhe Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sikur ngjarja në Greqi të mos ishte konfirmuar më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të merrte pjesë në takimin joformal, i mbajtur në Tiranë.

“Në takimet e nivelit të lartë çfarë janë agjenda e kryeministrit do të duhej të kishte shumë më herët planifikim kurse Procesi i Berlinit apo kryesimi i Shqipërisë dihet që nga nëntori i vitit të kaluar, planifikimi i ngjarjeve sidomos të nivelit të lartë do të duhej të bëhej shumë më herët në mënyrë që të përgatitej edhe agjenda e kryeministrit. Nuk mendoj që ka inate në këtë drejtim kur është në pyetje agjenda shtetërore, por konfirmimi i një agjende të tillë në një proces të tillë do të duhej të bëhej shumë më herët”, ka thënë ai

Lidhur me mos pjesëmarrjen e Kurtit në takimin joformal të udhëheqësve të Ballkanit në Tiranë është pyetur edhe kryeministri Rama.

Ai nuk ka dashur të komentojë rreth mospjesëmarrjes së Kurtit, gjersa shkurt tha “Nuk shoh asnjë interes sepse ishin të gjithë të ftuar, kush deshi erdhi, kush s’mundi s’erdhi”.

E lidhur me bojkotin e Kurtit ka pasur reagime. Mungesa e kryeministrit në drekën që i paraprinë takimit të 16 tetorit në kuadër të Procesit të Berlinit nga analistët politik në Kosovë po vlerësohet e pashpjegueshme dhe e dëmshme për Kosovën.

“Nëse kryeministri Kurti ka qenë vazhdimisht kundër idesë së Open Balkan me të njëjtin zell e ka përkrahur procesin e Berlinit, duke ia veçuar avantazhet e tij kundër Open Balkan. Dakord shumë prej argumenteve që janë thënë nga Qeveria nuk kanë qëndruar sepse janë të njëjtat në të dyja anët e nismës. Po hajde po themi që qe zoti Kurti paska pasur të drejt. Procesi i Berlinit dhe tregu i përbashkët rajonal qenkan zgjidhja më e mirë për Kosovën. Atëherë pse po e bojkotojmë atë. Nuk e duam Open Ballkanin nuk e duam procesin e Berlinit duam të mbetemi vetëm”, ka thënë Visar Ymeri, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Ymeri thotë se Rama nuk duhet të shihet si armik i Kosovës, pasi që ishte ndër të vetmit përfaqësues që kohëve të fundit kishte sjellje e qëndrime konstruktive ndaj Kosovës.

E për këtë ka reaguar edhe analisti në Shqipëri Ben Andoni. Ai në RTV Dukagjini ka thënë se mos-prezenca e Kurtit “zuri të gjithë informacionin në Tiranë”, duke nënkuptuar që ky fakt ka marrë më shumë vëmendje.

“Ka diçka që nuk shkon tashmë mes dy vendeve tona, në sensin që të lësh një takim, i cili ishte një takim informal por ishte përgatitor i vendeve të Ballkanit Perëndimor, sa i përket projekteve të së ardhmes brenda Procesit të Berlinit”, ka thënë Andoni.

Sa i përket samitit që do të mbahet në Tiranë, Andoni ka thënë se Tirana është vetëm organizatore dhe në lidhje me gjithçka tjetër merret Bashkimi Evropian (BE).

“Në këtë samit vendet tona duhet të jenë me projekte gati, duhet të jenë vende që paraqesin ide të qarta, dhe mendoj që mungesa e Kosovës zyrtare duket se ka zënë peshën më të madh të së gjithës”, ka shtuar ai.

Andoni ka shtuar se e sheh Kosovën “jashtëzakonisht problematike” në të gjitha çështjet e brendshme, duke theksuar se raportet mes Kurtit dhe Ramës nuk janë normale.

Ndryshe, takimi në Tiranë është zhvilluar në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.

Në takim ka munguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi.

Por, aty kanë marrë pjesë, komisioneri për Zgjerim të Fqinjësisë, Oliver Varhelyi. kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit