1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mosmarrëveshja për Jerusalemin mund të anulojë votimet palestineze

Më të lexuarat

Mosmarrëveshja për votimet në Jerusalemin Lindor mund të çojë në anulimin ose shtyrjen e zgjedhjeve të para palestineze pas më shumë se 15 vjetësh.

Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, është zotuar që votimet do të mbahen, por kufizimet izraelite ndaj votuesve mund t’i japin atij arsye për anulimin e tyre.

Në fakt, këto zgjedhje të planifikuara për 22 maj paraqesin edhe një lloj kërcënimi për mosvazhdimin e qëndrimit në pushtet të Abbasit, shkruan agjencia Associated Press (AP).

Jerusalemi Lindor shihet nga ana e palestinezëve si kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm.

Abbas ka thënë që banorët e tij nuk mund të përjashtohen nga zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 22 maj.

Por, Autoriteti Palestinez mund të ketë nevojë për lejen e Izraelit që rreth 6,000 banorë të qytetit të dalin në votime sepse Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e tij dhe nuk lejon që Autoriteti Palestinez të veprojë në qytet.

Izraeli ende nuk ka njoftuar nëse do të lejojë mbajtjen e votimin në Jerusalemin Lindor, por ka sinjalizuar se nuk do të pranojë.

Mbi 2.5 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor dhe në Gaza kanë të drejtë të votojnë dhe 6,000 votat e Jerusalemit Lindor nuk kanë gjasa të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Por, çështja e të drejtës së votimit të tyre ka një rëndësi simbolike që lidhet me pretendimet palestineze ndaj qytetit. Moslejimi i tyre për të votuar mund të jetë pretekst që Abbas të heqë dorë nga zgjedhjet, në të cilat partia e tij Fatah pritet të humbasë fuqinë dhe ndikimin.

Megjithatë, anulimi i votimit mund të nxisë rritjen e tensioneve në qytet dhe trazira në territore tjera.

Çështja e Jerusalemit

Në luftën e vitit 1967, Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gazën. Këto territore, palestinezët i duan për shtetin e tyre të ardhshëm.

Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e konsideron gjithë qytetin – së bashku me vendet e tij të shenjta për hebrenjtë, myslimanët dhe të krishterët si kryeqytetin 

Në anën tjetër, palestinezët vlerësojnë se Jerusalemi Lindor është një territor i okupuar. Ky pozicion i tyre gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Banorët palestinezë gëzojnë të drejtën e shtetësisë izraelite, por shumica e kanë refuzuar atë në mënyrë që të mos legjitimojnë pretendimet e Izraelit ndaj qytetit. Ata që vendosin të aplikojnë për shtetësi, përballen me një proces të gjatë dhe burokratik.

Shumica e 350,000 palestinezëve në Jerusalemin Lindor posedojnë një leje të përhershme të qëndrimit që u lejon atyre të udhëtojnë lirshëm, të votojnë në zgjedhjet lokale dhe të marrin përfitimet sociale izraelite.

Janë disa arsye që mund të çojnë në revokimin e lejes së qëndrimit, duke përfshirë qëndrimin jashtë qytetit për një periudhë të gjatë kohore. Hebrenjtë izraelitë, të lindur kudo në Jerusalem, marrin automatikisht shtetësinë e plotë.

Qyteti është përballur me dhunë gjatë viteve të fundit, pasi fati i tij dhe vendeve të shenjta, është një nga pikat më të nxehta të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.

Paqartësia për zgjedhjet

Zgjedhjet e palestinezëve pritej të ishin një garë mes Lëvizjes Fatah të presidentit Abbas dhe rivalëve të tij nga Lëvizja Hamas.

Hamasi shënoi fitore në zgjedhjet e fundit më 2006 dhe një vit më pas mori pushtetin në Gaza.

Në javët e fundit, Lëvizja Fatah është ndarë në tri lista zgjedhore rivale, përfshirë një të udhëhequr nga Marwan Barghouti.

Ai është një udhëheqës i kryengritjes së dytë palestineze në fillim të viteve 2000. Ai ndodhet në një burg izraelit dhe po vuan dënimin me pesë burgime të përjetshme.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se vota për Lëvizjen Fatah është e shpërndarë, duke i siguruar Hamasit pozitën e partisë më të madhe në parlament. Nëse Barghouti vendos të kandidojë për president, ai pritet të mposhtë me lehtësi Abbasin.

Lexoni edhe këtë:Palestinezët dënojnë hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Këto rezultatet mbase sinjalizojnë fundin e karrierës politike të 85-vjeçarit Abbas, dhe ngrisin një udhëheqje të re që Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i konsiderojnë si terroristë.

Jerusalemi Lindor ofron një rrugëdalje për të gjithë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas mund të anulojë zgjedhjet. Për këtë ai mund të fajesojë Izraelin për refuzimin që të lejojë votimin në Jerusalemin Lindor.

Pak palestinezë do të kundërshtojnë vendimin që zgjedhjet të mbahen pa e përfshirë Jerusalemin Lindor.

Izraeli dhe bashkësia ndërkombëtare mund të mirëpresin vendimin për anulimin e mundshëm të zgjedhjeve, për të shmangur kështu një fitore tjetër nga Hamasi, lëvizje kjo që refuzon të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.

Ndërkohë, Abbas ende nuk ka dhënë një sinjal të qartë për qëllimet e tij.

“Ne jemi të vendosur të mbajmë zgjedhje në të gjitha zonat palestineze në të cilat i kemi mbajtur më parë – Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës”, tha ai në një fjalim të dielën mbrëma.

Një lëvizje e rrezikshme

Në zgjedhjet e kaluara, 6,300 banorët e Jerusalemit Lindor kishin votuar në zyrat postare, mirëpo lejen për të pranuar fletët e votimit ata duhet ta marrin nga izraelitët. Komisioni zgjedhor thotë se edhe në këto zgjedhje të planifikuara, mënyra e votimit do të ishte e njëjtë.

Komisioni thotë se pjesa tjetër e afërsisht 150,000 votuesve të Jerusalemit Lindor mund të hedhin vota në periferi të qytetit me ose pa miratimin e Izraelit.

Për ata që jetojnë në qendër të qytetit, palestinezët mund të sfidojnë kufizimet izraelite përmes një fushate të mosbindjes qytetare apo do të mund të vendosin kabinat e votimit brenda kompleksit të xhamisë Al-Aksa. Kjo xhami është një vend i shenjtë, nën kujdestarinë jordaneze.

Izraeli do të hezitonte të ndërhynte nga frika e ndezjes së tensioneve apo edhe për faktin se nuk do të dëshironte të krijohej bindja se po pengon mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Një mundësi më pak provokative do të ishte nëse 6,300 palestinezët të votojnë në Bregun Perëndimor ose në territore në të cilat banorët e Jerusalemit Lindor zakonisht kanë qasje të lirë.

Palestinezët gjithashtu mund të kërkojnë të përdorin objektet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Jerusalemin Lindor.

Çdo lëvizje për të anuluar zgjedhjet mund të shkaktojë një efekt të pasigurt ndaj Abbasit, i cili është bërë gjithnjë e më autoritar dhe jopopullor që nga përfundimi i mandatit të tij presidencial katërvjeçar më 2009.

Anulimi i zgjedhjeve, të cilat partia e tij duket se do t’i humbasë, mund të zemërojë palestinezët dhe potencialisht të ndezë dhunë midis fraksioneve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit