1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mosinteresim për “të vërtetën e errët” mbi Kumanovën

Më të lexuarat

Incidenti i armatosur në Kumanovë, ka ndikuar në ftohjen e raporteve ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë, por kjo nuk nënkupton që marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve kanë ndryshuar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
 
Analisti i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas zhvillimeve në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, madje edhe protestat që aktualisht janë duke u zhvilluar në Shkup, të organizuara nga opozita, por edhe nga partia në pushtet, nuk flasin për ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve apo dy shoqërive.
 
Sipas tij, bëhet fjalë për ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet dy strukturave në pushtet, të cilat, për arsye që pritet të merret vesh, nuk kanë marrëveshje apo interesa konfliktuoze ndërmjet tyre.
 
Siç thotë ai, sikurse në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, duket se qeveritë aktuale nuk e reflektojnë gjendjen shoqërore dhe sentimentet publike.
 
“Aktualisht është duke u zhvilluar një situatë mjaft dramatike, e cila po tregon se ky dallim, për të cilin është ditur se ekziston, është shumë më i madh se sa që është menduar. Derisa nuk përfundon ky proces, derisa nuk qartësohet nëse qeveria maqedone flet në emër të shoqërisë maqedone dhe derisa nuk qartësohet që edhe qeveria e Kosovës flet në emër të popullit në Kosovë, atëherë është vështirë të reduktohet dhe thjeshtëzohet situata rajonale, duke i marrë qëndrimet e qeverive si qëndrime të shoqërive”, thotë Gorani.
 
Por, Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë shpreh mendimin se ftohje të raporteve ka nga Maqedonia ndaj Kosovës, por jo nga kjo e fundit ndaj Maqedonisë.
 
Sipas tij, Qeveria e Kosovës është treguar tepër neutrale ndaj aksioneve që bëri qeveria maqedone në Kumanovë dhe refuzoi t’i japë, siç thotë ai, një mbështetje të lehtë opozitës në Maqedoni, të cilën, sipas tij, tashmë po e përkrahin partnerët perëndimorë.
 
“Natyrisht që tash, disponim i Gruevskit (kryeministri maqedonas) është që fajin për një gjë të tillë t’ia faturojë Kosovës e më këtë faturim të fajit, ai ta heqë përgjegjësinë për një skenarë, të cilin, siç duket, e ka përgatitur vet për ta hequr vëmendjen nga protestat që opozita maqedone do të vazhdojë të bëjë atje dhe nga presioni shumë i madh ndërkombëtarë kundër mënyrës se si ai po qeverisë me Maqedoninë”, thekson Korenica.
 
Analisti Gorani, vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në zbardhjen e fakteve, të cilat kanë dërguar deri te incidenti i Kumanovës.
 
Gjithashtu, sipas tij, duhet të insistohet për zbardhjen e prapavijës, kontekstit dhe fakteve në aferën e përgjimeve, si dhe zbardhjen e tyre, që po vazhdon tash e disa muaj në Maqedoni.
 
Analisti Gorani thotë se nga incidenti i Kumanovës janë të arrestuar një numër i shtetasve të Kosovës, të cilët janë edhe dëshmitarë që duhet të dëgjohen brenda një procesi gjyqësor transparent, që të kuptohen të gjitha detajet që quan tek incidenti.
 
“Mirëpo, atë që unë po e vërej, është se nuk është askush i interesuar që ta dijë të vërtetën, meqenëse e vërteta duket të jetë jashtëzakonisht e errët dhe e trembshme. Si duket, për të dyja shtete, e vërteta është jashtëzakonisht e pakëndshme. Kështu që, të dy qeveritë, si dhe një pjesë e opinionit të të dy vendeve, janë më e prira që të diskutojnë në nivel të spekulimeve, se sa të insistojnë në zbardhjen e të vërtetës”, shprehet Gorani.
 
Korenica shpreh mendimin se është situatë paradoksale që të mos ketë reagime zyrtare nga Qeveria e Kosovës për mënyrën se si po trajtohen të burgosurit në Maqedoni, që janë shtetas të Kosovës.
 
“Ky fakt, më së miri tregon një pozicion jo vetëm pasiv, por edhe nënshtrues, që mori qeveria jonë ndaj pozitës së Gruevskit atje. Unë mendoj se, në anën tjetër, është një tregues që qeveria jonë nuk e ka dhe nuk e gëzon autoritetin e mjaftueshëm, për të treguar që Kosova ka një politikë të jashtme të një shteti të pavarur apo e cila guxon të merret me fatin e qytetarëve të saj”, thotë Korenica.
 
Korenica shton se marrja me fatin e shtetasve të saj të arrestuar në Maqedoni, është detyrim ligjor i Qeverisë së Kosovës.
 
Ndryshe, bazuar në informatat, të cilat deri me tash i kanë institucionet e Kosovës, gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë të Maqedonisë, janë vrarë 9 dhe janë arrestuar 21 shtetas të Kosovës.
Bekim Beslimi/REL
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit