Ngjarja e djeshme në Klos ka tronditur opinionin publik. Ngjarja e rëndë u regjistrua në një fshat të thellë malor, të quajtur Xibër. Sali Dakuci qëlloi me armë zjarri vëllain e tij, Kujtim Dakuci dhe nipin, më pas vrau veten.
Krimi që shkaktoi tre viktima kishte si zanafillë një gardh. Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se babë e bir kanë marrë nga një plumb fatal për jetën e tyre. Flogert Dakuci rezulton se është qëlluar një herë në shpatull, në krahun e zemrës.
Ndërsa babai i tij, Kutim Dakuci, është qëlluar me një plumb në gojë. Sali Dakuci, pasi qëlloi ndaj të dyve, u largua në banesën e tij dhe në kushte të rënda psikologjike qëlloi veten në kokë.
Përveç plumbit, autori ka dhe shenja të tjera dhune. Kjo, pasi ai është goditur nga djali i vëllait të tij me hu, gjë e cila çoi më pas në masakrën me tri viktima.
Të dyja banesat e vëllezërve të vdekur janë marrë në mbrojtje nga policia. Mbi 10 efektivë policie vijojnë shërbimin pranë shtëpive, për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Ndërkohë motra e viktimave, Lifa, ka treguar detaje nga ngjarja tronditëse për gazetarin e News24.
“Erdha për vizitë në Xibër se kemi babain sëmurë. I dëgjova të dy vëllezërit duke u zënë dhe dola jashtë e u thashë: Mos u zini për gardhin, por eja shihni babain se është sëmurë. Duke u ngjitur nëpër shkallë (banesa e vjetër dykatëshe), pasi ecja me ngadalë se kam sëmurë këmbën, dëgjova një krismë arme. Pashë nga sipër Kujtimin të shtrirë përtokë. Më pas djali i Kujtimit, nipi im, iu sul Saliut duke thënë: “ça bërë?”. Dhe më pas dëgjova krismën tjetër… e pashë nipin që u shtri përtokë. Më pas Saliu u largua nga banesa dhe u fut në një parcelë më misër dhe më pas kur pas 20 minutash dëgjova një tjetër krismë brenda tek banesa e tij (një kuzhinë e vjetër). Kur shkuam aty bashkë me gruan e Saliut, e pamë atë përtokë të mbuluar në gjak dhe pa shenja jete. Kishte qëlluar veten me plumb në kokë”.