3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mos i ngjajë Qenit

Më të lexuarat

Mos i ngjajë Qenit

 

Hoxha i nderuar Bekir Halimi në videon e më poshtme flet për epshin, për ta dëgjuar klikoni më poshtë:

Epshi është dëshirë kimike, hormonale dhe emocionale për të bërë marrëdhënie intime. Epshi është egoist. Por, epshi nuk i përfshin vetëm këto marrëdhënie pasi i qaset të gjitha dëshirave të njeriut. Në momentin kur mbiçmohet epshi drejtësia fillon të zhduket dhe dituria të venitet.

“Neglizhenca (gafleti) është pasimi i epshit në atë çka epshi e pëlqen dhe e dëshiron.” (Fjalë e urtë Islame )

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “All-llahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë).” (Nisa; 27)

Me të vërtetë humbjet dhe shkatërrimet më të mëdha janë pasojë e impulseve dhe ndjekjes së epshit, ngase vërtet epshi poseduesit e tij e shpie në shkatërrim gjersa e çon në Xhehenem. Nuk ka dyshim se një ndër shkaqet më kryesore për shkatërrimin e personalitet të njeriut është nënshtrimi ndaj epsheve, sepse epshet shpijnë gjithnjë në fantazi dhe në shkatërrimin e moralit. Njeriu i cili i ndjek epshet jo vetëm që i ekspozohet rreziqeve por ai gjithnjë e më shumë i afrohet dyerve të Xhehenemit. Epshi është i lidhur ngushtë me dëshirat e njeriut.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve).” (Nisa; 28)

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kokëtul është ai që ndjek dëshirat e epshit të vet dhe (pa kurrfarë merite) shpreson se All-llahu do t’ia falë.” (Transmeton Buhariu)

Bazat e humbjes së garantuar janë: paragjykimi dhe epshet.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “…nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykime dhe çka duan vetë, megjithëqë prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi.” (Nexhm; 23)

Kjo është cilësi e jobesimtarëve, por këtu duhet të kenë vëmendje edhe besimtarët, sepse çdokush që i posedon këto cilësi, pra ai njëherë i posedon edhe cilësitë e jobesimtarit. Kjo cilësi është element nga mbeturinat e politeistëve të mëparshëm dhe të atyre të sotshëm. Politeistët e dikurshëm me hamendje edhe përmes paragjykimeve të tyre të rrezikshme vazhdimisht përpiqeshin që mos ta besojnë Kur’anin e shpallur nga Allahu i Madhërishëm.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Ata që fenë e tyre e morën tallje e lojë dhe të cilët i mashtroi jeta e Dunjasë. Sot, pra, Ne i harrojmë ata sikurse e patën harruar takimin e kësaj dite të tyre dhe, sikurse i refuzonin argumentet Tona!” (A’raf; 51)

“Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta).Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (Nexhm, 2-4 )

Allahu i Madhërishëm shmang çdo dilemë dhe garanton se Muhamedi alejhi selam, nuk është në humbje dhe në devijim dhe se këto dy cilësi në esencë janë mosdije dhe padrejtësi. I humbur është ai që nuk vepron me të vërtetën në kohë dhe gjithashtu është i devijuar edhe ai që i ndjek pasionet e veta. Ndërsa nga Allahu i Madhërishëm vërtetohet dhe garantohet se cilësitë e Muhamedit alejhi selam janë dituria dhe njohja, dhe se ajo që shpallet është shpallje e zakonshme nga vetë Allahu i Madhërishëm.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Gjyko pra mes tyre me atë që All-llahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. ” (Maide; 48)

Epshorët patjetër që do ta humbasin rrugën e vërtetë, pa marrë parasysh se a janë dhënë pas epsheve me vetëdije apo pa të. Shpeshherë e lënë dijen duke e ndjekur epshin dhe kështu pa kurrfarë fije dyshimi bëjnë padrejtësi me fjalë dhe vepra. Të verbuar nga epshet, ata nuk mund ta njohin të vërtetën.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (A’raf; 179)

“Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit). Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.” (En’am; 119)

Mu për këtë, dijetarët e mëparshëm (selefi) ua tërhiqnin vëmendjen popullatës islame që të mos ulen në mexhlise e atyre të cilët ishin të
veshur me këso cilësi.

“Mos u ulni afër atyre që janë epshorë, as mos polemizoni me ta, sepse mund t’ju zbusin në errësirën e të pavërtetës, dhe të vërtetën, për të cilën ju jeni të bindur se është e tillë, mund t’ua veshin me të pavërtetën.” (Ebu Kilabe )

“Mos rrini me epshorët, sepse mexhliset e tyre janë sëmundje e zemrave të shëndosha.” (Ibn Abbasi)

“Lufta për mposhtjen e vetvetes dhe pasioneve të saj është baza e luftës ndaj pabesimtarëve dhe hipokritëve pasi askush nuk mund t’i mposhtë ata pa mposhtur vetveten dhe pasionet e saj. Nëse arrin ta bëjë këtë atëherë mund të jetë i aftë për luftë kundër tyre (armiqve). Kushdo që e mposht vetveten me pasionet e saj të mbrapshta ka arritur lumturi dhe krenari ndërsa atë që e mposht vetvetja dhe pasioni është poshtëruar e ka sharruar.” (Ibn Tejjmije)

Pra, nëse njeriu i sinqertë ulet në mexhliset e epshorëve, ai vështirë e ka të shpëtojë nga e keqja e tyre. Ose do të ndjekë njeriun epshorë e do të veprojë sipas ideve të prishura të tij, ose do t’i mbillet dyshimi për fenë të cilës i përket, përkundër asaj që është i bindur se ajo është e vetmja fe e drejtë dhe e vërtetë.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “…kur të dëgjoni se po mohohet Kur’ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtërët që të gjithë në xhehennem.” (Nisa; 140)

“E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm jemi mahnitur e defruar”. Thuaj: “A me All-llahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?” (Tewbe; 65)

Gjëja më e rrezikshme për besimtarin në këtë jetë të mbushur me sprova është mashtrimi nga epshet dhe dëshirat e kota dhe ç’orientuese të cilat përbëjnë të keqen e madhe pasi nuk lenë person as bashkësi pa e prishur dhe shthurur.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ajo nga e cila druhem më shumë për ju janë epshet dhe dëshirat e shfrenuara në ushqime (të ngrënë), epshi i dëshirave seksuale, si dhe çdo pasion ç’orientues (çoroditës).” (Transmeton Ahmedi)

Epshet dhe pasionet përafërsisht janë të njëjta në kuptim, vetëm se pasionet në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me idetë e personit ndërsa epshet me sigurimin e kënaqësive materiale të kësaj jete. E ajo që vlen të theksohet është se epshet s’janë gjë tjetër vetëm se rrjedhojë e pasioneve të sëmura.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës?” (Furkan; 43)

“…e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej All-llahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon popullin zullumqar.” (Kasas; 50)

“Por, njeriu dëshiron të vazhdojë edhe më tej në mëkate.” (Kijame; 5)

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Lufta më e rëndë është kur njeriu lufton (të mposhtë) vetveten dhe pasionet e tij.” (Transmeton Buhariu)

Vërtet që pushteti i pasioneve përforcohet me anë të shtytjeve dhe premisave të tyre, me anë të gjërave që i ndihmojnë ato. Ky është pushtet shumë i rëndë dhe i poshtër, ndaj nëse njeriu nuk tregohet i ruajtur dhe i përkushtuar atëherë do të bjerë në këto pasione poshtëruese e shkatërruese. Kushdo që druhet se po ik koha për kthesë le të ngutet e të pendohet para se ta kapë vdekja.

Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Xheneti është i rrethuar me gjëra të pakëndshme (për njeriun) ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me gjëra të pëlqyeshme (për të).” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi )

D.m.th: Njerëzit janë të obliguar të kryejnë gjëra (vepra) të cilat i shohin si të vështira e të mundimshme, në mënyrë që të fitojnë Xhenetin ndërsa Xhehenemi nuk kërkon mund, mjafton që njeriu të jepet pas dëshirave dhe qejfeve të cilat i pëlqen dhe do ta arrijë atë që e meriton (Xhehennemin).

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Jo (ata nuk kanë fakt), por ata që i bënë të padrejtë vetes, pa ndonjë fakt të dijes, shkuan pas dëshirave të epshit të vet.” (Rum; 29)

“E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve.” (Nazi’at; 40)

“E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor.” (Bekare; 145)

Pra, pakujdesia dhe epshi janë esenca e së keqes. Pasioni është një ndjenjë apo emocion shumë i theksuar ndaj ndonjë personi apo diçkaje. Pasioni ndryshon nga afekti sepse ai nuk është emocion që vepron në një moment të caktuar por është një veprimtari të cilin personi e ushtron me tërë qenien e vet me gjithë shpirt

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar.” (Kehf; 28)

“A është i njëjtë ai, që është i mbështetur në argument të qartë prej Zotit të vet, si ai që veprat e tij të këqija i janë hijeshuar dhe ndjekin epshet e veta?” (Muhammed; 14)

Epshi ndaj gjinisë femërore nga mashkulli ishte shkak për vrasjen e parë duke ia bashkangjitur edhe xhelozin. Por, poashtu edhe epshi së bashku me inati e mendjemadhësinë shpeshherë janë shkaktar edhe për refuzimin e të vërtetës.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Atëherë epshi i tij e bindi atë për mbytjen e të vëllait dhe e mbyti atë. Ai mbeti prej më të dëshpëruarve (hidhëroi prindërit, mbeti pa vëlla, u përbuz prej Zotit dhe u fut në xhehennem).” (Maide; 30)

“…por sa herë që u erdhi atyre ndonjë pejgamber që (me mësime) nuk u pëlqeu epsheve të tyre, ata disa prej tyre i përgënjeshtruan, kurse disa të tjerë i mbytën.” (Maide; 70)

Jo, gjithçka që njeriut ia kërkon epshi edhe mund të jetë e arritshme.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Sikur njeriu të kishte një luginë me arë, do të dëshironte t’i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë) përveç dheut. Atyre që bëjnë tevbe All-llahu ua pranon tevben e tyre.” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi)

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “A mos do t’i takojë njeriut ajo që ai e dëshiron (Jo)?” (Nexhm; 24)

Epshi i lejuar është epshi me gruan në martesë, si dhe mundësia më e mirë për t’u mbrojtur nga epshi është dituria.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Gratë tuaja janë vendmbjellje e juaj, afrohuni vendmbjelljes suaj si të dëshironi, por përgatitni për veten tuaj, dhe kini frikë All-llahun, e ta dini se fundi juaj është tek Ai, e besimtarëve jepu myzhde.” (Bekare; 223)

“A është i njëjtë ai, që është i mbështetur në argument të qartë prej Zotit të vet, si ai që veprat e tij të këqija i janë hijeshuar dhe ndjekin epshet e veta?” (Muhammed; 14)

Allahu e di më së miri!
Allahu na ruajt prej epshit.
AMIN !

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit