0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Mos i gjykoni përdoruesit e drogave, por ndihmojini ata

Më të lexuarat

Pse njerëzit përdorin drogë? Pse ata janë të varur nga kjo substancë? Si ka mundësi që një përdorues i drogave të jetë aq i pamëshirshëm me veten e tij, sa që ta dëmtojë shëndetin, madje edhe ta rrezikojë jetën e tij?

Arbër Zeka
Psikoterapist
tel: +377 44 406 994
“Friend of Conseling”
[email protected]

Jemi të vetëdijshëm se vendimi që një person të marrë drogë është vullnetar, derisa përdorimi i përsëritur i saj, mund të çojë në ndryshime të trurit, ndryshime të cilat sfidojnë vetë-kontrollin e një personi, duke ndërhyrë kështu në aftësinë e tij për të rezistuar ndaj dëshirave intensive për të marrë substanca narkotike.

Këto ndryshime të trurit mund të jenë të vazhdueshme (përkeqësim i gjendjes), duke bërë kështu që, pavarësisht abstenimit nga përdorimi i substancave narkotike, personi që merr drogë t’i rikthehet vesit të vjetër.

Pse njerëzit përdorin drogë? Pse ata janë të varur nga kjo substancë? Si ka mundësi që një përdorues i drogave të jetë aq i pamëshirshëm me veten e tij, sa që ta dëmtojë shëndetin, madje edhe ta rrezikojë jetën e tij? Gjithashtu, duhet pas parasysh se, në të shumtën e rasteve njeriu lidhet me drogat, jo si pasojë e dëshirës, por i shtyrë nga probleme tjera psikologjike.

Në shumicën e rasteve – po flas nga përvoja personale – përdorimi i drogës është rezultat i ankthit, dëshpërimit, vuajtjes, mllefit dhe dhimbjeve nga të cilat kanë tentuar të largohen. Substancat narkotike kanë qenë i vetmi mjet ku ata kanë gjetur prehje për t’i “përmbushur” nevojat dhe mungesat e tyre emocionale.

Pra, shumë njerëz nuk mund të kuptojnë se si dikush ka rënë pre e drogës, apo si bëhet që dikush të bëhet i varur nga drogat. Një paragjykim tjetër, kuptohet i padrejtë, që ekziston për ata që marrin drogë është mendimi se kjo kategori e njerëzve nuk kanë parime, moral apo edhe vullnet për t’u larguar nga humnera në të cilën janë futur.Realisht varshmëria e drogave është një sëmundje komplekse dhe nuk mund të krahasohet me pirjen e duhanit, e cila mund të stopohet me një vullnetin të çeliktë për të ndryshuar.

Varshmëria nënkupton një sërë vështirësish për të kontrolluar sjellje të caktuar, që përsëriten në masë të madhe, e që kanë pasoja. Shpëtimi nga emocionet tronditëse, ndikon që personi ta ketë vështirë të lirohet nga përdorimi i substancave narkotike.

Ky “nënshtrim” ndaj drogave shkakton vuajtje dhe dhimbje për përdoruesin, po jo vetëm për të, por edhe për rrethin e tij shoqëror dhe familjen. Andaj themi se varshmëria e drogave është një sëmundje kronike e karakterizuar nga kërkimi për të përdorur atë materie dhe gjetur zgjidhje për t’i shëruar dhimbjet shpirtërore.

Në shumë raste njerëzit që janë të varur nga drogat nuk janë në dijeni të varësisë së tyre dhe ndikimin që mund të kenë këto substanca në marrëdhëniet e tyre me shëndetin dhe shoqërinë. Varshmëria nga substancat narkotike është më shumë se thjeshtë një varësi fizike, ku edhe pas detoksimit (pastrimit) – kur varshmëria fizike është zgjedhur – ata që kanë qenë të varur – janë në rrezik të lartë për rikthim.

Faktorët psikologjik dhe social janë stimuj shumë të fuqishëm, për të mos thënë determinues, që abuzuesi i drogave të rikthehet.

Si shumica e sëmundjeve të tjera kronike, si diabeti, astma, ose sëmundjet e zemrës, trajtimi për varësinë e drogës, në përgjithësi. nuk është një shërim i plotë. Megjithatë, varësia është e shërueshme dhe mund të menaxhohet me sukses. Por njerëzit e shëruar nga varësia, do të jenë në rrezik që të rikthehen si përdorues të drogës.

Një person i cili është i varur nga droga nuk e ka të lehtë shërimin, për shkak dhe se duhet të jetë i përgatitur për një proces të gjatë dhe të mundimshëm të trajtimit.

Ka trajtime nga më të ndryshmet për këtë problem, por gjithsesi një trajtim eklektik, e ku gjithsesi përfshihet farmakologjia dhe psikoterapia, të përcjellura nga dëshira e madhe e pacientit për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, janë të domosdoshme. Veçanërisht për mendimin tim, duke qenë njohës i fushës, psikoterapia trupore do të linte një rol vendimtar me teknikat e saj për të ofruar shërbime kurues të shërimit nga abuzimi me drogat.

Por, si do mund të ndihmonte psikoterapia trupore?

Psikoterapia trupore konsideron se njerëzit përjetojnë botën jo vetëm me mendimet dhe emocionet e tyre, por edhe në të njëjtën kohë edhe me trupin e tyre. Andaj duke konsideruar patjetër problemin e varshmërisë së drogave si një problem organik dhe psikik, psikoterapia trupore mendoj se është teknika më ideale e trajtimit të këtij problemi, përmes teknikave të veçanta të saj.

Kur një person fillon psikoterapinë trupore, seanca e parë mund të jetë një format i ngjashëm me një seancë: terapi këshillimi që karakterizohet vetëm me bisedë. Terapisti mbledh informacion në lidhje me shqetësimet e paraqitura, marrëdhëniet ndër-personale, përvojat e personit me humbjet jetësore, traumat, për ta kuptuar pse këta persona abuzojnë me substanca narkotike. Përgjatë këtij procesi, terapisti do të shfrytëzojë leximin e trupit, një teknikë vlerësimi që ndihmon të identifikohen informata të rëndësishme përmes trupit e që nuk shqiptohen dot nga goja.

Pasi të janë identifikuar shqetësimet e paraqitura dhe qëllimet për trajtimin themelor, terapisti do të përdor teknika të ndryshme të dizajnuara për të sjellë në pah lidhjen e vetëdijshme ndërmjet ngjarjeve, mendjes dhe trupit. Këto teknika të zgjedhur janë të përshtatshme për të përmbushur nevojat bazë mbi paraqitjen e shqetësimeve të shëndetit mendor, vëzhgimet e trupit, dhe kapacitetin e personit për të tejkaluar problemin.

Terapisti përfshin aspektet e dialogut nga Geshtalt terapia, terapia e lëvizjeve apo vallëzimit, dhe ajo e përjetimeve somatike, së bashku me teknikat si:

Qendërzimi: Terapisti ndihmon personin të shikon brenda vetes, dhe kështu të stabilizohet nga brenda për reagimet e jashtme.

Tokëzimi: Terapisti shtynë personin që përgjatë terapisë të mësoj veten në rrjedhën e energjisë nga trupi i tyre në tokë. Tendosja, dridhjet dhe ushtrimet e frymëmarrjes janë elemente që e mësojnë personin ta përjetoj ndjenjën e lidhjes me energjinë që buron nga toka.

Kontakti dhe puna më trupin: Terapisti përdor kontaktin terapeutik për të tërhequr vëmendjen për tension në trup, duke nxitur relaksim, ose duke mbështetur personin në përshtatje për kontakt të sigurt. Kjo praktikë mund të përfshijë teknikat që shkojnë nga një dorë qetësuese mbi supe për ta bërë një masazhë biodinamike. Puna më trupin, po ashtu, mund të bëhet qoftë edhe më lëvizje të veçanta, duke ndërhyrë në trup, e sidomos duke integruar këtu tutje me mendimet dhe ndjenjat.

Puna më frymëmarrjen: bazuar në supozimet se njerëzit ndonjëherë duan të ndalojnë të marrin frymë, sidomos kur duan të bllokojnë ndjenjat, teknikat e frymëmarrjes do ta mbështesin personin në rilidhje me frymën e tyre për të sjellë ekuilibër dhe relaksim.

Sidoqoftë, gjithë këtë punë që mëtojmë të jetë e domosdoshme dhe mjaft efikase në trajtimin e varshmërisë ndaj drogave, nuk mund ta bëj secili profesionist i shëndetit mendor. E gjithë kjo punë duhet bërë vetëm nga persona të kualifikuar nga fusha e psikoterapisë trupore, sepse vetëm me edukimin e veçantë të marrur për aplikimin e këtyre teknikave, terapisti do arrij suksesin e pritur.

Për shkak se psikoterapia trupore përfshin punën intime që kanë të bëjnë me kontakte dhe lëvizje, është e nevojshme që terapisti të jetë një profesionist i trajnuar.

Së fundmi, problemi i varshmërisë ndaj drogave, është thjesht një problem shëndetësor e që mund të quhet dhe kronik, e po ashtu personat që vuajnë nga ky problem thjesht janë qenie humane, e si të tillë edhe duhet konsideruar.

Një qasje më ndryshe për t’i dhënë këtyre personave motiv për jetën, mund t’i ndihmoj ata të marrin forcën për të luftuar konfliktet e brendshme dhe për të u rikthyer në një jetë normale emocionale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit