Nga Artan Fuga
Nuk duhet pritur. Pa asnjë alarm por me qytetari të devotshme dhe të përgjegjshme! Lërini shfaqjet e estradës me ministre shëndetësie në aeroport! Nuk është aty beteja kryesore e autoriteteve!
Mos bëjmë kot! Mos lozim doktorash! Duhet ndryshuar katërcipërisht logjika e mbrojtjes nga virusi vdekjeprurës dhe shumë i rrezikshëm në përhapjen e tij.
Duhet ndryshuar rrënjësisht mënyra e të menduarit! Përndryshe deficienca logjike e deritanishme do të na shkaktojë dëme të mëdha! Më së pari është detyra numër një e qeverisë sot! Përgjegjësia do të jetë e rëndë për këdo nesër!
Nuk duhet pritur të shfaqet rasti i parë dhe pastaj të merren masa, por duhen marrë masa që sot sikur rasti i parë të ishte shfaqur. Që sot! Pa asnjë panik! Qetë, me masa administrative, me bashkëpunimin qytetar, me shoqërinë civile. Sepse ka shumë mundësi që të mos ketë një rast të parë, por të ndodhi një shpërthim epidemie brenda një kohe vetëtimë. Mos nisemi si në rastin italian apo kinez ku shfaqet në një zonë të izoluar.
Te ne ka shumë rrezik të ndodhi ndryshe! Tre janë arsyet kryesore: E para sepse njerëzit që vijnë nga jashtë në Shqipëri nuk qëndrojnë në një ose disa fshatra të izoluara, por lëvizin në të gjithë territorin. E dyta sepse sistemi ynë i dedektimit të virusit nuk mund të jetë kurrë aq i ndjeshëm sa ai italian, gjerman, francez, etj.
E treta sepse ne si kulturë presim dhe durojmë temperaturën, kemi frikë të shkojmë te mjeku, për të mos thënë se niveli higjenik te ne është dhjetra herë më i ulët sesa në vendet europiane!
Shpjegojani OBSH këto specifika, se halli është yni ! Ata njohin virusi, por jo Shqipërinë! Prandaj më mirë të parandalojmë sesa të përpiqemi ta mbushim digën e çarë me thasë me qereste! Duhet tani t’i paraprijmë! Unë nuk mohoj që masa të ndryshme duhet të jenë marrë, por ka nevojë për masa drastike.
Mbyllje e shkollave për disa javë! Shtyrje e aktiviteteve sportive dhe kulturore. Kontrolle të forta dhe hyrje të filtruara në kufijtë tokësorë dhe ajrorë. Masa për transportin publik, për dizinfektime masive. Mbyllje e mensave dhe restoranteve masive! Kufizimi i lëvizjeve nga rrethet drejt qendrave të mëdha urbane, si Tirana dhe Durrësi.
Vetëm shërbime minimale dhe të domosdoshme për njerëzit në hall dhe rrezik jete dhe në urgjencë në qendrat e shërbimeve ! Shpalosje e planeve të karantinës në kushte shfaqjeje rastesh infektimesh!
Etj. Gjithçka duhet bërë si sahat. Nuk duhet trajtuar sikur na bie një tullë në kokë dhe pastaj shkojmë mjekohemi. Pasoja, pra masat kundër një epidemie të mundshme duhet ta paraprijë epideminë. Ta vendosim pasojën para shkakut! Nëse do të gjykojmë si mediokër, pra do të presim shkakun dhe pastaj të vëmë në funksionim pasojën, këtu do të jemi treguar të papërgjegjshëm dhe me pasoja të një përgjegjësie që dreqi e di sesa e madhe do të jetë.
Unë i bëj thirrje pushtetit ekzekutiv të mos merret me opinionistë dhe analistë duke e kthyer betejën kundër koronavirusit në betejë fjalësh, dhe në një fitore në fushën e llogjeve televizive kundër tyre! Liderat e opinionit do të flasin sigurisht! Ajo është përgjegjësia e tyre! Por, të ndryshojë metodë pa ndruajte, pa parë interesa të vockla burokratësh dhe oligarkësh!
Kujdes sepse në shkencat politike, që prej Mishel Fukosë midis politikës dhe epidemive ka një lidhje të brendshme, por nuk po zgjatem këtu! Jo të gjitha pushtetet janë të zotët t’u bëjnë ballë epidemive! Por, ta le këtë temë hëpërhë! Të jemi bashkëpunues ndryshe rrezikojmë kombin! Beteja kundër koronavirusit, për shërimin e plagëve të tërmetit që po durohen por ende nuk kemi filluar as t’i lëpijmë, dhe beteja për demokracinë, të drejta qytetare dhe politike, për shtet ligjor është një e vetme!