10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Mos e kryqëzoni Ramën në Jeruzalem

Më të lexuarat

Nga Andi Bushati

Gabimi më i madh i të gjithë kundërshtarëve të Ramës është se pretendojnë se ai çdo gjë e ka bërë gabim. Kjo ka ndodhur edhe këtë herë. Një histeri e paimagjinueshme ka shpërthyer që prej të enjtes, kur Shqipëria votoi në OKB rezolutën anti amerikane për të mos njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e shtetit hebre. Menjëherë Sali Berisha e quajti këtë akt një tradhëtie kombëtare dhe një rikthim në politikat hoxhiste. Presidenti Ilir Meta shkoi edhe më larg, duke hedhur një tis qesharak shtetit shqiptar dhe i shkroi, Donald Trumpit se vendimi i qeverisë nuk përfaqëson vullnetin e të gjithë shqipëtarëve.

Përpos ekseseve të opozitarëve, nëpër korridoret mediatiko – politike, gëluan gjithfarë teorish konspirative për dominimin sorosian të vendimeve sovrane të Shqipërisë, për pengmarrjen nga Erdogani, që i kishte bërë thirrjeve vendeve të OKB-së të mos shiten “për një grusht parash tek Amerika”, për një konstante anti amerikane të neobllokmenit Edi Rama, që kur ai është bërë kryeministër.

Gati me ekzaltim zëra opozitarë e shikuan këtë akt si një mosmirnjohje spektakolare ndaj hiperfuqisë që na kishte çliruar Kosovën dhe që kishte qenë sponsorja kryesore e pranimit të vendit në NATO. Dhe sikur të mos mjaftonin këto akuza për tradhëti, ato shoqëroheshin me deklaratat e forta që u bënë në Uashington. Me një arrogancë përej miliarderi delirant Donald Trump, fshikulloi ato shtete që mernin paratë e Amerikës dhe votonin kundër saj, ndërsa ambasadorja e tij në OKB Nikki Haley tha se ShBA i kishte mbajtur shënim shtetet disidente duke shtuar se vendi i saj nuk do ta harronte kurrë këtë tentativë për turpërim.

Pas këtyre citimeve të përmendura dhe të ripërmendura disa herë fshihej gati gati ngazëllimi se tani, hakmarrja e hiperfuqisë së vetme të botës do të binte edhe mbi kryeministrin e një vendi liliput prej 3 milion banorësh.

Dhe mes gjithë kësaj zhurme dhe rrokopuje që më tepër ka ngjyrat e një beteje lokale kundër Edi Ramës, sesa një përpjekje për të kuptuar të vërtetën harrohen të bëhen disa pyetje të thjeshta:

Pse qenkërka anti-kombëtare të votosh njësoj si Anxhela Merkel, Emanuel Macron apo Teresa May?

Pse qenkërka blasfemi të bësh të njëjtën zgjedhje që bëjnë prej 19 vitesh presidentë si Klinton, Bush dhe Obama për të mos njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit?

Pse 9 nga 11 ambasadorët që ShBA ka pasur në këtë shtet ShbA e kanë dënuar “Jerusalem Embassy Act” të Trump? Mos vallë edhe ata qenkan tradhëtarë të ShBA më shumë se kryeministri ynë?

Pse qenkërka mëkat të renditesh mes plot 128 vendeve të OKB-së (nga 193 që janë gjithsej)?

Pse qenkërka herezi t’i përmbahesh qëndrimeve tradicionale në Kombet e Bashkuara (madje për vite me radhë edhe nga Amerika) për të mos e njohur qytetin trefish të shenjtë, si kryeqendrën e asnjërës prej palëve në konflikt?

Në të gjithë këtë debat duhet përmendur thënia e një ambasadori, vendi aleat të Amerikës që deklaroi në OKB, se në këtë organizatë votohet për parime dhe jo për pazare dhe se do të qe jo serioze për sejcilin shtet që ka votuar “A” për vite me radhë, të votonte “B” vetëm se papritmas ShBA ndryshoi qëndrim.

Në këtë rast, po të kishte proceduar kështu, Shqipëria do të renditej si një vend qesharak, përkrah ishujve Marshall, Palaos, Naurusë dhe Togos. Në këtë rast ne do të kishim mundësinë të qeshnim dhe të talleshim me Edi Ramën si një politikan servil dhe që thyen të gjitha traditat e qëndrimeve të mëparshme. Ne do të gajaseshim me të njësoj siç bëmë me rendjen e tij për t’a kapur kamerat me Trumpin në samitin e fundit të NATO-s në Bruksel. Ne do të kishim të gjithë të drejtën e botës t’a ironizonim si një kryeministër të korruptuar, të kapur nga krimi dhe droga, i cili zvarritej deri në bythëlëpirje poshtë shtetit më të fuqishëm në botë, për të zgjidhur hallet e veta.

Për fatin tonë të mirë Edi Rama nuk veproi kështu. Natyrisht, askush nuk mund të vërë bast se ai e bëri këtë për qëllime idealiste, parimore, apo për një sens të theksuar ndaj të drejtës. Edi Rama që ne njohim nuk është i tillë dhe ai nuk mund të sublimohet vetëm për një rast të veçantë.

Por e vërteta është se cilat do nga teoritë konspirative që gëlojnë të jenë të besueshme, cilat do të kenë qenë shtysat, qoftë Sorosi, qoftë Erdogani apo qoftë Brukseli, ato përkojnë, në këtë rast, me një votim që i bën nder këtij vendi. Midis imazhit të një shteti lake dhe renditjes përkrah përfaqësuesve të popullsisë më të madhe të globit, Shqipëria u rendit denjësisht në grupimin e dytë.

Ndoshta dhe për këtë, ky vendim, do të mbahet mend si një nga anët pozitive të qeverisjes më shumë sesa problematike të Edi Ramës.

Prandaj, nxitimi për ta shitur këtë histori me ekzaltimin e një sherri banal të Ramës me Trumpin është jo vetëm i gënjeshtërt por edhe dritëshkurtër.

Ai është krejt i ngjashëm me histerinë fallco që u krijua që prej fitores të këtij ndërtuesi miliarder në zgjedhjet e ShBA. Që prej asaj kohe opozita në disa raste ka përkundur idenë se përmbysja e establishmentit sorosian përtej Atlantikut do të shoqërohej me një ndryshim radikal edhe në Tiranë. Me këtë tezë ajo dështoi në qershorin e shkuar. Por me sa duket pësimi nuk i është bërë mësim. Ajo edhe njëherë po tregon se është e gatshme të braktisë parimin, për të kapur okazionin rastësor. Ajo po dëshmon se e ka të vështirë ta mundë Ramën në fushën reale të betejës dhe prandaj këkon kauza të shpikura.

Sepse Edi Rama nuk mund të akuzohet për tradhëti ndaj Amerikës. As për shitje të interesave të shqiptarëve me vendin e madh. Ky është një nga rastet e pakta që ai është rreshtuar në anën e drejtë të historisë. Përkrah me qëndrimet e djeshme të Klintonit, Bushit e Obamës. Përkrah me qëndrimet e sotme të Francës, Gjermanisë dhe Anglisë.

Prandaj ai nuk mund të kryqëzohet në Jeruzalem. Sepse historia shpesh n’a ka mësuar se sulme të tilla vetëm të ringjallin politikisht.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit