Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi është varrosur nën masa intensive sigurie në Kajro në orën 05.00 sipas kohës lokale.
Sipas informacioneve të marra mësohet se gjatë varrimit të Morsit janë marrë masa të larta të sigurisë.
Varrimi i Morsit është zhvilluar vetëm me pjesëmarrjen e familjes dhe avokatëve. Ai është varrosur në varrezat në lindje të Kajros, ku varrosen pasuesit e Vëllazërisë Myslimane (Ihvan) në lagjen Medinet Nasr.
– Ndërroi jetë në sallën e gjyqit
Ish-presidenti 67 vjeçar Morsi i cili u rrëzua nga pushteti me një grusht shteti ushtarak dje ndërroi jetë në sallën e gjyqit ku ai po gjykohej me akuzat për “spiunazh”.
Morsi u zgjodh president i parë në historinë e vendit me zgjedhje në rrugë demokratike në vitin 2012 pas një revolucioni popullor në vitin 2011, që e detyroi ish-presidentin Hosni Mubarak të japë dorëheqjen.
Më 3 korrik të vitit 2013 ai u rrëzua nga detyra përmes një puçi ushtarak nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.
Në televizionin shtetëror të Egjiptit u pretendua se “Mohammed Morsi kishte një tumor beninj dhe ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore ndërsa vdekja u shkaktua nga një sulm në zemër”.
Prokuroria egjiptiane më parë njoftoi se Morsi ndërroi jetë kur mbërriti në spital.