1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Moratoriumi skadoi, njohësit: Dështim nëse institucionet nuk janë përgatitur për aplikime në organizata ndërkombëtare

Më të lexuarat

Sot bëhen një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit.

Ndër pika ishte edhe se Kosova pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Mirëpo, prej sot Kosova tashmë ka të drejtën për aplikim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka treguar si do të veprojë shteti dhe nëse ka gati ndonjë aplikim. Qeveria kritikohet nga opozita për dështim në politikën e jashtme, ndërsa nga shoqëria civile thonë se ekzekutivi tashmë do të duhej të tregonte një pozicion të qartë lidhur me këtë çështje.

Arbër Fetahu, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, në Grupin për Studime Juridike Politike, thotë se Qeveria e Kosovës është dashur të listojë organizatat ku ka më shumë mundësi që të pranohet dhe të konsultohet me akterë të jashtëm në mënyrë që të kuptojë se deri ku është pajtueshmëria e vendeve për Kosovën në këtë aspekt.

Sipas tij, pas përfundimit të moratoriumit Kosova është dashur ta ketë të qartë se ku synon të anëtarësohet.

“Qeveria e Kosovës, edhe ajo e mëparshme, por edhe kjo tashmë e reja që i bën pak më shumë se pesë muaj do të duhej të kishte një pozicion të qartë mbi këtë marrëveshje dhe një pozicion të qartë veçanërisht mbi anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Kur themi pozicion të qartë nënkuptohet që të ketë pozicion për të mëtuar për t’u anëtarësuar tutje, të specifikohen cilat organizata dhe të punohet për to.

Nëse nuk është punuar këto pesë muaj dhe nuk është bërë një lloj hulumtimi, një lloj analize, një lloj strategjie, një përgatitje e thukët mbi aplikimin në këto organizata besoj që është një dështim dhe nuk do të duhej të ndodhte pasi që koha ka qenë e mjaftueshme për t’u bërë gati të paktën për disa prej organizatave apo agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara për të aplikuar”, thotë Fetahu.

Kosova kishte rënë dakord që të mos aplikonte në organizata ndërkombëtare, në anën tjetër Serbia u pajtua që të zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe të përmbahej nga kërkesat zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Emir Abrashi nga Demokraci Plus parasheh që prej sot Beogradi zyrtar të nisë një fushatë intensive kundër shtetësisë së Kosovës për të cilën druan se Prishtina zyrtare nuk është e përgatitur.

Ndërsa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Abrashi thotë se do të jetë e vështirë pasi Kosova aktualisht nuk ka një strukturë të sistemit diplomatik me shumë prej Ambasadave tona pa titullarë.

“Me përfundimin e këtij moratorium ne do të ballafaqohemi me një fushatë intensive nga ana e Serbisë për çnjohje dhe ne jemi të papërgatitur për t’i bërë ballë kësaj fushate, e në anën tjetër edhe anëtarësimi jonë në organizata ndërkombëtare varet nga një lobim i thellë i cili do të jetë i pamundur për shkak se ne nuk e kemi të strukturuar mirë sistemin tonë diplomatik dhe misionet tona i kemi pa krerë misionesh. Periudha e emërimit të ambasadorëve nuk është çështje ditësh apo javësh, është çështje muajsh, andaj ne do të ballafaqohemi me mungesë ambasadorësh të paktën deri në vitin 2022”, thotë Abrashi.

KosovaPress tentoi disa herë që të merrte një qëndrim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në lidhje me planin e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj konsideron që qeveria ka dështuar në politikën e jashtme dhe nuk ka një strategji sa i përket aplikimit në organizata ndërkombëtare.

“Këtë çështje e kam ngrit para përfundimit te sesionit pranveror. Po fatkeqësisht s’kam marrë përgjigje. Pyetja ka qene e drejtuar zv.kryeministrit Bislimi për të ditur se a ka bërë Kosova përgatitje për aplikim në organizata ndërkombëtare. Sepse kur është arritur marrëveshja kanë kundërshtuar se gjëja po abstenojmë prej pavarësisë së Kosovës. Duke e ditur dështimin në politikën e jashtme po e shoh se nuk ka as strategji, as përgatitje për aplikim. Për të aplikuar duhet përgatitje e mirëfilltë, po kush do të lobojë kur të gjitha qendrat kanë ngelur pa ambasadorë. Kjo qeveri është e dështuar e bashkë me të edhe politika e jashtme”, thotë Kadrijaj në një përgjigje me shkrim.

Më 4 shtator 2020, kryeministri i atëhershëm Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan të ashtuquajturën marrëveshje për normalizim ekonomik, por që përfshinte edhe çështje politike. Ajo që gjerësisht njihet si Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. /kp/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit