Morali më i lartë
Në këtë botë ka mjaft njerëz të mirësjellshëm, dhe padyshim mirësjellja është pjesë e moralit, por njerëzit nuk janë si çdo gjallesë tjetër që kanë nevojë vetëm t’i miklosh, që të të duan dhe respektojnë. Njerëzit janë së pari qenie shpirtërore, që kanë më së shumti nevojë për të njohur të vërtetën, të drejtën dhe qëllimin për të cilin jetojnë. Dhe e vërteta shpesh i hidhëron njerëzit, por pa atë, ata do të jetojnë si kafshët, të cilat nuk vuajnë të njohin të vërtetën e krijimit dhe të shpalljes hyjnore. Është ky niveli i gjallimit, në të cilin bie shumica e njerëzve, ndaj dhe për këtë, ata preferojnë mirësjelljen para së vërtetës. Ndaj dhe të jesh i vërtetë dhe me të vërtetën, është sfida më e madhe në jetë, sepse të duhet të kapërcesh veten dhe shoqërinë dhe pikërisht për këtë, të vërtetin e duan më pak njerëz, sepse ai iu çel atyre sytë të shohin edhe atë që nuk e pëlqejnë dhe e refuzojnë.
I vërteti thotë gjithmonë të vërtetën dhe të drejtën, të moralshmen dhe parimoren, ndërsa i mirësjellshmi thotë vetëm atë që njerëzve iu pëlqen të dëgjojnë, edhe nëse ajo që ai thotë, është një e pavërtetë ose një e vërtetë e pjesshme dhe e kufizuar. Dhe të jesh i vërtetë është morali më i lartë. Profetët e Zotit ishin njerëzit më të moralshëm, sepse ata ishin të vërtetë në çdo gjë që thoshin dhe vepronin.
Por ndërkohë, gjen mes besimtarëve dhe prijësve fetarë që i japin përparësi mirësjelljes karshi së vërtetës, sepse hamendësojnë se kjo është rruga më mirë e përcjelljes së mesazhit hyjnor! Por, thellë thellë arsyeja e vërtetë është frika nga përballja dhe refuzimi i njerëzve, ajo që i shtyn që në predikimet e tyre të dominojnë mesazhet e paqta dhe shumë pak të vërteta, për të cilat gati askush nuk kundërshton. Për të vërtetët nuk ka një kohë kur mund të heshtet dhe një kohë kur duhet të jesh sa më i pranueshëm tek njerëzit, ndaj kush synon kënaqësinë e Krijuesit, ai të vërtetën e ka parësore, edhe nëse kjo është e hidhur, ndërsa kush synon miratimin dhe dashurinë e njerëzve, për të, e vërteta shndërrohet me kalimin e kohës në një synim të largët, e cila vjen një ditë dhe harrohet.
Justinian Topulli