5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Monedha të imëta ka mjaftueshëm në treg – pse shumica e bizneseve nuk i kthejnë 1 dhe 2 centët pa i kërkuar konsumatori?

Më të lexuarat

Qytetarët e Kosovës jo nga të gjitha bizneset marrin ‘kusurin e imtë’ pas blerjes që bëjnë, për të mos thënë se një numër i madh i bizneseve as që marrin mundin për t’i kthyer 1 dhe 2 cent.

Por, në të shumtën e rasteve as qytetarët nuk i kërkojnë, ndonëse nga moskthimi i 1 dhe 2 centëve fitimi i kompanive konsiderohet të jetë i madh.

Po ashtu përgjatë periudhës së fundit nuk është vërejtur ndonjë kampanjë nga BQK apo institucionet tjera të cilat do të vetëdijesonin qytetarët që t’i kërkojnë paratë e tyre, edhe pse në pyetje janë centët.

Vetëm në pesë vitet e fundit (2018-2022) duke përfshirë këtu edhe periudhën prej 1 janar deri 30 nëntor 2023, BQK përmes bankave komerciale ka furnizuar tregun me mbi 46.6 milionë copë monedha euro të të gjitha denominimeve.

Nga Banka Qendrore e Kosovës i ka thënë Telegrafit se në kuadër të kompetencave të saj, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në suaza të rregullta furnizon sektorin bankar (bankat komerciale) me të gjitha denominimet e monedhave euro plotësisht të reja, të sjella nga bankat e Eurosistemit.

“Si çdo bankë tjetër qendrore edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është kompetente për sigurimin e një furnizimi të duhur të ekonomisë vendore me kartëmonedha dhe monedha euro për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.

Këtë funksion, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e kryen në mënyre indirekte përmes bankave komerciale të cilat janë drejtpërdrejtë të ndërlidhura me ndërmarrjet, bizneset dhe qytetaret.

Në kuadër të kompetencave të saj, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në suaza të rregullta furnizon sektorin bankar (bankat komerciale) me të gjitha denominimet e monedhave euro plotësisht të reja, të sjella nga bankat e Eurosistemit”, thuhet në deklaratën për Telegrafin.

Më tej BQK njoftoi se me qëllim të stimulimit të tërheqjes të këtyre monedhave dhe lehtësimin e qasjes së furnizimit me monedha të bizneseve dhe qytetarëve në bankat komerciale tarifa për tërheqje të monedhave pranë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është falas.

“Për më shumë, gjithnjë në kuadër të kompetencave të saj, furnizimi i bankave komerciale me monedha nga Banka Qendrore të Republikës së Kosovës bëhet duke u bazuar në kërkesat që kanë këto të fundit për sasinë e monedhave, kërkesë kjo që kryesisht është e determinuar nga kërkesat që pranojnë këto të fundit prej qytetareve dhe bizneseve.

Për kryerjen e këtij funksioni Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mban sasi optimale të monedhave euro dhe i furnizon këto të fundit në mënyrë të vazhdueshme.

Vetëm në pesë vitet e fundit (2018-2022) duke përfshirë këtu edhe periudhën prej 1 janar deri 30 nëntor 2023, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes bankave komerciale ka furnizuar tregun me mbi 46.6 milionë copë monedha euro të të gjitha denominimeve”, thonë nga BQK për Telegrafin.

Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë për Telegrafin se nuk ka të dhëna të përditësuara lidhur me të ardhurat e bizneseve në Kosovë nga moskthimi i monedhave të imëta.

Besart Krasniqi nga OEK i tha Telegrafit se kjo praktikë e moskthimit të këtyre monedhave ka qenë më e theksuar në vitet e kaluara, por aktualisht duket se nuk është një çështje e theksuar tek kompanitë.

“Prandaj, është vërejtur një ndryshim pozitiv, sepse disa markete apo kompani me pakicë tani kanë filluar ta respektojnë kërkesën e konsumatorëve për kthimin e monedhave të imëta. Kjo është bërë e mundur, ndër të tjera, edhe për shkak të disponueshmërisë së mjaftueshme të këtyre monedhave në treg”, tha ai.

Ai tha më tej se është e rëndësishme të theksohet se nëpërmjet kontakteve të tyre me bizneset është bërë e ditur se ato janë të informuara që janë të detyruara të kthejnë kusurin dhe janë duke e respektuar këtë.

“Andaj, për këtë çështje, sugjerojmë një përfshirje më të madhe të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila mund të sigurojë furnizim të qëndrueshëm të monedhave të imëta për banka private, sepse janë monedha që dalin nga tregu. Por, edhe një afërsi më e ngushtë dhe bashkëpunim me sektorin privat përmes iniciativave dhe kampanjave të ndryshme që mund të kontribuojë në adresimin më efikas të kësaj çështjeje dhe në ndërgjegjësimin e publikut”, tha ai.

Krasniqi potencoi se për shkak që ka një disponueshmëri të mjaftueshme të monedhave të imëta në tregun e Kosovës, dhe ato kanë filluar të përdoren nga kompanitë dhe konsumatorët.

“Megjithatë, në vazhdim, kërkohet nevoja për një përfshirje më të gjerë nga Banka Qendrore e Kosovës për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm të këtyre monedhave në treg. Kjo ndërhyrje duhet të mbajë monedhat e imta në qarkullim, duke theksuar se ato janë të rëndësishme dhe duhet të mbahen në dispozicion dhe në sasi të njëjtë në treg.

Prandaj, fakti që këto monedha dalin nga tregu ose mblidhen nga bizneset dhe persona privatë për një kohë të caktuar shton në kuptimin e nevojës për një mbikëqyrje dhe mbështetje të vazhdueshme për të siguruar që tregu mos të përballet me mungesë të tyre. Kjo sugjeron një qasje më të afërt dhe bashkëpunuese midis BQK-së dhe sektorit privat për të ruajtur disponueshmërinë dhe funksionimin e furnizimit të këtyre monedhave të imëta në treg”, tha ai.

Ndërkaq, i pyetur lidhur me atë pse nuk ka fushata që qytetarët të vetëdijesohen që t’i kërkojnë paratë e tyre pavarësisht se janë 1 ose 2 cent, ai tha “Gjithsesi që fushatat vetëdijesuese janë një mjet efektiv për të informuar publikun dhe promovuar praktika të caktuara. Por edhe sa i përket mungesës së fushatave të tilla specifike në Kosovë në lidhje me kthimin e monedhave të vogla duket se ka pasur një zhvillim pozitiv në kuptimin e ngritjes se vetëdijes për kthimin e monedhave të vogla 1, 2, centëshe”.

“Prandaj, theksojmë edhe një herë se ky proces ka qenë më i theksuar në të kaluarën dhe se vetëdijesimi i bizneseve dhe klientëve ka arritur në një nivel që tani shumica e tyre duket se respektojnë këtë proces, por edhe disponueshmeria e këtyre monedhave të imëta në treg e ka bërë efektin e vetë.

Për fund duhet që të theksohet se kjo është një dukuri që po eliminohet në vendin tonë, sepse kanë qenë të dëmtuar biznesi, konsumatori apo edhe punëtori në këto biznese”, tha Krasniqi në fund. /Telegrafi/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit