Shteti i vogël në Evropën Lindore, Moldavia, ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian.
Moldavia u bë shteti i parë që nënshkruan një pakt të tillë, tha shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Ky partneritet do të forcojë qëndrueshmërinë e këtij shteti. Pakti do të mundësojë një qasje të përbashkët për sfidat e sigurisë dhe do ta bëjë përfshirjen tonë më efektive dhe do të mundësojë eksplorimin e fushave të tjera të bashkëpunimit”, tha Borrell.
Moldavia, që udhëhiqet nga presidentja properëndimore, Maia Sandu, ka shprehur dëshirën që të anëtarësohet në BE dhe në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s.
Ky shtet po ashtu ka dënuar fuqishëm pushtimin rus të Ukrainës.
Rajoni Transdniestër në Moldavi, një rrip toke që banohet kryesisht nga rusishfolësit dhe gjendet në breg të lumit Dniestër, shpalli pavarësinë më 1990. Që atëherë, Moska ka stacionuar trupa në këtë rajon.
/REL/