0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Mogherini: Njohim rezultatin e referendumit në Turqi, partnere strategjike e BE-së

Më të lexuarat

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi të premten nga Malta se Unioni njeh rezultatin e referendumit në Turqi, një partenere strategjike e BE-së…

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi të premten nga Malta se Turqia nuk është vetëm një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe një partner strategjik i BE-së.

“Nga perspektiva e BE-së, mund të themi se negociatat për anëtarësim vazhdojnë. Ato nuk janë ngrirë, as nuk janë pezulluar”, tha Federica Mogherini.

Ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në La Valetë, ku mori pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (Gymnich).

Sipas saj, takimi ishte shumë i dobishëm, i frytshëm, konstruktiv dhe i rëndësishëm.

“Patëm rastin të kemi bisedime të sinqerta dhe të hapura me Turqinë. Me shtetet anëtare të BE-së kemi biseduar për gjendjen aktuale të Turqisë dhe për marrëdhëniet tona në të ardhmen”, u shpreh Mogherini pas takimit me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu.

“Ne njohim dhe respektojnë të drejtën e çdo vendi, përfshi këtu edhe Turqinë, për të vetëvendosur në lidhje me sistemin e drejtimit të shtetit”, nënvizoi shefja e diplomacisë evropiane.

Pavarësisht kritikave të shumta dhe ankesave pas votimit plebishitar të mbajtur më 16 prill në Turqi për ndryshime kushtetuese, Mogherini theksoi se Unioni respekton rezultatin e referendumit.

“Bashkimi Evropian është pranë Turqisë me ekonominë e saj të suksesshme dhe demokratike”, siguroi ajo duke shtuar se qëllimet e BE-së nuk kanë qenë asnjëherë në dëm të Turqisë dhe popullit turk.

Federica Mogherini vuri në pah se marrëdhëniet BE-Turqi janë përtej kornizës së anëtarësimit dhe Turqia është një partnere strategjike e rëndësishme e Evropës.

Në fund, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë theksoi edhe një tjetër herë se negociatat nuk kanë përfunduar, por edhe se kjo nuk nënkupton që kapituj të rinj do të hapen menjëherë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit