9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Moda sot, nga spektakël ideologjik drejt uniformitetit të kaosit – Redi Shehu

Më të lexuarat

Moda sot, nga spektakël ideologjik drejt uniformitetit të kaosit

Nga Redi Shehu

Në ecejakun tonë të përditshëm, ngelesh i shtangur nga mënyra e njëjtë se si njerëzit komunikojnë përmes veshjes. Edhe pse i ndryshëm në ngjyra dhe dukje, uniformiteti i këtij komunikimi ushtron trysni të lartë në transmetimin e një forme të vetme identiteti vizual, i cili i ngjan një ideologjie që duket brenda një kallëpi të njëjtë. Që nga posteri në stacionin e autobusit e deri tek ekranet televizive, silueta e një femre të veshur brenda një zhveshjeje perfekte, përpiqet të dalë nga rrjeta e pëlhurës plot vrima transparente që mundimshëm rreket t’i mbulojë sipërfaqe të mëdha mishi. Nga takat në plazh e deri tek kostumet e politikës, ky komunikim konsensual me një afat të caktuar skadence, të cilin shpesh kemi qejf ta quajmë modë, gëzon aprovimin e një mase të madhe njerëzish të cilët vihen në garë për ta përqafuar tërbimshëm atë pavarësisht gjeografisë, ekonomisë, politikës apo edhe luftës. Ajo që ne veshim – dakordësinë tonë të heshtur – si dhe shfaqja e saj në publik përbën thelbin e ndikimit tonë kulturor ndaj kohës.

Nuk është veshja ajo që në vetvete e ndërton këtë kuptim të përbashkët për komunikimin tonë vizual, por është ajo kulturë e ndërtuar në heshtje të cilën e konsiderojmë modë. Pikërisht ky është keqkuptimi më i madh që ndodh kur ne ngatërrojmë veshjet me modën. Të parat janë veçse mjete të cilat pasqyrojnë ideologjinë, kuptimin apo edhe kulturën e një periudhe kohore të caktuar, ama modë nënkupton një konglomerat mjetesh, mekanizmash dhe pushtetesh që zënë fill nga një grup i posaçëm që orienton prirjet e njerëzve në një drejtim të caktuar. Këta trendsetters, globalisht përkthehen në fuqinë e re më të madhe jo vetëm komunikuese, por edhe politike që ka bota sot. Këta krijues të prirjeve sociale janë kthyer tashmë në krijuesit e prirjeve të cilët marketojnë industrinë e tyre me shumë kujdes, të pasuruar me një bashkësi elementesh kontroverse. Në këtë mënyrë, një formë e presionit social amplifikohet mbi individët, familjet apo edhe grupet shoqërore, për të arritur modelin e afishuar, të mirën e mundshme, të kornizuar brenda tipologjish aliene dhe aspak të natyrshme. Këtu një kontradiktë e fortë merr udhë, kontradikta mes dëshirës dhe mundësisë, mes të natyrshmes individuale dhe modelit social, bazuar pikërisht mbi kutin matës çudibërës të modës. Të kompleksuar atëherë nga kjo ndjenjë, të rinjtë apo edhe grupe të tjera sociale e kthejnë merakun për t’u bërë njësh me modelet e trendsetters-ave, në uniformizim shijesh dhe prirjesh.

Moda, si një industri i e fuqishme e komunikimit vizual, e bën këtë duke transmetuar brenda këtij kanali flukse të forta politike, sociale dhe kulturore. Ajo shpesh kthehet në përfaqësuesen e epokave të ndryshme në të cilin njerëzimi ka kaluar përgjatë kursit të historisë. I rëndësishëm në gjithë këtë mesele nuk është aq fakti se të gjithë duhet të kenë akses të njëjtë në modë, por ai është që të gjithë të mund të perceptojnë të njëjtën gjë. Ky është suksesi më i madh i cili e kthen ideologjikisht modën në një armë që nuk vret, por ngjall vdekjen e së posaçmes individuale në mesin e një shoqërie.

Moda një fasadë e bukur e ideologjisë

Kryesisht në Perëndim, por tanimë edhe më gjerë, moda, si një konglomerat kulturor, ka shërbyer jo vetëm për të identifikuar periudha të ndryshme ideologjike në të cilën shoqëritë kanë kaluar, por në të njëjtën kohë edhe si një stacion ndarjeje të një epoke nga një tjetër. Vetë profilizimi politik i shoqërisë, në më të shumtën e rasteve dhe në më të shumtën e vendeve, është përqendruar në dy ideologjitë më të mëdha, liberale dhe konservatore. Ndryshimet e këtyre dy botëve janë pasqyruar në mënyrën se si komunikimi verbal është përkthyer në komunikim vizual pikërisht bazuar në përkatësinë e grupeve të caktuara, pa folur dhe pa pasur fare nevojë për të dhënë shpjegime, thjesht është afishuar si modë e të jetuarit, si materializim kokëfortë ideologjik.

Liberalët kanë mënyrën e tyre autentike të të bërit modë, në një format që në qendër ka heroin i cili ka sfiduar çdo traditë, i ka shpallur luftë së shkuarës dhe me optimizmin e “vitit zero”, i ka atribuuar vetes pronësinë mbi racionalizmin. Për pasojë shfaqja e tij në publik, përfshirë edhe veshjen, është tipike jokonformiste duke ndërtuar një botë të tijën të ndjenjave, shijes dhe estetikës, të cilën ua imponon të tjerëve si vlerë. Duke qenë një modë pa kufij dhe udhëzues të saktë, gardëroba këtij modeli ideologjik është fluide, e ndryshme, e pakategorizueshme, sfiduese, joshëse, zhveshëse, revoltuese, provokuese, për pasojë ikona e tij përpiqet të jetë unike brenda llojit pa e ditur as vetë pse. Për këtë, ai kryesisht zgjedh t’i vijnë në ndihmë uniforma monokromatike, ngjyra të çelura, flokë të acaruara, veshje të errëta në të zezë, këpucë unike për nga parametrat, aksesorë nga më të çuditshmit dhe në fund një afresk mishtor tatuazhi, mundësisht në vendet më kontroverse të mundshme. Sigurisht, pa harruar në fund fare se gjithë këtë e bën për të mbrojtur mjedisin.

Konservatorët e konsiderojnë modën, në kuptimin që kemi ne sot për të, si një stil i njëjtë i pandryshueshëm në botëkuptim, i cili varion vetëm në detaje të caktuara për kohë të caktuara. Ekspozimi i jashtëm nuk është revolta e një individi ndaj shoqërisë, por është një ndjenjë e vazhdimësisë e pleksur me thjeshtësinë, modestinë dhe prakticitetin. Shpesh gjen ndjekës të ideologjisë së krahut të djathtë që identifikohen lehtë në stilin e veshjes me kapele tip sportive, fanella, xhinse, çizme lëkure dhe pse jo shpesh veshje utilitare të profesioneve të përditshme pa përjashtuar edhe uniformat e profesionit që kanë. Bindja te ndryshimi i ngadaltë dhe tek mbartja e traditës, si dhe lidhjet me simbolikat e vendit ku jetojnë, janë format më të zakonshme që konservatorët në përgjithësi dialogojnë me të tjerët përmes këtij komunikimi vizual.

Moda është një gjendje e vetëshfaqjes e cila nuk qëndron neutrale ndaj bindjeve, qëllimeve, angazhimeve ideologjike, ajo është një gjendje e vazhdueshme transmetimi e këtyre bindjeve dhe konfirmon ngulmimin tonë ndaj tyre. Mjaftojnë disa fjalë të printuara në veshjet tona, apo në kapele, mjaftojnë disa ngjyra apo simbole të vendosura me kujdes në uniformat, çantat tona etj., për të shfaqur bindjet politike dhe ideologjike pa pasur nevojë të ulërinim nëpër mitingje apo kongrese partie. Moda ta lejon këtë, të lejon të tregosh të brendshmen tënde shpesh edhe në formë ta pavetëdijshme dhe këtë ta ndash me publiken rreth teje. Në tradicionalizëm veshja ka qenë e koduar brenda disa tipologjive hierarkike të cilat tregonin statusin social të personave që e mbanin atë. Ajo ishte për shekuj me radhë e koduar brenda një status-quo-je të pandryshueshme e cila i ndante klasat në aristokraci dhe popull i thjeshtë, një prerje horizontale e shoqërisë e pasqyruar në mënyrën se si ajo vishej. Mbreti dhe kasta e tij përballë popullit të thjeshtë ishte fotografia bazë e modës në pothuajse të gjitha vendet e botës në këtë periudhë.

Pastaj vjen periudha e Iluminizmit në Evropë, e cila thelbin e vet ideologjik – barazi dhe vëllazëri – do ta shfaqte në mënyrën e veshjes e cila shkëputej nga prerja horizontale e klasave drejt uniformitetit, barazisë dhe shansit për t’u dukur për secilin pavarësisht pozitës, klasës apo kontributit social, sepse tashmë kriteri i vlerësimit nuk ishte pozita, por racionaliteti dhe individualiteti. Ky individualizëm që zë fill në fillimet e Rilindjes dhe gjendet në pothuaj të gjitha fushat e jetës: në art, filozofi, shkencë, letërsi me qendër njeriun përmbledhur në nocionin e humanizmit, nuk kishte sesi të mos pasqyrohej dhe në modën e re jo vetëm të veshjes, por edhe të të jetuarit tashmë. Ky individ i ri i Rilindjes përfaqësonte revoltën ndaj kastës së vjetër monarkike, dhe modeli i tij, nga veshja deri tek forma e të jetuarit, filloi të kthehej në mascot-in e ideologjisë së re liberale. Nga veshja e hershme e njeriut të ri të Rilindjes e deri tek tatuazhet masive të postmodernitetit, ka kaluar kohë, por esenca liberale e të kuptuarit të botës nuk është ndalur, përkundrazi, nëse në fillimet e saj veshja konsiderohej si një shprehje e individualitetit të njeriut, në kohën e sotme tatuazhet flasin se si ky individualizëm eksperimentohet tashmë edhe në fizikun e çoroditur të njeriut të ri.

Në librin e tij “Kodet e veshjes: Si ligjet e modës bënë historinë”, profesori i së drejtës i Universitetit të Stanford-it, Richard Thompson Ford, sjell shembuj se si rregullat e modës shkojnë paralel me ndryshimet më të rëndësishme historike. Në fundin e viteve 1700, veshja e aristokracisë, për të treguar një status të lartë social, përbëhej nga zbukurime dhe bizhuteri si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Modeli tipik për këtë periudhë ishte mbreti francez Lui XIV në fundin e viteve 1600, zbukurimet e të cilit për vete dhe kastën e tij e kaluan edhe imagjinatën. Në Anglinë e viteve 1700 ndryshimet sociale, vrasja e mbretit Çarls I, ngritja e Komonuelthit dhe më vonë rënia e fuqisë së mbretit, u pasqyruan edhe në veshje duke nxjerrë në pah një aristokraci e cila vishej më thjesht dhe në formë më praktike. Format e para të një kostumi filluan të dalin në skenë dhe përqendroheshin tanimë jo në luksin e shfrenuar të aristokracisë, por në prakticitetin e njeriut të ri të politikës së Rilindjes. Kjo modë e re, të cilën e gjejmë sot të përmbledhur në kostumin politik, si të vetmen formë unike e cila nuk bën dallimin nga profesionet dhe shtresat sociale mashkullore, është bërë pjesë edhe e gjinisë femërore, veçanërisht të fushës së politikës dhe biznesit, si simbol i triumfit të individualizmit ndaj kolektivitetit shoqëror. Ironikja e gjithë kësaj është se individualizmi i secilit mundohet të shfaqet përmes një shablloni uniform siç është kostumi.

Ndërkohë, gratë në kursin e historisë nuk u bënë që herët pjesë e këtij evoluimi të shfaqjes përmes kostumeve të kohës siç burrat bënë që në krye të herës. Kjo rrëshqitje e veshjes mashkullore nga luksi i tepruar drejt racionalitetit të epokës së re që në shekullin XVI-XVII nuk u pasqyrua në veshjen femërore. Ndërkohë që individualizmi te burrat dukej qartë, tek gratë ideologjia e re po ngjiste me vonesë, duke diferencuar gjinitë në shfaqjen e tyre në publik. Ndryshe nga burrat, gratë vazhduan të mbanin deri në shekullin XX-të veshje të gjëra dhe të gjata poshtë belit, një mbulim të trupit dhe po ashtu të kokës. Ford shprehet në librin e tij se nëse një grua në Perëndim, në fillimet e viteve 1900, do të guxonte të vishte pantallona, ajo do të ishte patjetër subjekt i arrestimit për pandershmëri publike.

Ajo që ka ndodhur më vonë, është përpjekja e disa grave aventuriere për të kopjuar format mashkullore të asaj kohe, për t’u çliruar në kërkim të pantallonave të cilat u kthyen në simbolin e emancipimit dhe progresit. Pra, emancipimi, fatkeqësisht filloi me idealin e barazisë, duke u reduktuar thjesht në kopjimin e pantallonave të burrave, që pastaj me revolucionin e të drejtave civile të viteve 1960-70 harruan fare pantallonat dhe u kthyen në një “emancipim seksual” ku moda përmblidhej në lakuriqësinë dhe çlirimin e trupit nga “prangat” e veshjes si simbol i së shkuarës. Por ama, në këtë kohë, “emancipimi” nuk përfshiu dallimet racore. Në kohën kur moda po fliste fuqishëm për ideologjinë e re liberale, njerëzve me ngjyrë u kërkohej të vishnin një lloj veshjeje e cila ishte e përshtatshme për statusin e tyre social i cili ishte më i ulëti. Sipas “Time Magazine” gjatë kësaj periudhë u shfaqën minifundet si simboli i ri feminist, dhe pothuaj të gjitha gratë në mënyrë demonstrative filluan t’i vishnin ato, po ashtu edhe pantallonat, të digjnin gjimbajtëset në emër të lirisë së re duke instaluar një modë politike dhe ideologjike e cila është ajo që ne sot shohim përditë në rrugët tona.

Një shoqërie e re lindi, në thelb e vështirë për t’u kuptuar për shkak se zhvillimet në kulturë, art, modë, politikë gjatë revolucionit kulturor të vitit 1968 po e kthenin shoqërinë perëndimore gjithnjë e më shumë në një shoqëri të subjektivizuar, më të individualizuar, më të seksualizuar. Një shoqëri hippie që ndikoi mënyrën e mendimit dhe veshjes, modën qytetare, intelektuale dhe politike deri në ditët tona.

Moda si spektakël politik

Është Revolucioni Francez ai që shënoi edhe fillimin e etapës së spektakularizimit të politikës përmes shfaqjes dhe komunikimit joverbal. Në emër të përjetimit të çasteve revolucionare të asaj kohe, e gjithë gardëroba filloi të ndryshonte për t’u rreshtuar në linjën e përfaqësimit simbolik të idealeve revolucionare, duke u kthyer në një sistem spektakli jashtë uniformitetit të së shkuarës. Era e re e demokracisë franceze, e cila ndryshonte kryekëput me pushtetin absolut monarkik, duhej të ndryshonte edhe në mënyrën se si ajo shfaqej në fasadën e saj. Politikanët e rinj të asaj kohe, filluan të bënin diferencën në mënyrën se si visheshin. Vetë Robespierre-i, Marat-i dhe Danton-i filluan të bënin dallimin se si i përdornin mënyrat e sjelljes, veshjes dhe të folurin, krejtësisht me një stil të ri. Ata donin të personalizonin në maksimum politikën e re dhe të hiqnin një vijë ndarëse nga politika vjetër e Francës, një formë aprovimi të revolucionit jo vetëm politik, por edhe shoqëror lidhur me mënyrën se si njerëzit duhej të komunikonin me vetën dhe të tjerët. Pikërisht në këtë kohë kultura e vetëshfaqjes, si status i ri social, fillon dhe merr udhë dhe mbush sallonet e Parisit, për t’u bërë zanafilla e procesit të spektakularizimit të politikës në çdo detaj. Ndërkohë që në pjesën tjetër të botës, nga Magrebi deri në Azinë e largët, veshja qëndroi brenda të njëjtit thelb tradicional. Nga xhelabiet e Magrebit dhe Lindjes së Mesme, e deri tek kimonotë e Japonisë, struktura e modës ishte përfaqësuese e tradicionalizmit i cili nuk shquhej për ndonjë shpirt revolucionar apo revoltë ndaj shoqërisë, por një shfaqje e ndjenjës së vazhdimësisë dhe thjeshtësisë, modestisë dhe përulësisë.

Në të njëjtën formë, aftësia e modës për të përfaqësuar lëvizjet e reja sociale dhe identitetet e reja politike, u pa edhe gjatë Revolucionit Industrial, ku shoqëria perëndimore u shtresëzua për shkak të industrializimit, në atë që Marksi e quante “borgjezia kapitaliste” dhe “proletariati”. Të cilat, sipas tij, ishin në një luftë klase diametralisht të kundërt. Ky dallim klasor marksist gjendej në modën e asaj kohe në mënyrën se si përfaqësuesit e këtyre dy shtresave visheshin. Gjatë Revolucionit Industrial, moda e borgjezisë kapitaliste përmblidhej në veshje të cilat nga ngjyra, aksesoret, forma etj. përbënin spektaklin e ri si shprehje e statusit të ri që kishte fituar gjatë procesit të industrializimit të shoqërisë. Ndërsa, në krahun tjetër, uniforma e klasës punëtore ishte larg konceptimit të spektaklit, ajo përmblidhej në një uniformë të vetme njëpërdorimshe të punës, e cila shpesh përdorej edhe në shtëpi.

Megjithëse në kohën e Revolucionit Industrial kishte dallime mes kapitalistëve të rinj dhe punëtorëve, me kalimin e kohës, me Revolucionin Komunist në Rusi, si dhe me profilizimin e shumë vendeve si blloku komunist, ideologjia e re kishte nevojë për modën e saj. Kjo “modë” ishte kryesisht standardizuar, e unifomizuar brenda një tipi të vetëm kostumi që përfaqësonte klasën punëtore, ndërkohë që elitat komuniste, në ndryshim nga ato të borgjezisë kapitaliste, ngushtuan dallimin me uniformat e klasës punëtore duke u përpjekur të ruanin të pastër idealin komunist të pakorruptueshmërisë qoftë edhe në paraqitje. Spektakli, në këtë rast, ishte spektakël i dhunës së uniformizuar, e cila prodhonte një prototip të vetëm të njeriut te ri komunist, brenda një mode të vetme të pandryshueshme e cila duhej të ishte e kundërta e modës përfaqësuese të ideologjisë “borgjeze të degraduar”.

Një uniformitet i kaosit

Sot, në epokën moderne të postideologjisë, moda dhe mënyra sesi njerëzit ekspozohen po kalon në fazën e një lloj uniformiteti të kaosit. Një uniformitet global, brenda globalizimit në tërësi, i cili përcjell një varietet formash të ekspozimit dhe modelimit, me zanafillë nga kaosi i emocioneve të njeriut të ri të postideologjisë. Kjo periudhë të jep përshtypjen e parë se lufta mes klasave tashmë nuk ekziston dhe e gjithë moda përfaqësuese e kësaj periudhe ndodhet brenda një informaliteti estetik, përzier me luksin, shkëlqimin dhe aksesorët teknologjikë. Nga moda e pulovrës, xhinseve dhe atleteve të Steve Jobs-it e deri tek luksi i shfrenuar i yjeve te kinemasë dhe muzikës, plejada e “shenjtorëve” të modës u bënë fytyra reale e spektaklit të kapitalizmit modern dhe epokës digjitale.

Ndërkohë që politika tentoi të mbante një farë dallimi nga kaosi i organizuar estetik i masës moderne, ajo u vetëkornizua brenda limiteve të kostumit i cili është i njëjtë me kostumin e biznesit. Për ironi, edhe politika, dhe biznesi zgjodhën të kenë të njëjtën paraqitje, ndoshta ky veprim i pavetëdijshëm tregon për thelbin e njëjtë të tyre. Të mos harrojmë presidentin Trump, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, ktheu kapelën e tij të bejzbollit ngjyrë të kuqe në të cilën shkruhej motoja “Make America great again”, në një modë më vete, e cila u pasua në të gjithë spektrin e djathtë jo vetëm amerikan, por edhe më gjerë në botë. Kostumizimit të politikës nuk i shpëtuan as edhe liderët politikane gra, të cilat e panë këtë të fundit si një kod veshjeje pushteti i cili emetonte autonomi dhe respekt. Gruaja e parë kryeministre e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, adoptoi kostumin për gra si një modë në vazhdim për gratë në politikë, për t’u pasuar më vonë nga Hilari Clinton si kandidatja e parë grua amerikane për presidente, Angela Merkel dhe deri tek zëvendëspresidentja aktuale e SHBA-së Kamala Harris.

Moda ka qenë gjithmonë një mjet për manifestim të pastër politik dhe ideologjik. Ajo ka qenë dhe është pjesë e mënyrës si ne shfaqim në formë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme bindjet tona në hapësirën publike. Ajo, moda, është edhe një lakmus i cili pasqyronte me gjithë gjallërinë e vet, përmes narratives simbolike, ndryshimet sociale të një epoke të caktuar. Por sot ky lakmus në kohën e postideologjisë, reflekton konfuzionin dhe kaosin që sjell te njeriu kjo gjendje, Ndaj, gjejmë sot modë të paidentifikueshme ideologjikisht që shfaqet në hapësirën publike si prurje e re, si cool, e cila ashtu siç Theodor Adorno paralajmëronte, po përhapet jo si kapital kulturor, por si prurje bazuar tek tregu dhe jo tek ideologjia. Kjo gjendje, kjo formë të cilën Baudrillard do ta quante “simulakra e modës”, po bëhet zëri me të cilën shoqëria jonë dhe shoqëria politike po ashtu, tenton të komunikojë vizualisht. Një komunikim brenda logjikës së kaosit të organizuar, një uniformitet i kaosit, që padyshim ndikon përditë dhe deformon ndërgjegjet tona.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit