0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mobingu dhe sharjet në internet – si të evitohen?!

Më të lexuarat

Ajo që ndodh në klasë apo në oborr të shkollës shpesh vazhdon edhe në internet: mobingu mes nxënësve nuk zhvillohet vetëm në botën reale. Gjithnjë e më shumë fëmijë janë viktimë e të ashtuquajturit “cybermobbing”.
Ora 11 në shkollën Sophie-Scholl në Shëneberg të Berlinit. Mësuesja Margret Iversen, një grua e moshës rreth 55 vjeç, po mban një ligjëratë nga lënda e etikës për klasën e tetë. Tema është: anët e errëta e internetit dhe “cybermobbing”, pra përhapja e gënjeshtrave dhe kërcënimet përmes internetit. Një temë kjo shumë e nxehtë në mesin e nxënësve, thotë mësuesja. “Ata e shohin këtë si një botë të tyre dhe e kanë të qartë se gjëra të tilla kë në mesin e nxënësve të kësaj moshe. Rrjetet sociale janë pjesë e botës së tyre dhe ata nuk duan që kjo të preket në ligjërata.”
Hapja e botës së internetit dhe mësimi se si kjo botë duhet të përdoret është edhe esenca e projektit për rëndësinë e mediave, që zhvillohet në këtë shkollë. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa ana shkencore mbështetet nga psikologët e Universtitetit të Lirë në Berlin. Në këtë projekt janë përfshirë rreth 900 nxënës, nga klasa e shtatë deri në të nëntën.
Edhe nxënëset 14- dhe 15-vjeçare, Katharina dhe Josephine, janë pjesë projektit. Ofendime anonime me SMS, sharje apo futja e fotografive të turpshme në rrjete të ndryshme sociale si në Facebook: për nxënësit janë këto ngarkesa shumë të mëdha të përditshme.
“Nocionin cybermobbing e kam dëgjuar edhe më parë, sepse gjëra të tilla kanë ndodhur edhe në shkollën time të mëparshme. Por këtë temë nuk e kemi hapur në shkollë kurrë ashtu siç duhet.” – thotë Katharina. “Në këtë shkollë ka pasur edhe një rast, kur një grup nxënësish ka shprehur urretje të hapur ndaj një nxënësje, por më shumë për këtë rast nuk dua të flas”, thotë Josephine.

Për të thyer barrierat e heshtjes lidhur me mobingun në internet, mësuesja Margret Iversen ndjek më shumë rrugën e bashkëpunimit sesa konfrontimit. Ajo nuk do të flasë për viktima dhe për ata që bëjnë mobing, por për kompetencën e nxënësve në media.
“Si mësimdhënës e ke edhe problemin që vet shpesh nuk i njeh mirë këto gjëra, sepse nxënësit këto gjëra i dinë më mirë.” – thotë Margret Iversen
Margret Iversen ka në këtë rast mbështetjen e Pavle Zagorscak, student i psikologjisë në Universtietin e Lirë të Berlinit. Me kolegët e tij ai ka hartuar ligjërata për mediat. Ligjërata janë mbajtur edhe me mësuesit dhe prindërit. Pyetjet më të shpeshta ishin ato që kanë të bëjnë facebook-un dhe me twiter. “Qëllimi nuk është që prindërit apo mësuesit të bëhen ekspertë. Por ata duhet të dinë disa gjëra elementare dhe të kuptojnë të paktën disa fjalë. Duhet ta dinë se për çfarë flasin fëmijët apo nxënësit e tyre, sepse kjo shton edhe besueshmërinë ndaj mësuesve”, shpjegon Pavle Zagorscak.

Projekti është nisur nga profesori Herbert Scheithauer dhe financohet nga BE. Projekti zbatohet edhe në Itali, Spanjë, Greqi apo Angli dhe ka për qëllim masat preventive në internet. Me rëndësi është që fëmijët dhe të rinjtë të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Nxënësit në veçanti duhet të mësojnë vet, sipas metodës së ashtuquajtur peer-to-peer.
“Një grup i shkollës për shembull hulumton se si mund të përdoren këto rrjete për qëllime shkollore dhe për krijimin e një profili optimal. Ata më pas shpjegojnë vet para nxënësve të tjerë dhe bëjnë ushtrime të përbashkëta për mundësinë e përdorimit të këtyre rrjeteve në internet”, pohon Herbert Scheithauer.
Projekti i përgatitur prej dy vitesh ka nisur të zbatohet para dy muajsh. Përvojat e para tregojnë se programi po jep rezultatet e duhura. Por kjo është vetëm faza e testimit, ndërkohë që deri në zbatimin e plotë të projektit do të kalojë edhe një kohë shumë e gjatë. Në këtë projekt duhet të përfshihen mbi një milion nxënës – që është një detyrë shumë e rëndë./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit