16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Mbrojtja e Arktikut fillon në shtëpi

Më të lexuarat

Greenpeace proteston kundër planeve për shpime nafte në Arktik. Rreziku i një aksidenti është shumë i madh. Arktiku duhet të kthehet në zonë të mbrojtur natyrore, kërkon organizata e ruajtjes së mjedisit.

Një ditë Qershori me diell në sheshin qendror të Bad Godesbergut në Bon. Një nënë e re së bashku me fëmijën blejnë fruta dhe perime në një stendë tregu. Poli i Veriut me akullin dhe dëborën është për ta shumë larg. Ndërsa Lucas Ziemer, një 20 vjeçar me një këmishë të organizatës Greenpeace qëndron para një stende tjetër në modelin e një rafinerie nafte.
Synimi i tij, informimi: Lucas Ziemer është i bindur se ekziston një lidhje mes mënyrës së jetesës së konsumatorëve gjermanë dhe akullnajave të pafund të Veriut. “Ndryshimet klimaterike, të cilat vetë njerëzit po i çojnë përpara, me automjetet, sistemet e ngrohjes dhe stilin e jetesës, po bëjnë që të shkrijnë akujt. Kjo lehtëson mundësinë e shkeljes së territoreve të paarritshme më parë, domethënë në kushte të caktuara zotërimin e rezervave të reja të naftës.”
Zona të mbrojtura natyrore në vend të zonave ekonomike
Në Arktik mendohet se janë të fshehura rreth 13% e rezervave akoma të pazbuluara botërore të naftës dhe gati një e treta e rezervave të pazbuluara të gazit. Që kur ndryshimet e klimës po bëjnë që të shkrijnë akujt, ka filluar edhe gara mes gjigandëve të naftës. Koncerni rus Gazprom planifikon të fillojë me nxjerrjen e naftës para bregdetit rus. Greenpeace proteston kundër këtyre planeve. “Ne duam që Arktiku të deklarohet si zonë e mbrojtur natyrore”, kërkon aktivisti Lucas Ziemer, që punon prej një viti vullnetarisht në organizatën Greenpeace.
Qytetarëve që kalojnë pranë stendës së tij, ai u sqaron se pse Greenpeace nuk do që të bëhen shpime nafte në Arktik. Kushtet ekstreme si ngrica apo errësira për gati një gjysmë viti do ta bënin këtë biznes shumë të rrezikshëm. Po ashtu edhe rreziku për aksidente është shumë i madh. Ndërsa sikur të ketë diku rrjedhje nafte, pastrimi i ambientit kërkon shumë më tepër kohë se në zonat e ngrohta.
Arktiku i përket të gjithëve
Këto janë arsyet pse Greenpeace mbledh firmat jo vetëm në Bad Godesberg, por edhe në 64 qytete të tjera gjermane. Qëllimi është dërgimi i një peticioni koncerneve të mëdha të naftës. Në të njëjtën kohë, aktivistët për ruajtjen e mjedisit duan të mbledhin 1. milionë firma, të cilat do t’i fusin në kapsula të padepërtueshme nga uji për t’i fundosur në Arktik. Ata duan të bëjnë të qartë se Arktiku i përket të gjithë botës dhe duhet të deklarohet si zonë e mbrojtur, larg shfrytëzimit komercial.
Ulrike Reutlinger, zëdhënëse e Greenpeace në Bonn për mbrojtjen e pyjeve dhe deteve risjell në kujtesë katastrofën e platformës, Deep Water Horizon para Gjirit të Meksikës para dy vitesh. “Ende sot aty gjendet çdo javë më e pakta një delfin i ngordhur”. Edhe kërkesat për mbrojtjen e klimës bien ndesh me synimet për naftë në Polin e Veriut. Dihet që djegia e naftës është shkaktare e efektit serë dhe ndikon në ngrohjen globale.
Mjafton mbledhja e firmave?
Disa kalimtarë ndërpresin blerjet të tërhequr nga minirafineria dhe posterat e arinjve polarë në stendën e Greenpeace. “Unë jam gjithmonë pro, kur shoh një gjë të tillë”, thotë Ramona Tiebel që qëndron pranë stendës së bashku me dy të fëmijët. “Me këtë mbrohet planeti edhe për gjeneratën tjetër”, thotë ajo ndërkohë që i biri sheh mjaft kureshtje posterat e arinjve polarë.
Ndërsa Herbert von Scheeven që blerjet i bën me biçikletë sqaron pse e ka nënshkruar peticionin për ruajtjen e Arktikut. “Kjo shoqëri është e fiksuar pas makinës. Nënshkrimi bëhet shpejt, por problemi qëndron tek sjellja e njeriut.”
Ekspertët paralajmërojnë se nuk ka asnjë teknologji që garanton mbrojtjen nga aksidentet në zona shumë të thella të Arktikut, sidomos në dimër. Organizatat për mbrojtjen e mjedisit paralajmërojnë se operacione të tilla kaq të rrezikshme nuk do të ishin të nevojshme po qe se përdorimi i naftë do të ulej. Sipas një studimi të Qendrës Gjermane të Studimet Kozmike dhe Ajrore të porositur nga Greenpeace, Shoqata Globale për Industrinë e Erës dhe Shoqata Europiane për Energjitë e Rigjenereueshme, popullsia e botës mund të reduktojë me 80% përdorimin e naftës deri në vitin 2050. Me këtë ajo i kursen atmosferës 650 gigatonë dioksid karbonik. Çelësi për këtë janë automjetet me eficiencë dhe zgjerimi masiv i energjive të rigjenerueshme./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit