Të martën, Dhoma e Apelit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë e dënoi me burgim të përjetshëm gjeneralin serb të Bosnjës Ratko Mladic. Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe mizori të tjera në të gjithë Bosnje Hercegovinën.
Ky vendim i gjykatës nuk ishte shumë ndryshe nga vendimi i gjykatës së shkallës së parë në vitin 2017. Edhe pse Mladic ka hyrë në histori si një nga kriminelët më famëkeq të luftës, ideologjia e tij mbetet me ndikim në pjesë të Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.null
Një rekord historik i mizorive
Ishte e marta e 12 majit 1992, kur Asambleja Serbe e Bosnjës u mblodh në Banja Luka për një sesion të veçantë. Në të merrnin pjesë zyrtarë politikë, fetarë, policë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës. Ajo ishte një ditë e rëndësishme për Republikën Srpska, rajoni i vetëshpallur separatist në Bosnje Hercegovinë.
Zyrtarë të rangut të lartë dolën me qëndrime radikale, duke mbajtur fjalime të zjarrta, duke njoftuar fitoren dhe nisjen e një lufte për barazi. Secili prej tyre e shihte veten si shpëtimtar të Serbisë, kompleksi i zakonshëm i Mesias në Ballkan.null
Atë ditë, Asambleja Serbe e Bosnjës miratoi “Gjashtë Qëllimet Strategjike të Kombit Serb”, pra politikën zyrtare të serbëve të Bosnjës dhe Republika Srpska gjatë gjithë luftës. Kjo përfshinte “përcaktimin e gjendjes së dy komuniteteve të tjera kombëtare”, dhe “vendosjen e një korridori në luginën e lumit Drina, që nënkuptonte eliminimin e Drinës si një kufi midis dy shteteve serbe”.
Po atë ditë, Asambleja emëroi Ratko Mladic si komandant të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Si një oficer me përvojë i Ushtrisë së Popujve Jugosllavë, dhe me një histori të errët të mizorive të kryera ndaj kroatëve në Kroaci, ai dukej si i përsosur për atë pozicion.
Gjatë fjalimit të rastit ku pranoi detyrën, Mladic u shfaq shumë i etur për ta bërë punën e tij, pra për të dëbuar jo-serbët nga territoret e krahinës. Në fjalën e tij, ai deklaroi me shumë sinqeritet se “njerëzit nuk ishin çelësa apo monedha, që mund të zhvendosen nga njëri xhep në tjetrin”.
Qëllimet ishin të realizueshme dhe reale, por për këtë duhej kryer një gjenocid.“Prandaj, ne nuk mund t’i spastrojmë, apo të kemi një sitë për t’i shoshitur ata, në mënyrë që këtu të mbeten vetëm serbët, apo që serbët të vdesin dhe të tjerët të largohen. Epo, kjo nuk do të ndodhë, unë nuk e di se si kryetari i asamblesë zoti Krajisnik dhe presidenti serb i Bosnjës zoti Karadzic do t’ia shpjegojnë botës këtë. Por ky është një gjenocid”.
Jo se ai kishte ndonjë problem me këtë gjë. Apo ndonjë pjesëmarrës tjetër në atë Asamble.
Operacioni i tij i parë ishte në Sarajevë ku ai urdhëroi bombardimin e zonave të populluara nga jo-serbët. Shërbimi sekret boshnjak përgjoi porositë e tij telefonike tek një oficer serbo- boshnjak.
“Mos i lini që të flenë. Çmendini fare!”.Kaluan 3 vite dhe Mladic ndodhej në Srebrenicë, duke udhëhequr një grup ushtarësh pranë qendrës së qytetit. I rrethuar nga ekipet televizive, po filmohej gjenocidi. Mladic ishte Mesia i ri. Ai u ndal përpara qendrës tregtare të Srebrenicës.
“Këtu jemi më 11 korrik 1995, në Srebrenicën Serbe. Në prag të një feste tjetër të madhe serbe, ne ia japim si dhuratë këtë qytet popullit serb. Më në fund, pas rebelimit kundër Dahive (rebelimi serb i shekullit XIX-të kundër Perandorisë Osmane), ka ardhur koha të hakmerremi kundër turqve në këtë rajon”.
Gjithsesi, fama e Mladiç nuk zgjati shumë. Ai dhe Radovan Karadzic, udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjes u detyruan që të mos ekspozoheshin, ose më saktë, të qëndronin larg jetës publike. Kjo ishte ndoshta një marrëveshje midis presidentit jugosllav Slobodan Milosevic, dhe disa anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare.
Rruga drejt drejtësisë
Luftërat që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe sidomos fushata gjenocidale kundër boshnjakëve në Bosnje Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995, u drejtua, financua dhe organizua nga regjimi i Slobodan Milosevic në Beograd.
Në vitin 2011, Ratko Mladic u arrestua më në fund pranë Zrenjanin, rreth 70 km nga Beogradi. Imazhi i një burri të moshuar e të çorientuar,që jetonte vetëm në një shtëpi,e ndryshoi imazhin e Mladicit që mbanin mend të gjithë që nga vitet 1990. Nga gjenerali famëkeq brutal dhe i frikësuar, ai tani ishte vetëm dhe i braktisur.
Por që nga ajo kohë, simpatia për të është rritur. Ndërsa vazhdonte procesi gjyqësor kundër tij në Hagë, papritmas ai u bë sërish idhull, këtë herë i të rinjve të lindur pas përfundimit të luftës. Muralet me portretin e Mladic u shfaqën në të gjithë entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska dhe në Serbi.
Memet mbi Mladic filluan të shpërndahen masivisht në internet. Ai u bë ikona e “heqjes së qebapit” – një shprehje e re për të nënkuptuar vrasjen e myslimanëve, e përdorur gjerësisht nga ekstremistët e ekstremit të djathtë në të gjithë botën. Gjyqi dhe dënimi i Mladic, është një hap i madh përpara, jo vetëm për boshnjakët dhe Bosnje Hercegovinën, por edhe për të drejtën ndërkombëtare.
Sigurisht që kur e shpalli fillimin e gjenocidit në majin e vitit 1992, Mladic nuk e parashikoi këtë lloj “pensioni”.Rruga drejt drejtësisë ishte e gjatë, gati një çerek shekulli. Por me gjithë provat e shumta mjeko-ligjore në dispozicion, krimet e Mladic vazhdojnë që të mohohen.
Menjëherë sapo u dha vendimi, udhëheqësi serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik, tha se ai ishte “një përpjekje për të krijuar një mit rreth gjenocidit në Srebrenica, i cili nuk ka ndodhur kurrë”.
Tabloidet serbe, veçanërisht ato pranë qeverisë së presidenti Vucic, e vlerësuan Mladicin si një hero në faqet e para. Djali i Mladic, Darko, shkoi aq larg sa të deklaronte se serbët janë “indigjenët e rinj” të Amerikës. Edhe zyrtarët serbë e denoncuan dënimin e Mladic duke e cilësuar si të njëanshme gjykatën e Hagës.
Dhe kjo na sjell në një përfundim disfatist, por realist:kriminelët e luftës si Mladic do të vazhdojnë të vlerësohen dhe adhurohen jo vetëm në Bosnje Hercegovinë, por në të gjithë botën. Ai shërben dhe do të vazhdojë të shërbejë si frymëzim për ekstremistët e djathtë, terroristët dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al