-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Mjeshtëria e Mimar Sinanit përtej kufijve të Turqisë

Më të lexuarat

Mimar Sinani, i cili është ndër emrat më të respektuar në historinë e arkitekturës me veprat që ndërtoi në gjeografinë osmane, vazhdon ende të ngjall admirim me mjeshtërinë e tij.

Ai ka projektuar, ndërtuar dhe riparuar qindra ndërtesa të mëdha dhe të vogla në aventurën e tij 50-vjeçare si kryearkitekt.

Gjatë gjithë jetës së tij, Sinani ka më shumë se 350 xhami, 52 mesxhide, 55 medrese, 7 mektebe, 20 tyrbe, 17 kuzhina, 3 spitale, 6 rrugë ujore, 10 ura, 20 konaqe (hotele), 36 pallate dhe 48 hamame.

Përveç veprimtarisë së tij në kuadër të shtetit turk, ai është autor edhe i disa objekteve të rëndësishme përtej kufijve të Türkiyes, për të cilat TRT Balkan do t’ju flasë në vazhdim.

Ura e Drinit (Mehmed Pashë Sokoloviqit) në Bosnjë e Hercegovinë

Ura e Drinit (Mehmed Pashë Sokoloviqit) është një urë në lumin Drina. Ndodhet në Vishegrad, afër kufirit midis Bosnjë e Hercegovinës e Serbisë dhe përfaqëson një nga veprat më monumentale të arkitekturës që u krijua në periudhën nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të në BeH. Ura e Mehmed Pashë Sokoloviqit është monument kombëtar i Bosnjës e Hercegovinës. Së bashku me Urën e Vjetër në Mostar, ajo është në listën e UNESCO-s të vendeve të trashëgimisë botërore në Bosnjë e Hercegovinë.

Ura e Drinit është ndërtuar në periudhën nga viti 1571 deri në vitin 1577 në vendin ku rruga lidhte Bosnjën me Kostandinopojën mbi lumin Drina. Ndërtimi i urës iu besua ndërtuesit të famshëm turk, Mimar Sinan, arkitektit të oborrit dhe ndërtuesit suprem të Perandorisë, një nga arkitektët më të mëdhenj në botë.

“Xhamia e Zezë” në Bullgari

Xhamia e Zezë është një xhami e ndërtuar në Sofje në vitin 1528 me urdhër të Sulltan Sulejmanit, nga arkitekti Mimar Sinan, dhe e kthyer në kishë në vitin 1903. Në Bullgari sot njihet si Kisha e Sveti Sedmoçislenitsi.

Fillimisht njihej si Xhamia e Koca Mehmet Pashës, më pas Xhamia e Imaretit, dhe në fund u quajt Xhamia e Zezë për shkak të gurëve të zinj të minares së saj.

Tempulli ndodhet në kopshtin e vogël pranë ministrisë së Punëve të Brendshme bullgare dhe përdoret si kishë. Varrezat ku janë varrosur mësuesit dhe imamët e xhamisë, pikërisht pranë xhamisë gjatë periudhës osmane përdoret sot si parking.

Xhamia e Maktul Mustafa Pashës në Hungari

Strukturat e periudhës osmane të ndërtuara në Budë, të cilat osmanët e quajtën Buda, janë të pakta në numër dhe Xhamia “Maktul Mustafa Pashës” e ndërtuar nga arkitekti Mimar Sinani është një nga veprat e humbura.

Xhamia e Maktul Mustafa Pashës ka qenë një vepër e mbuluar me plumb, me kupolë murature, e zbukuruar nga një mjeshtër.

Kjo xhami është ndër strukturat osmane të shkatërruara nga hungarezët pas rënies së Budinit në 1686.

Xhamia Osman Shah Pasha në Greqi

Xhamia, e cila u projektua nga Mimar Sinan në vitet 1550 dhe u ndërtua nga guvernatori i Tırhala, Osman Pasha, përdoret sot si një sallë ekspozite dhe koncertesh.

Aty pranë xhamisë ndodhet varri i Osman Shahut, por sarkofagu i tij u shkatërrua.

Njashtu edhe ky objekt është i mbrojtur nga UNESCO-ja.

Xhamia Süleymaniye në Damask të Sirisë

Ndër xhamitë të cilët u projektuan nga duart e arkitektit të perandorisë osmane gjatë periudhës së mbretërisë së Sulejmanit të parë midis viteve 1554-1559 ishte edhe Xhamia Süleymaniye në qytetin e Damaskut në Siri.

Më vonë u shtua një medrese dhe funksionoi si shtëpizë. Xhamia është e mbuluar me një kube të bazuar në varëse. Përpara është një narteks me tri harqe dhe i mbyllur me një kupolë të vogël, si dhe një portik i mbuluar me çati të pjerrët, me shtatë harqe në pjesën e përparme dhe nga tri harqe në çdo anë, bazuar në kolona në të tria anët.

Në cepat veriperëndimorë dhe verilindorë të xhamisë gjenden dy minare të holla.

Hamami Süleymaniye në Mekë të Arabisë Saudite

Hamami Süleymaniye i cili u projektua dhe u ndërtua midis viteve 1550 dhe 1557 ishte një ndër veprat më të famshme të arkitektit të perandorisë osmane, Mimar Sinan. Hamami është mbi 472 vjet i vjetër dhe ishte një vend i rregullt ndaljeje për Sulltan Sulejmanin Osman dhe shumë sulltanë pas tij.

TRT Balkan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit