Basketbollisti i Houston Rockets, James Harden, pas një sezoni pozitiv me skuadrën teksane në NBA, kërkon të arrijë diçka më shumë kampionatin e ardhshëm.
“Mjekra”, siç njihet ndryshe një nga yje e NBA-së, kërkon titullin kampion në Konferencën e Perëndimit edhe pse e di që kjo nuk do të jetë e lehtë. Shumë skuadra në këtë Konferencë janë përforëcuar, por Harden beson se grupi mund të rivalizojë deri në fund.
Për më tepër që ekipi i Houston është përforcuar me Ty Lawson, që la Denverin për të shkuar në Teksas, një basketbollist me talent dhe që do të ndihmojë Harden në realizimin e ëndrrës së tij. Megjithatë, Lawson ka kaluar muajin e fundit në një qendër kurimi ndaj alkoolit dhe ka nevojë për Harden, që beson te talenti i basketbollistit. “Do ta shihni që do të na japë një dorë në lojën tonë”, ka thënë sot Harden, lideri i Houston.
James Harden ka mbyllur pak ditë më parë një kontratë të re me Adidas, nga e cila do të përfitojë 200 milionë dollarë për 13 vitet e ardhshme. Por ai ka përfituar nga pushimet për të shkuar në Kaliforni, për t’u takuar me shokun e ri të skuadrës dhe për të biseduar për të ardhmen. “E pres me krahë hapur. Skuadra është përforcuar ndjeshëm dhe këtë sezon do të kërkojmë diçka më shumë. Jemi një skuadër fantastike dhe kemi mundësinë të luftojmë për titull”, deklaroi Harden, anëtar i kombëtares amerikane të basketbollit.
Harden ka qenë një nga protagonistët absolutë të sezonit të fundit, një nga 3 kandidatët për titullin e MVP-së të sezonit të rregullt, së bashku me LeBron James dhe fituesin Stephen Curry. Entuziasmi i “Mjekrës” po karikon edhe skuadrën e Houston, që këtë sezon ka mundësi të synojë majat e NBA-së. /Telegrafi/