Formimi i shtetit palestinez është domosdoshmëri për paqe në mes dy popujve. Forcat ekstreme izraelite këtë gjë nuk e dëshirojnë. Duke shfrytëzuar sulmet e Hamasit dhe Hezbollahut, zgjidhjen e shtyjnë deri në pakufi. Ndërsa politika shqiptare në Ballkan duhet të mbështesë zgjidhjen me dy shtete. Kredibiliteti i fuqive të huaja ka humbur. Askush nuk u beson më ish fuqive pushtuese të Lindjes së Mesme. Në disa media perëndimore vazhdon shtrembërimi i së vërtetës historike të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Një anë, që nuk përmendet nga mediat shqiptare, është frika e panevojshme e politikanëve shqiptarë ta thonë të vërtetën se Izraeli po vret popullsi të pafajshme.
Selim IBRAIMI, Uashington
Lufta e Izraelit dhe e Hamasit tregon se Lindja e Mesme përsëri është bërë pjesë e lojërave gjeopolitike të këtij shekulli. Gaza tashmë nuk ekziston, pasi gra, fëmijë dhe burra të pafajshëm janë vrarë nga bombat e ushtrisë së Izraelit. Forcat ushtarake të Izraelit (IDF), sipas ligjeve të luftës, duhet të ndeshen më forcat ushtarake të Hamasit dhe jo të gjuajnë mbi popullatën civile. “Konventa e Gjenocidit“ (CPPCG), e OKB-së (9 dhjetor 1948), e cila hyri në fuqi më 12 janar të vitit 1951, e përkufizon gjenocidin si çdo nga pesë aktet e kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një komb, etni, racë ose grup fetar. Këto pesë akte, sipas “Konventës së Gjenocidit”, janë: vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve të rënda trupore ose mendore, vendosja e kushteve të rënda të jetesës me qëllim të shkatërrimit të një grupi etnik, parandalimi i lindjeve dhe transferimi me forcë i fëmijëve. Bazuar në “Konventën e Gjenocidit”, Izraeli nuk ka asnjë farë arsyetimi njerëzor, kombëtar dhe as më pak duke u mbështetur në të drejtën për t’u vetëmbrojtur që të vazhdojë ta bombardojë Gazën. Të drejtë nuk ka as Hamasi të përdorë spitalet për qëllime të luftës. Ushtria dhe Tel Avivi zyrtar duhet ta kuptojnë se jo të gjithë qytetarët palestinezë janë terroristë dhe pjesëtarë të Hamasit. Varrosja e humanizmit, e traktateve dhe e ligjeve ndërkombëtare ndodhi gjatë këtij konflikti, kur fillimisht u vranë banorë izraelitë e pastaj në hakmarrje qeveria e Izraelit vendosi që të mos dallojë forcat e Hamasit nga qytetarët e thjeshtë të Palestinës. Këtë po e bën duke vrarë dhe shkatërruar qytete nga të gjitha anët. Kredibiliteti i fuqive të huaja ka humbur. Askush nuk u beson më ish fuqive pushtuese të Lindjes së Mesme, sidomos atyre pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Në disa media perëndimore vazhdon shtrembërimi i së vërtetës historike të konfliktit në mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Roli i Francës, Britanisë së Madhe dhe shteteve arabe
Franca dhe Britania e Madhe mund të vlerësohen si një ndër fajtorët kryesorë të gjendjes së sotme në mes dy popujve. Këtu nuk duhet lënë anësh edhe rolin e ish BRSS-së pas vitit 1918, në ndihmën e Moskës në konsolidimin e Izraelit në Palestinë. Në gjendjen aktuale, Perëndimi paraqitet i dobët në reagimin ndaj dhunës së qeverisë izraelite. Lidhjet historike të Perëndimit me Izraelin dhe marrëdhëniet diplomatike të shteteve të botës së krishterë me Tel Avivin, i kanë bërë të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare të qëndrojë vetëm në letër në OKB, pasi të njëjtat nuk respektohen. Mbi 12 mijë qytetarë palestinezë dhe mbi një mijë qytetarë të Izraelit janë vrarë që nga tetori i këtij viti. Nuk dihet se kur do të përfundojnë vrasjet e ushtrisë izraelite ndaj popullatës së pafajshme palestineze, e as nuk dihet se kur do të ndalen rrëmbimet e Hamasit. Ka shumë pak autorë nga bota perëndimore që kanë qëndrim të drejtë rreth konfliktit në mes dy popujve. Shumica e mbajnë anën e qeverisë së Izraelit për qëllime financiare, politike dhe fetare. Autorë tjerë japin një perspektivë ndryshe të këtij konflikti, ku izraelitët si popull pa shtet dhe të vuajtur me shekuj, kanë përjetuar një gjenocid mijëravjeçar nga perandoritë që nga lashtësia e deri tek Gjermania naziste. Për habi, pasi e shpallën shtetin me ndihmën e Londrës, Parisit dhe OKB-së, pas vitit 1948 janë kthyer në qeveri dhe popull dhunues që i shkelin të gjitha të drejtat. Vrasjet dhe burgosjet e popullatës palestineze janë një politikë e përhershme e Izraelit për t’i bërë të pabanuara territoret e pushtuara palestineze. Bombardimet e spitaleve dhe qendrave humanitare nuk mund të komentohen ndryshe, pos si mizori bashkëkohore që mundohet të mbulohet nga Izraeli, shtetet europiane dhe aktorët e tjerë globalë. Ajo që duket pozitive është se qytetarët e shteteve të Perëndimit kanë filluar t’i shohin padrejtësitë dhe po reagojnë ndaj këtij konflikti. SHBA-ja ka mbajtur një qëndrim të rezervuar rreth politikave të vendbanimeve të reja izraelite. Izraeli ka një përparësi politike dhe ekonomike në politikën e jashtme amerikane. Disa kritikë të qeverisë amerikane thonë se qëndrimi aktual amerikan shkon në dëm të SHBA-së dhe rolit global e rajonal që duhet ta luajë Uashingtoni. Pas vrasjes masive të palestinezëve, pikëpamja e vjetër amerikane për një zgjidhje me dy shtete po merr një energji të re në Uashington, e që ka të bëjë me themelimin e shtetit palestinez. Për ta parandaluar shtrirjen e konfliktit në shtetet tjera të Lindjes, dhe zbutur rrënimin e mëtutjeshëm të prestigjit amerikan, Uashingtoni detyrimisht duhet të dalë nga kurthi dhe qorrsokaku diplomatik. Për habi, shtetet arabe – përkundër reagimeve – që nga vitet e 70-ta nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Përçarja që ekziston mes arabëve është shfrytëzuar mjaft mirë nga Izraeli. Formimi i shtetit palestinez është domosdoshmëri për një paqe mes dy popujve atje. Këtë gjë nuk e dëshirojnë forcat ekstreme izraelite, sepse duke i shfrytëzuar sulmet e Hamasit dhe Hezbollahut, zgjidhjen e shtyjnë deri në pakufi, duke rrezikuar njëkohësisht stabilitetin edhe ashtu të brishtë në Lindjen e Mesme. Po ashtu edhe Hamasi dhe rrymat e tjera radikale nuk janë të interesuar për një zgjidhje ku të dy popujt do të jetonin afër njëri-tjetrit.
Zgjidhja me dy shtete si opsion për paqe
Zgjidhja me dy shtete është opsioni më i mirë në rrethanat aktuale. Në vitin 1993, qeveria izraelite dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) u pajtuan për të zbatuar një zgjidhje me dy shtete, kjo si pjesë e Marrëveshjes së Oslos së vitit 1993. Sipas burimeve historike, hebrenjtë dhe arabët pretenduan në të drejtën e vetëvendosjes në Palestinën historike. Përpjekja e parë për ndarjen e tokës në vitin 1948 rezultoi me lindjen e shtetit izraelit, por jo edhe të atij palestinez. Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës ranë nën sundimin jordanez dhe egjiptian. Në “Luftën Gjashtëditore” të vitit 1967, Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe territoret e tjera arabe, të cilat më pas çuan në idenë se Izraeli do të shkëmbente tokën që kishte pushtuar për paqe me fqinjët arabë, duke përfshirë këtu disa pjesë të Palestinës. Në fund, kur në Kamp David të SHBA-së, në vitin 2000 bisedimet me ndërmjetësimin amerikan dështuan, pastaj erdhi në pushtet Hamasi. E me fuqizimin e Hamasit dhe dobësimin e forcave të moderuara palestineze, të drejtuara nga Mahmud Abasi, përfundimisht ëndrra për dy shtete u zhduk. Gjendja pas ardhjes në pushtet të Hamasit ka shkuar në favor të politikës izraelite, që asnjëherë të mos formohet shteti palestinez. Është e natyrshme që nëse konflikti shndërrohet në luftë për territore dhe mban një dozë të luftës fetare, atëherë nuk do të kemi zgjidhje paqësore. Për disa dekada konflikti mes dy popujve ka nxitur reagime edhe në hapësirën shqiptare. Në kohën e ish Jugosllavisë opinionet e popullatës shqiptare ishin të izoluara dhe pa ndikim se çfarë po ndodhte në Lindjen e Mesme. Sepse, ishte politika e ish federatës jugosllave, që vendoste për të gjitha çështjet, duke filluar edhe për qëndrimet PËR apo KUNDËR një konflikti ndërkombëtar. Ndërkaq, sot, me zhvillimin teknologjik, çështja ka ndryshuar. Ndikimi i saj ka efekte më të mëdha në popullatën që i përket fesë myslimane në botë. Këtu ndikimi është i pashmangshëm edhe tek shqiptarët në Ballkan. Për qytetarin e zakonshëm, politika e Izraelit është e papranueshme, sepse sipas kritikëve po ushtron gjenocid mbi popullatën palestineze.
Pse shqiptarët kanë frikë të kritikojnë Izraelin?
Politika shqiptare në Ballkan ka mbajtur një qëndrim proizraelit dhe parimor global, duke u solidarizuar me viktimat që humbën jetën në sulmin terrorist të Hamasit në tetor, ndërsa më vonë ky qëndrim evoluoi me një keqardhje për palestinezët e vrarë. Politika shqiptare në Ballkan, pavarësisht se “Autoriteti i Lartë i Palestinës” nuk e ka njohur Kosovën, duhet ta mbështesë zgjidhjen me dy shtete, duke u bërë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare që më në fund palestinezët ta kenë shtetin e tyre. Kështu palestinezët do të mund të lirohen nga ndikimet e huaja në marrjen e vendimeve në politikën e jashtme, ku edhe Kosova do të mund të njihej më vonë. Një anë, që nuk përmendet nga mediat shqiptare, është frika e panevojshme e politikanëve shqiptarë që ta thonë të vërtetën se Izraeli po vret popullsi të pafajshme. Nëse deklarohen hapur, atëherë marrëdhëniet dhe imazhi i tyre do të lëkundet përballë Tel Avivitdhe do të mund të cilësohen si armiq kundër shtetit të Izraelit. Qëndrimi parimor dhe njerëzor nuk duhet ta frikësojë asnjë politikan, zyrtarë qeveritarë, opozitarë, opinionist dhe organizatë joqeveritare në Ballkan. Sa më parë të reagohet dhe të ndërpritet kjo politikë e luftës, aq më mirë do të jetë për paqen në Lindjen e Mesme. Duhet bërë përpjekje maksimale që Izraeli ta ndalojë këtë fushatë ushtarake të vrasjeve dhe shkatërrimit të qyteteve. Pa dyshim se veprat e Hamasit dhe keqpërdorimet e fesë për interesa që nuk kanë të bëjnë me palestinezët duhet të ndërpriten.
Marrë në përgjithësi, paqja nuk mund të arrihet me këtë politikë të shfarosjes së një populli tjetër. Shqiptarët, si popull që kanë vuajtur nga politikat e shteteve fqinje dhe kanë përjetuar gjenocide në dyqind vitet e fundit, duhet të përkrahin opsione paqësore të zgjidhjes së konflikteve. Ata duhet të jenë kundër dhunës dhe vrasjeve ndaj një populli të paarmatosur dhe, natyrisht, duhet të jenë kundër të gjitha llojeve të terrorizmit.mess