STAMBOLL (AA) – Shumë qytetarë janë mbledhur në lagjen Yenikapi të Stambollit ku sot në organizim të shumë organizatave joqeveritare turke mbahet miting mbështetjeje për Palestinën nën emrin “Mallkuar zullumi, mbështetje Kudsit”, raporton Anadolu agency (AA).
Në vendin ku mbahet mitingu janë vendosur flamuj të mëdhenj me mesazhin “Mallkuar zullumi, mbështetje Kudsit”, si dhe afishe të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk dhe presidentit aktual të vendit, Recep Tayyip Erdoğan. Qytetarët që marrin pjesë në miting mbajnë flamuj turq dhe palestinezë, ndërsa për ndjekjen e mitingut janë akredituar shumë ekipe vendore dhe të huaja të gazetarëve.
Qytetarëve të tubuar, sipas paralajmërimeve, do t’u drejtohet presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i vendit, Binali Yıldırım, si dhe kryetari i partisë opozitare Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli.
Mijëra palestinezë u mblodhën të hënën në kufirin e Gazës për të protestuar kundër pushtimit izraelit dhe zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.
Forcat izraelite të sigurisë duke përdorur dhunë dhe armë të zjarrit tentuan të parandalojnë protestën të cilën e vazhduan edhe të martën. Gjatë protestave humbën jetën 62 palestinezë, ndërsa së paku 3.000 u plagosën.