2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

MIRËSITË E SEXHDES

Më të lexuarat

Fjala sexhde vjen nga shprehja arabe [sexhede] që do të thotë përulje dhe nënshtrim dhe kur shoqërohet edhe me trup kemi të bëjmë me një formë të plotë të adhurimit të cilën e do Allahu dhe e ka ndaluar të jetë veçse për të, siç thuhet në Kuran:
“Prej mrekullive të tij janë: nata, dita, dielli dhe hëna. Mos ju përkulni (është përdorur fjala sexhede) as diellit dhe as hënës, por përkuljuni Allahut i cili i krijoi ato, nëse ju atë adhuroni” [Suratu Fussilet: 37].

Apo hadithi Abdullah bin Ebi Eufa -radiallahu anhu- i cili tregon se kur u kthye Muadh bin Xhebeli nga Shami, iu përkul (është përdorur fjala sexhede) Profetit alejhi selam dhe Profeti alejhi selam i tha:
“Ç’është kjo gjë, o Muadh?” Ai i tha: kur shkova në Sham i gjeta njerëzit duke iu përkulur peshkopëve dhe patriarkëve të tyre dhe pata dëshirë ta bëja këtë gjë për ty. Atëherë Profeti alejhi selam i tha: “Mos e bëni këtë gjë! Unë, nëse do të urdhëroja njeri ti përkulej dikujt, do të urdhëroja gruan ti përkulej burrit të saj”.
(E transmeton IbnMaxhe dhe e saktëson sheikh Albani)

💠Pra, Allahu e do sexhden dhe ka ndaluar të jetë për dikë tjetër veç Tij dhe ja disa mirësi të saj:

1️⃣- Sexhdja është prej punëve më të dashura te Allahu.

Transmetohet nga Madan bin Ebij Talha se ka thënë: Kam takuar Theubanin shërbëtorin e Profetit alejhi selam dhe i thash: Më trego për një punë që ta bëj dhe të më fusë Allahu në xhenet, ose i thash për punën më të dashur tek Allahu dhe ai heshti, pastaj e pyeta përsëri dhe ai heshti, pastaj e pyeta për së treti dhe ai më tha: E kam pyetur për të Profetin -alejhi selam- dhe më ka thënë: “Shtoji sexhdet për Allahun sepse ti nuk bën ndonjë sexhde veçse Allahu ka për të ngritur me të një grade dhe ka për të hequr për shkak të saj (sexhdes) një gabim”. Madani thotë: Më pas jam takuar me Ebu Dardanë dhe e pyeta për të njëjtën pyetje dhe më ka thënë siç më tha Theubani.
(E transmeton Muslimi)

2️⃣- Sexhdet e shumta janë shkak për të hyrë në xhenet.

Transmetohet nga Rabia bin Kab El-Eslemij se ka thënë: “E kaloja natën me Profetin -alejhi selam- dhe i sillja atij ujin e abdesit dhe ujin e shpëlarjes dhe ai më tha: Kërko (diçka si shpërblim)! Unë i thash: Kërkoj shoqërimin tënd në xhenet! Ai më tha: Gjë tjetër! I thash: Vetëm këtë. Ai më tha: Atëherë më ndihmo për këtë gjë duke shtuar sexhdet!”
(E transmeton Muslimi)

3️⃣- Në sexhde njeriu është më afër Allahut

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Robi, është më afër me Allahun atëherë kur është në sexhde, prandaj shtoni në të duatë (lutjet)”
(E transmeton Muslimi)

5️⃣- Me shenjat e sexhdes Profeti -alejhi selam- do të dallojë ymetin e tij ditën e kiametit.

Transmetohet nga Abdullah bin Busr E-Mazinij se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nuk ka njeri prej ymetit tim veçse do ta njoh ditën e kiametit. Ata thanë: si do ti njohësh o i dërguari i Allahut, mes gjithë krijesave? Ai tha: ke parë kur hyn në një vathë kuajsh ku ka kuaj të zinj të pastër dhe kuaj me balë në kokë dhe në këmbë? A nuk do ti dalloje prej tyre? Ata i thanë: sigurisht. Atëherë ai tha: ymeti im atë ditë do të jenë me balë në ballë nga sexhdet dhe me balë në këmbë nga abdesi”
(E transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe e saktëson sheikh Albani)

6️⃣- Zjarri i xhehenemit djeg çdo gjë me përjashtim të pjesëve të sexhdes.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se Profeti alejhi selam në lidhje me besimtarët gjynahqarë që hyjnë në zjarr për tu pastruar nga gjynahet e tyre ka thënë: “Kur Allahu do ti mëshirojë ata që do prej banorëve të zjarrit i urdhëron melaiket që të nxjerrin çdo kënd që ka pas adhuruar Allahun. Atëherë melaiket i nxjerrin ata dhe i njohin nga shenjat e sexhdes se Allahu ia ka bërë haram zjarrit të hajë shenjat e sexhdes”
(E transmeton Buhariu)

7️⃣- Sexhdja është shenjë bindjeje për Allahun dhe dëshpërim për shejtanin.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur të lexojë njeriu ajetet e sexhdes dhe bie në sexhde, shejtani largohet dhe qan dhe thotë: Mjerë për mua!Njeriu u urdhërua për të bërë sexhde dhe e bëri atë dhe fitoi xhenetin kurse unë u urdhërova për të bërë sexhde dhe refuzova dhe fitova zjarrin”
(E transmeton Muslimi)

Kjo është sexhdja dhe këto janë disa mirësi të saj, prandaj mos e neglizho o Mysliman se pas saj qëndron Xhenneti.

Hoxhë Mirel Mazelli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit