Ministri i Mbrojtjes i Turqisë Hulusi Akar kërkoi nga Greqia që të përmbahet nga testimi i durimit të Turqisë me provokime, duke përfshirë kërcënimin për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Egje.
Duke folur para një grupi gazetarësh në Ankara, ministri i Brendshëm i Turqisë Hulusi Akar tha gjithashtu se Turqia dëshiron të zgjidhë mosmarrëveshjet me fqinjin dhe anëtarin e NATO-s, Greqinë.
Kjo sipas tij mund të ndodh përmes dialogut me qëllim që Deti Egje të kthehet në një “det miqësie”.
Megjithatë, Akar tha se Athina zyrtare po ecën përpara me veprime provokuese duke përfshirë militarizimin e ishujve afër territorit të Turqisë, gjë që sipas tij përbënë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton AP.
“Ata (Greqia) nuk duhet të llogaritin gabimisht dhe të mendojnë se është koha e duhur (për të zgjeruar ujërat territoriale në) 12 milje,” tha Akar.
“Ata nuk duhet të na testojnë në asnjë mënyrë dhe nuk duhet të hyjnë në një aventurë të tillë. Shpresoj që ata të mos bëjnë një gabim të tillë”, deklaroi ministri Akar.
“Le të përfitojnë të dy palët nga pasuritë, le të jetojnë të lumtur dhe të begatë edhe populli turk edhe ai grek”, tha Akar.
Greqia dhe Turqia kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat territoriale në Detin Egje dhe mbi të drejtat e eksplorimit të energjisë në Mesdhe.
Lexoni edhe këtë:Greqia akuzon Turqinë për “provokim”
Tensionet u ndezën në verën e vitit 2020 mbi të drejtat e shpimit eksplorues në zonat e Mesdheut ku Greqia dhe Qipro pretendojnë zonën e tyre ekskluzive ekonomike.
Greqia thotë se ruan të drejtën e saj për të zgjeruar ujërat e saj territoriale nga gjashtë deri në dymbëdhjetë milje detare rreth ishujve të saj në Detin Egje.
Në janar, parlamenti grek votoi për zgjerimin e ujërave të tij përgjatë vijës bregdetare perëndimore.
Athina i ka bërë thirrje së fundmi Turqisë që të revokojë vendimin për të konsideruar zgjerimin e ujërave territoriale si shkak për luftë nëse dëshiron të normalizojë marrëdhëniet.
Greqia i ka kërkuar gjithashtu Ankarasë t’i japë fund atyre që ajo i quan gjithashtu provokime në Detin Egje dhe Detin Mesdhe.
/rel/