-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ministri Sefaj dhe shefi i AKI-së “kurbanë” të Listës serbe

Më të lexuarat

Pas arrestimit të Marko Gjuriqit – drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në Kosovë kërcënuan me largim nga qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa kërkuan shkarkimin e atyre që urdhëruan aksionin policor në veri.

Ata gjatë takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur të mërkurën në veri të Mitrovicës, përmendën emrat e ministrit të MPB-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës që duhet shkarkuar menjëherë, duke mos përjashtuar edhe emra tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur poshtë raportimet e mediave se ka marr pjesë në ndonjë takim në veri, por u shpreh i sigurt se Lista Serbe nuk ka dhënë dorëheqje.

Ai theksoi po ashtu se  Lista Serbe nuk ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, shkruan Telegrafi.

Menjëherë, një ditë më pas (të enjten), në Kosovë ndodhën zhvillime të reja dhe dramatike, me ç’rast policia e Kosovës vuri nën pranga gjashtë shtetas turq, të cilët u deportuan në Turqi.

Pas kësaj ngjarje, u shkarkuan ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të inteligjencës (AKI), Driton Gashi, me pretekst se kanë urdhëruar aksionin e arrestimit dhe deportimit të ‘gylenistëve’ pa i informuar krerët shtetërorë

Shkarkimi i zyrtarëve të lartë të Kosovës ngjalli dilema nëse ka të bëjë vërtetë me deportimin e shtetasve turq apo kërkesën e përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe, ku apostrofohet emri i ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Reagimet e menjëhershme të partisë së Behgjet Pacolli ishin në kundërshtim me vendimin e shkarkimit të ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj, duke e quajtur shkarkimin si plan të menduar të Listës ‘Srpska’ në bashkëpunim me kryeministrin Haradinaj.

“Nuk ka arsye të shkarkohet ministri i MPB-së Flamur Sefaj. Nëse kjo gjë ndodhë, kjo është e turpshme dhe bëhet me kërkesë të Listës serbe”, ka thënë për Telegrafin nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri, pak orë para se të shkarkohen zyrtarët në fjalë.

Avokati Musa Damati, ka bërë të ditur për Telegrafin se bazuar në praktikat e qeverisjes së qeverive të kaluara në Republikën e Kosovë, shteti i Kosovës qëndron larg nga zbatimi i standardit të asaj që njihet si moral politik apo përgjegjësi institucionale publike.

Sipas tij, duke iu referuar një mentaliteti të tillë tërësisht të papërgjegjshëm, ai u shpreh  skeptik se shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të AKI-së mund të mdërlidhet me arrestimet e shtetasve turq.

“Kjo më tepër mund të shërbejë ndoshta për konsum të jashtëm, se sa që ka të bëjë me përgjegjësinë publike institucionale. Shkarkimet e tilla do të mund të interpretoheshin më shumë si përmbushje e kërkesave të partnerit të koalicionit Listës serbe, lidhur me zgjatjen e mandatit qeverisës të ekzekutivit aktual”, theksoi Damati.

Në anën tjetër, Belul Beqaj, analist dhe njohës i rrethanave politike në vend, në një prononcim për Telegrafin thotë se shkaqet për shkarkimin e ministrit të MPB-së, drejtorit të AKI-së nuk janë  të njëjta, e as që mund t’i shkarkojë instanca e njëjtë.

Mirëpo, shtoi ai, ato mund  të nënkuptohen varësisht nga interpretuesit.

“Shkarkimi i  Drejtorit të AKI-së bëhet së bashku me kryeministrin, por jo edhe drejtori i policisë, që e emëron kryeministri. Ndërsa kryeministri mund të ndërroj anëtarët e qeverisë, por  vështirë se mund ta shkarkoj   ministrin e MPB-së , meqë kjo është bërë me një marrëveshje të veçantë me Pacollin. Sidoqoftë, procedurat e shkarkimit janë të rëndësishme në aspektin ligjor, ndërsa të kuptuarit e shkarkimit mund të kenë interpretime të ndryshme. Serbët mund të thonë se shkarkimet janë bërë për shkak të kërkesave të tyre, ndërsa shumica e qytetarëve për shkak të shkeljeve të Kushtetutës dhe ligjit ndaj turqve të dëbuar kundërligjshëm”, ka thënë Beqaj.

Ai ka potencuar se nëse motivi i  vendimmarrësve është krijimi i kaosit , atëherë nuk do të dëgjohen kërkesat e askujt, ngase ciklet e krizave të vazhdueshme po i  bëjnë të paprekur nga drejtësia pushtetarët e Kosovës, prandaj nuk përjashtohet as kjo mundësi.

Ndryshe, gjashtë shtetasit turq të deportuar në Turqi, Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kaahraman Demirez, Cihen Ozkan, Hasan H.Gunakan dhe  Osman Karakaya, ishin punonjës të “Institucionit Arsimor Gülistan”, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit dy vite më parë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit