Për më tepër, ministri izraelit i krahasoi palestinezët me “kafshë”, duke thënë: “Ne po luftojmë kundër kafshëve humanoide dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat”
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se do të vendosin një bllokadë të plotë në Rripin e Gazës dhe se rajonit nuk do t’i jepet energji elektrike, ushqim dhe karburante, transmeton Anadolu.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Gallant mori pjesë në vlerësimin e situatës operacionale në Komandën Jugore të ushtrisë izraelite.
Duke deklaruar se i ka dhënë udhëzime ushtrisë, Gallant tha se Gaza do të bllokohet plotësisht.
“Nuk do të sigurohet energji elektrike, ushqime dhe karburant”, tha ai.
Për më tepër, ministri izraelit i krahasoi palestinezët me “kafshë”, duke thënë: “Ne po luftojmë kundër kafshëve humanoide dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat”.
Ndërsa versioni hebraik i fjalimit të Gallantit në fakt përfshinte shprehjen “kafshë”, vlen të përmendet se përkthimi në gjuhën angleze i fjalimit të botuar nga ushtria izraelite përdorte fjalën “barbarë” në vend të “kafshëve”.
Çfarë ka ndodhur ?
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izz al-Din al-Qassam, më 7 tetor njoftoi se kishte nisur një sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit të quajtur “Tufani i Aksasë”.
Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupe të armatosura palestineze hynë në vendbanimet në rajon.
Ushtria izraelite nisi gjithashtu një sulm në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se 493 persona, përfshirë 91 fëmijë, kanë vdekur dhe 2.271 persona janë plagosur në sulmet e Izraelit në Gaza.
Po ashtu, si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, jetën kanë humbur 15 palestinezë.
Mediat izraelite kanë deklaruar se 700 izraelitë kanë vdekur dhe 2.315 janë plagosur deri më tani nga sulmet.