2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ministri i Jashtëm dyshohet se është përzier në një skandal

Më të lexuarat

Z bardhja e njëpasnjëshme e skandaleve të kaluara, për dy mandatet e PDK-së me Hashim Thaçin në krye të Qeverisë së vendit, janë duke forcuar akoma më shumë bindjen në opinion, sipas së cilës del se Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet subjekti i parë politik që mban stafetën e abuzimit me shtetin, me instalimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e institucionet,shkruan gazeta Kosova Sot.
Skandal pas skandali, është zbuluar së fundi edhe dhënia e kundërligjshme e parcelës për ndërtimin e Universitetit Amerikan, në kohën derisa Ministria e Arsimit drejtohej nga ministri i atëhershëm Enver Hoxhaj, tani ministër i Jashtëm i Kosovës. Analistët politikë konsiderojnë se duke qenë se bëhet fjalë për një figurë kyçe në politikë dhe në institucionet e shtetit, sikur në Kosovë të funksiononte mirëfilli një shtet ligjor, pas publikimit të këtij skandali nga ish- zyrtari i EULEX-i Andrea Capussella, ministri i Jashtëm Hoxhaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqje të menjëhershme, e në rast se jo, atëherë do të duhej shkarkuar nga kryeministri Mustafa. Adresimi i kësaj përgjegjësie duhet t’i hapë rrugë për hetim edhe Prokurorisë së Shtetit, ngase bëhet fjalë për ndarje të jashtëligjshme pronash AUK-ut, duke dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro.
Prishja e imazhit të diplomacisë
Analisti politik Florim Zeqa thotë se derisa zbardhja e skandaleve të zyrtarëve të lartë qeveritar nuk ka të ndalur, dhe kësaj radhe kemi të bëjmë me skandalin e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili ishte i përfshirë në një skandal për ndarje të jashtëligjshme pronash gjatë kohës sa ka qenë ministër i Arsimit, i ashtuquajturi skandali i AUK-ut, përgjegjësia është dashur të adresohet, mirëpo për ironi të fatit, në vend që të ndëshkohet ministri Hoxhaj për transferim të jashtëligjshëm të një parcele toke tek një universitet privat, Universiteti Amerikan në Kosovë, me ç’rast kishte dëmtuar kuletën e shtetit në vlerë mes 15 deri në 20 milionë euro emërohet nga Qeveria e Kosovës, ish- kryeministri Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme! “Emërimi i një njeriu të përfshirë në afera korruptive në postin më të lartë në diplomaci, përveçse akt skandaloz, është imazh i keq për Kosovën në botë. Skandalin në AUK e kishte bërë publik zyrtari Capussela, duke iu referuar një vendimi të EULEX-it të vitit 2010-2011. Heshtja nga ajo kohë e këtij skandali është bërë me qëllim të humbjes së gjurmëve edhe të shumë skandaleve të tjera të ministrit Hoxhaj, derisa ishte në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Në këtë rast kemi të bëjmë pak më shumë se me heshtje! Gradimi i një ministri të korruptuar në një post akoma më të rëndësishëm të shtetit do të thotë amnistim i veprimeve të tij nga kreu i ekzekutivit”, ka thënë ai. “Rastet e tilla nuk duhet të heshten dhe as të amnistohen, por të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi. Mirëpo, për aq kohë sa të jenë në krye të qeverisjes së vendit kjo klasë politike,do të anashkalohen të gjitha rastet korruptive, derisa në krye të vendit të vijë një klasë e përgjegjshme politike”, theksoi Zeqa.
Ngjashmëria me rastin “Muja”
Edhe eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani thotë se ky skandal, në vend të ndëshkimit me përgjegjësi politike dhe ligjore, në praktikën e mosfunksionit të shtetit ligjor në Kosovë ndodh edhe absurdi tjetër, që abuzuesi me pronën publike të shpërblehet me pozitë akoma më të lartë në nivelin qeveritar. “Ky ishte rast i çuditshëm dhe i pakuptueshëm, por edhe i dyshimtë me bazë penale. Askush nuk ka të drejtë në çfarëdo posti publik të ofrojë tokë apo parcelë për interesa pronësore të natyrës private. Nga aspekti i gjykimit tim profesional them se ky rast duhet të hetohet dhe të gjendet e vërteta, “falja” e pronës publike për interesa private të kompanive private. Ky është edhe një rast i ngjashëm me pronën që kishte dhënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramada Muja. Kjo dhënie parcelës është ilegale dhe e kundërligjshme, dhe askush në asnjë shtet me rend dhe ligj nuk do të vepronte kështu me pronë publike”, ka thënë ai. “Sjellja këso fare i ngjason kryekëput asaj kohës së mbretërve, në feudalizëm, dhënie me falje të pronave që vlerësoheshin se janë prona personale të mbretit. Unë konsideroj se në një shtet ligjor kjo duhet t’i kthehet Komunës së Prishtines. Procesi mund të realizohet vetëm duke vepruar organet e drejtësisë, ato duhet ta kryejnë punën e tyre. Dihet mirëfilli që ky nuk është skandal vetëm i një njeriu, por i PDK-së, subjekt politik nga i cili përplot zyrtarë të tij dita- ditës po shihet se janë të përfshirë në veprime të kundërligjshme, si ministra, ish-ministra e deputetë që janë edhe nën hetime”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se sjelljet e tilla të zyrtarëve të këtij subjekti politik kanë gjenezë akoma më të hershme të abuzimit me prona publike. “Nuk duhet harruar edhe një skandal me pronën e UP-së, ku zyrtarë të lartë politikë kanë marrë parcela, janë falur dhe aty kanë ndërtuar shtëpi. Pra, kjo i bie që kush është në parti mund të ketë përplot privilegje mbretërore”, tha Blerim Burjani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit