Vetëm katër ditë pasi që është inauguruar, një minibibliotekë në Parkun e Qytetit në Shtime, ajo është shkatërruar. Ishte përuruar me 88 libra, e tash s’i ka mbetur asnjë.
Komuna e Shtimes në bashkëpunim me Këshillin e Veprimit Rinor kishte marrë iniciativë për krijimin e një minibibloteke.
Një qytetar, me shqetësim, ka shkruar në adresë të portalit Koha.net, se si duket, blerja e një rafti dhe vendosja e ca librave nuk është zgjidhje.
“Por, duhet krijuar mekanizëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj, e kjo dukuri më ka shqetësuar”, ka shkruar ai.
Foto pas shkatërrimit
Komuna e Shtimes, me 29 mars ishte krenuar me këtë aktivitet, të cilin e kishte postuar edhe në faqen zyrtare të Komunës në Facebook.
“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, drejtori z. Lumni Amrushi, përshëndeti dhe përgëzoi për këtë iniciativë të rinjtë e komunës sonë dhe i inkurajon për të vazhduar më tutje, sepse ka mbështetjen dhe përkrahjen e DKRS-së e të Komunës së Shtimes”, thuhet në njoftim.
Njoftimi tregonte se të rinjtë e Shtimes, gjegjësisht Këshilli i Veprimit Rinor Lokal, (KVRL), kishte përuruar minibibliotekën, me ç’rast përmbushën idenë e tyre dhe kreativitetin duke vendosur një minibibliotekë në parkun e qytetit të Shtimes.
“Falënderojmë shumë të gjithë ata që dhuruan libra për këtë minibiblotekë e veçanërisht mobilerinë Idrizi në Pjetërshticë e cila na dhuroi raftin e librave dhe xhamaprerës Duma që bëri dhurimin dhe montimin e xhamave. KVRL do të vazhdojë pasurimin e kësaj minibibloteke e cila për momentin numëron 88 libra”, ishte thënë drejtuesi i kësaj ideje, Resul Gashi.