4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Minaren ma qepi poshtë!

Më të lexuarat

Shkruan: Sasho Ordanoski

Në dekadat kur Turqia ishte shtet sekular – tani është në rrugë të mirë të bëhet një nga teokracitë më shpresëdhënëse jodemokratike, në krye me sulltanin e ri politik – pushteti në Turqi, siç më rrëfenin miq nga Stamolli, ka ndaluar përdorimin e altoparlantëve dhe ( në atë kohë) ezanin e incizuar në kasetë.

Kur disa muezinë janë ankuar, autoritetet përkatëse sekulare, me dinakëri janë përgjigjur se nëse dëshirojnë t’i këndojnë lutjet  e tyre të bukura orientale nga minaret, hoxhallarët do të duhet me të vërtetë të ngjiten në ballkonet e atyre minareve, dhe nga atje ta lëshojnë zërin aq sa kanë fuqi, sepse porosia e sinqertë nga Allahu deri te besimtarët nuk mund të ndërmjetësohet me mjete elektronike siç janë mikrofonat dhe altoparlantët!

Me fjalë tjera, kush dëshiron të bën thirrje nga minarja, ajo “derë” mes tokës dhe parajsës qiellore, mundet – bujruum, ngjitu shkallëve të ngushta dhe të larta në agim, në drekë, pasdreke, në mbrëmje dhe për lutjen e natës, dhe bërtit sa të mundesh, mirëpo nga lartë!

Nuk e di pse, por ky rrëfim “kurnaz” mu kujtua këto ditë, duke i ndjekur diskutimet për konservimin e xhamisë së Ali Pashës në Ohër. Nuk jam i sigurte nëse e kuptoj deri në fund brengën e disa qytetarëve të Ohrit, të formuluar në pyetje retorike: “Vallë do të mbijë minare prej 32 metra afër xhamisë së Ali Pashës?”

Përgjigja më e shkurtë do të ishte: Po, do të mbijë. Po çka?

Sa mundem të lexoj – kolegu Vele Mitanovski para disa ditësh kishte një tekst të jashtëzakonshëm mbi këtë temë në “Slloboden peçat” – kjo xhami është ndërtuar para 450 viteve, që do të thotë biografi me respekt të madh edhe për Ohrin e lashtë. Në të gjitha fotografitë që janë në dispozicion dhe në dokumente tjera faktografike, minarja ka qenë me lartësi prej 30 metra, së paku pasi minaret kanë filluar të ndërtuan afër xhamive ( minarja e parë e konstatuar në histori thuhet se është ndërtuar 80 vite pas vdekjes së Muhamedit, që do të thotë para shumë kohe, edhe pse ato forma arkitektonike fetare kanë ekzistuar shumë kohë para paraqitjes së Islamit) dhe prej kur dikush mban mend. Nëse shikohen fotografitë e vjetra, çdo kush me mendje të shëndoshë mund të arrijë deri te ky përfundim “metrik”…

Pra nëse ka ardhur koha të konservohet dhe rindërtohet ky objekt, tani sa duhet të jetë e gjatë minarja e cila në një kohë të kaluar në mënyrë elegante ka qëndruar mbi çarshinë e Ohrit? Shtatë metra? Pesëmbëdhjetë? Ose të bëjmë referendum lokal për gjatësinë e minares – ashtu mundet të mbarojë edhe në bodrum…

Ta rindërtojmë xhaminë pa minare, si thoni!? Sikur të rindërtojmë kishë të vjetër pa kullë këmbane, sepse dikujt mundet mos t’i pëlqejë pamja?

Në fakt, vallë u ankua dikush se sa është minarja e betonit, më falni, kulla e këmbanës, e cila para disa vitesh u ndërtua në qendrën e Shkupit, në rrugën “Maqedonia”, afër shtëpisë së Armatës, si pjesë plotësuese e frustrimeve “arkitektonike” të Nikolla Gruevskit për “rindërtimin” falsifikues të kishës “Shën Konstantini dhe Elena”? Mua më duket se kjo shëmti ka rreth njëqind metra lartë, për inat të të gjithëve që nuk e kuptuan gjeniun e inspiruar të Rindërtuesit dhe Udhëheqësit të Madh ( të shoqërisë kriminele).

E po, minarja më e gjatë ekzistuese në botë është ajo në Kasablankë, deri te xhamia e atjeshme Hasani i Dytë, e cila lartësohet në mënyrë superiore drejt qiellit me 210 metrat e veta! Janë impozante edhe minaret në Londër ( xhamia Bejtul Futuh), Qytyb minarja në Nju Delhi, ose minarja e mbijetuar në pikën më veriore të perandorisë Otomane, ajo në Eger të Hungarisë…Të gjitha janë shuuumë më të larta nga ajo e rrënuara në Ohër…Si do të ishte debati këtu, nëse do të duhet të rindërtohet një e tillë?!

Ohri është qytet i mrekullueshëm, jo vetëm për shkak të liqenit perlë, por edhe për shkak të historisë shumë të pasur, të cilës histori secili udhëtar botëror qëllim- mirë, ia ka zili. Për këtë arsye mendoj se në një qytet me 365 kisha, nga një për çdo ditë të vitit, nga kisha katedrale “Sh. Sofia”, deri te qindra parakliset e hedhura nëpër rrugicat e Ohrit – rindërtimi i objektit pesë shekuj të vjetër, do të duhej të ishte rast për festim mbarëkulturor, dhe jo për thashetheme mendjengushta mëhallore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit