Ditë më parë u bë e ditur se INTERPOL ka përfshirë në listë të kuqe Milan Radoiçiqin, ish nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për Telegrafin e kishte konfirmuar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ministri Rashiq bëri të ditur për Telegrafin se urdhri për flet-arrest është lëshuar me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Lidhur me këtë flet-arrest, Telegrafi ka kontaktuar me INTERPOL, të cilët kanë deklaruar se nuk komentojnë për raste ose individë të veçantë.
“Ju lutemi vini re se Organizata nuk komenton për raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet përkatëse kombëtare”, thuhet në përgjigjen e INTERPOL për Telegrafin.
Tutje INTERPOL ka shtuar se nuk lëshon udhër-arreste por alarme ndërkombëtare që njihen “Red Notices”.
“Për informacionin tuaj të përgjithshëm, INTERPOL nuk lëshon urdhër-arreste, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas kontrolleve të pajtueshmërisë INTERPOL lëshon alarme ndërkombëtare në kërkim të njohur si ‘Red Notices’”, kanë deklaruar nga INTERPOL-i.
Çka është “Red Notice” që INTERPOL-i i lëshon për personat në kërkim
Në njoftimin e INTERPOL-it thuhet se një “Red Notice” paralajmëron policinë në mbarë botën për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht
“Kriminelët mund të ikin në një vend tjetër në përpjekje për t’i shmangur drejtësisë. Një “Red Notice” paralajmëron policinë në mbarë botën për të arratisurit e kërkuar ndërkombëtarisht”.
Një “Red Notice” është një kërkesë për zbatimin e ligjit në mbarë botën për të gjetur dhe arrestuar përkohësisht një person në pritje të ekstradimit, dorëzimit ose veprimeve të ngjashme ligjore.
“Ai bazohet në një urdhër arresti ose një urdhër gjykate të lëshuar nga autoritetet gjyqësore në vendin kërkues.
Vendet anëtare zbatojnë ligjet e tyre për të vendosur nëse do të arrestojnë një person”, thuhet më tutje në ueb-faqen e INTERPOL-it.
“Red Notice” përmban dy lloje kryesore të informacionit:
Informacion për identifikimin e personit të kërkuar, si emri, data e lindjes, kombësia, ngjyra e flokëve dhe syve, fotografi dhe shenja gishtash nëse ka.
Informacion në lidhje me krimin për të cilin ata kërkohen, i cili zakonisht mund të jetë vrasje, përdhunim, abuzim me fëmijët ose grabitje me armë.
“Red Notice” publikohen nga INTERPOL me kërkesë të një vendi anëtar dhe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregullat e INTERPOL-it.